Llapi e ka ndërprerë serinë e fitoreve të Ballkanit, duke mposhtur kampionët në fuqi me rezultatin 5:3, ndërsa Malisheva dhe Prishtina kanë shënuar fitore të rëndësishme në ndeshjet e javës së 17-të në Albi Mall Superligë.

Ndeshja tejet interesante dhe emocionuese në stadiumin “Zahir Pajaziti” e pa Llapin të triumfonte ndaj kampionëve në fuqi. Hamdi Namani dhe Muhamet Hyseni e çuan Llapin në epërsi të dyfishtë me golat e shënuar në minutat 7-të e 16-të, por Ballkani u kthye me gola nga Nazmi Gripshi (26’-pen) dhe Albin Berisha (40’).

Megjithatë, golat e dytë të Namanit (45’+1’) dhe Hysenit (73’-pen) si dhe goli i zëvendësuesit Ahmed Januzi (89’), e siguruan fitoren e rëndësishme për Llapin, duke ia shkaktuar njëherësh humbjen e parë Ballkanit në këtë edicion. Krejt në fund të ndeshjes Albin Berisha shënoi për Ballkanin, por goli i tij vlejti vetëm sa për statistikë, pasi ishte vonë për të ndryshuar rrjedhën e lojës.

Ndërkohë, Malisheva ka siguruar një fitore të vështirë kundër Lirisë, me rezultatin 1:0. Ndeshja u vendos në minutën e katërt shtesë kur Drilon Hazrollaj shënoi nga penalltia. Me të njëjtin rezultat ka fituar edhe Prishtina në përballje me Fushë Kosovën.

Ishte kapiteni Mërgim Pefqeli, ai, i cili shënoi golin vendimtar në minutën e 32-të me një gjuajtje të fuqishme. Fushë Kosova pati mundësi të barazonte shifrat në minutën e 76-të, por Urim Statovci dështoi të shënojë nga penalltia.