Lufta kundër korrupsionit , 42 raste në procedurë hetimore

08 prill 18:10

Aktualisht ka arritur në 42 numri i lëndëve për korrupsion, të shënjestruara për t’u zgjidhur si pjesë e luftës kundër korrupsionit, që është kushti i fundit për liberalizim të vizave.

Sipas koordinatorit për këto lëndë, Agim Maliqi, ato janë raste të profileve të ndryshme. Ndërsa monitorues të sistemit të drejtësisë kanë thënë se këto nuk janë raste të profilit të lartë ashtu siç kërkohet.

Ndër kriteret për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian, është luftimi i korrupsionit.

Koordinatori për lëndët e shënjestruara për korrupsion, Agim Maliqi, ka thënë se tashmë janë 42 raste në trajtim.

Në një intervistë për “Radio Kosovën”, Maliqi ka thënë se nga ky numër, gjashtë lëndë janë në procedurë hetimore, 31 raste me aktakuza ndërsa rastet e tjera janë nën hetim.

Sipas tij, në procedurë hetimore janë pesë raste. Ai ka përmendur rastet e njohura si “Sekseri”, “Vizat” dhe “Avansi” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, rasti “Shkurti” në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe “Ndërrimi” në Gjykatën e Mitrovicës.

Sipas Maliqit, deri më tani në shkallë të parë janë përfunduar pesë raste, ndërsa të formës së prerë janë gjashtë raste.

“Me burgim efektiv janë dy raste, çështja penale prokurori me burgim 3 vite dhe 5 mijë euro gjobë, vepra penale ‘Matreks M’ që është një dënim prej 5 vite burgim të formës së prerë”, ka thënë Maliqi.

Sipas Maliqit, janë vetëm dy raste ku përfshihen persona zyrtarë, derisa te tjerat nuk ka pozita të larta publike.

“Ish-prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, rasti ish kryetarit te komunës së Kllokotit, avokati 1 dhe avokati 2 avokat komunal i kuvendit komunal të Gjakovës, rastet tjera kanë të bëjnë me trafikim me qenie njerëzore dhe nuk janë persona që kanë autoritet të veçantë në sistemin gjyqësor apo prokurorial apo qeveri”, ka thënë Maliqi.

Por, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se bazuar në rezultatet e deritashme në luftën kundër korrupsionit, lufta kundër kësaj dukurie nuk ka treguar rezultate konkrete.

“Në rastet e shënjestruara si top rastet më të mëdha ne kemi gjetur se ekzistojnë raste të profilit të mesëm e që janë shitur në publik si raste të profilit të lartë. Rezultatet e këtyre rasteve të këtyre aktakuzave dhe aktgjykimeve nuk dëshmojnë një luftë të vërtetë kundër korrupsionit por thjeshtë një mashtrim për të pasur rezultate që mund të shiten para BE-së si sukses”, ka thënë Musliu.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një intervistë për “Radio Kosovën,  ka thënë se tashmë janë krijuar kushtet kadrovike dhe buxhetore për t’i trajtuar këto lëndë të cilat sipas tij, në të kaluarën kanë munguar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka…