Llapi ndalet nga Fushë Kosova, Liria barazon me Dukagjinin

02 nëntor 2023 | 15:06

Janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit për javën e 12-të, në Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra e Llapit është ndalur në barazim nga Fushë Kosova (1-1), në ndeshjen që u zhvillua të enjten në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Skuadra e Tahir Batatinës edhe një herë ka gabuar në garë për kreun e tabelës, pasi si vendas ndaj një skuadër dukshëm më të dobët nga cilësia nuk arriti të marrë maksimumin e pikëve dhe tash ka mbetur tetë pikë pas skuadrës kryesuese.

Në minutën e 16-të, Urim Statovci e kaloi skuadrën mysafire në epërsi 0-1. Llapi dominoi me pas, por pa arritur të gjejë golin e barazimit. Në minutën e 61-të, Ahmet Januzi barazoi shifrat në 1-1, derisa në fund të ndeshjes Llapi kishte një mundësi të artë për të kaluar në epërsi, por nga pika e bardhë nuk ishte i saktë Muhamet Hyseni.

Pas këtij barazimi, Llapi vazhdon të jetë në vendin e tretë me 21 pikë. Ndërsa Fushë Kosova është në vendin e fundit me 7 pikë.

Në  ndeshjen tjetër mes Lirisë dhe Dukagjinit rezultati final ishte 2-2. Në minutën e 73-të, Moria kaloi mysafirët nga Klina në epërsi 0-1.

Tre minuta para fundit të ndeshjes, Tijueza barazoi rezultatin në 1-1, derisa në minutën e parë shtesë Stafa kaloi vendasit në epërsi 2-1. Kur të gjithë priten fitoren e vendasve, në skenë doli Elezaj që realizoi për 2-2 në minutën e tetë shtesë. Pas kësaj ndeshje, Dukagjini është në vendin e shtatë me 13 pikë, kurse Liria e dhjeta me tetë pikë.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka lansuar…