Lluka thotë se Gjilani duhet të ketë zgjidhje afatgjate për sistemin e ujit të pijshëm

26 qershor 2019 | 13:38

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka ka thënë se aktualisht po analizohen katër burime emergjente që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e përkohshme të problemit të ujitë në Gjilan.

“Ajo çfarë potencova gjatë fjalimit ishte se Gjilani së bashku me nivelin qendror duhen të fokusohen në zgjidhje afatgjate të këtij problemi, duke siguruar rezerva tjera shtesë të ujit të pijes. Është hera e 4 që nga paslufta që Gjilani vjen në një situatë të ngjashme”, ka thënë Lluka të mërkurën në tryezën e thirrur nga Kryetari Lutfi Haziri dhe kryeshefi Muhamed Suliqi me temën: “Furnizimi afatgjatë i Gjilanit me ujë të pijshëm: ‘Shqyrtimi i Alternativave për Sigurimin e Burimeve të Ujit”.

 

Postimi i plotë i Lukës:

Duke qenë dëshmitar të krizës për ujë të pijshëm në rajonin e Gjilanit dhe nën organizimin e Komunës së Gjilanit dhe Ujësjellësit Rajonal Hidromorava, sot morra pjesë në tryezën e thirrur nga Kryetari Lutfi Haziri dhe Kryeshefi Muhamed Suliqi me temë: Furnizimi afatgjatë i Gjilanit me ujë të pijshëm: “Shqyrtimi i Alternativave për Sigurimin e Burimeve të Ujit”.

Fillimisht, së bashku me Ministrin Matoshi dhe Kryetarin Haziri, vizituam Liqenin e Perlepnicës ku shikuam nga afër se si rezervat ujore janë zvogëluar si asnjëherë më parë, kryesisht për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike. Nga 3.5 milionë kubik metër ujë që parashihet të ketë ky rezervuar, sasia ka rënë në 1 milion m3, që ndryshe mund të thuhet se në situatë të ngjashme klimatike, ka furnizim për rreth 2 deri ne 3 muaj kohë.

Aktualisht po analizohen 4 burime emergjente që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e përkoshme të problemit, por ajo çfarë potencova gjatë fjalimit ishte se Gjilani së bashku me nivelin qëndror duhen të fokusohen në zgjidhje afatgjate të këtij problemi, duke siguruar rezerva tjera shtesë të ujit të pijës. Është hera e 4 që nga paslufta që Gjilani vjen në një situatë të ngjashme.

Sot është krizë ujore në Gjilan, para pak kohe kemi pasur krizë të tillë në Prishtinë. Ndërkohë, raporti i fundit i Bankës Botërore ka treguar qartë se Kosova ka vetëm 230 metër kub rezerva ujore për kokë banori, kurse vendet e rajonit me mbi 650 metër kub, kurse shtetet e zhvilluara të Evropës, rreth 1700 m3 për kokë banori.

Në bazë të këtij raporti, Qeveria e Kosovës, me ndihmën e Bankës Botërore, janë duke i trajtuar dy mundësi për investime: 1. Akumuluesi në Kamenicë dhe 2. Akumuluesi ne Suharekë.

Varësisht nga propozimet e kësaj tryeze të organizuar në Gjilan, së bashku me Ministrin Fatmir Z. Matoshi dhe Kryetarin Haziri, u zotuam për të përkrahur rekomandimet e ekspertëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stephanie Grisham do të jetë sekretare e shtypit e Shtëpisë…