Luftë në Kosovë, e kush do ta bëjë këtë luftë?!

11 gusht 2022 | 14:24

Shkruan: Behxhet Shala-Bajgora

Uroj që Kina të mos e sulmojë Tajvanin: Kosova qenka në rrezik nga Serbia e cila, në fakt është vetëm mjet për ta destabilizuar vendin tonë, me urdhër të Rusisë dhe Vlladimir Putinit! Këtë nuk e kanë ditur as shërbimet më të fuqishme zbuluese dhe kundërzbuluese por, pas analizave, këtë e bën publike kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vojsa Osmani. Si Papë Françesku që i drejtohet besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan me enciklikën e tij, urbi et orbi, edhe kryeministri Kurti e shfrytëzoi një medium italian, tash edhe një anglez që përmes një interviste ta informojë opinionin ndërkombëtar se lufta në Kosovë vetëm se nuk paska filluar dhe se përgjegjësinë për këtë e kanë Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë dhe Vladimir Putin, president i Rusisë. Bota këtë e mori shumë seriozisht, më seriozisht se vet luftën në Ukrainë. Kurrë dhe asnjëherë Kosova nuk ka qenë më e gatshme, ushtarakisht dhe politikisht për luftë se që është tani. E kemi një kryeministër që nga Ballkoni i Hapur dhe duke hëngër shtalba i mbikëqyrë operacionet ushtarake. Ndonëse nuk ka përvojë ushtarake, ka përvojë të madhe politike dhe është njohës i mahnitshëm i doktrinave luftarake. Sun Tzu, Monteskje, Makiavelli, gjenerali Gjap  dhe strategët e tjerë  ushtarakë të cilët i pranon bota si autoritete të jashtëzakonshme në këtë fushë, janë thuaja amatorë krahasuar me kryeministrin tonë. Pastaj, kryekomandantja e forcave të armatosura të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka përvojë të gjatë luftarake, që nga fillimi ka luftuar me të gjitha mjetet e lejuara dhe aspak të lejuara udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët, ndonëse po mbahen peng në Gjykatën Raciste në Hagë, ende po sulmohen nga kryekomandantja deri në çastin kur në nuk do të paraqesin rrezik për këta trashëgimtarë të lirisë që me asgjë nuk e kanë merituar . Zëvendësuesja e saj, Donika Shvarc (Katran) ka përvojë edhe më të gjatë në luftën kundër ish të burgosurve politikë, bacës Adem Demaçi dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje, botërisht pati deklaruar se nëse kërkohet nga ajo do të dërgojë dosje edhe në Gjykatën e Hagës, nëse nuk i ka dorëzuar deri më tani.

Jo në mbrojtje të tyre, sigurisht. Nëse këta tre që i përmenda më lartë vetëm 10 për qind do ta urrenin Serbinë dhe Rusinë krahasuar me urrejtjen që e kanë ndaj udhëheqësve të UÇK-së, pavarësisht a janë të burgosur apo në “liri”, as Serbia e as Rusia as që do të nisinin luftë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Këta që po trumpetojnë se do të ketë luftë me Serbinë dhe Rusinë, e kanë lepurin në bark dhe sot e 500 vjet nuk do të luftonin për asgjë, përjashtuar për karriget e pushtetit. Nëse e bëjmë një shëtitje, mbase edhe sipërfaqësore të emërimeve në borde të ndryshme, në misione diplomatike dhe konsullare, poste ministrore dhe në nivele më të ulëta të pushtetit, atëherë me lehtësi konstatojmë se asnjë qeveri e mëparshme nuk ka numër aq të madh të ish-bashkëpunëtorëve të Jugosllavisë, Serbisë, UDB-së dhe shërbimeve tjera, sa ka qeveria aktuale. Janë krejtësisht të kastruar nga patriotizmi, qoftë edhe deklarativ.

Madje, për ta vërtetuar atë që e thash më lartë, kemi shumë fakte dhe shkarkime që kanë ndodhur kohëve të fundit pikërisht ndaj të merituarve për lirinë që aktualisht po e përdorin për mbajtje të pushtetit, pasi e përdorën paraprakisht për marrje të pushtetit,  madje duke shfaqur një ekzaltim patologjik. Kemi rastin kur trashëgimtari biologjik i një ish-bashkëpunëtori të sigurimit jugosllav dhe serb është zgjedhur në një bord shumë të rëndësishëm, ndërsa një ish i burgosur politik, viktimë e dhunës të atij bashkëpunëtori ishte eliminuar. Merreni një tablo të mozaikut të punësimit në vende të ndjeshme, në institucione të ndjeshme dhe do ta shihni se pikërisht fëmijët e spiunëve janë emëruar ambasadorë, anëtarë të bordeve, zëdhënës, këshilltarë politikë kurse fëmijët e ish të burgosurve politikë dhe të ish-ushtarëve të UÇK-së, bëjnë punë krahu, punojnë nëpër kafiteri apo kërkojnë rrugë të shkojnë në vende tjera. Ose, nëse rastësisht dikush prej tyre është në ndonjë vend të rëndësishëm e që pushteti aktual i konsideron armiq prindërit e tyre, i bien gurit dhe drurit deri sa t’i largojnë nga puna. Këso hakmarrje dhe linçim nuk ka pasur në asnjë regjim.

Në qeverinë aktuale ka aq urrejtës të mëdhenj të UÇK-së, të burgosurve politikë, të  burgosurve që po mbahen peng në Gjykatën Raciste në Hagë, të veteranëve të luftës së UÇK-së e që do ua kishin zili edhe Shesheli dhe çetnikët e Vojë Peçancit. Së paku sipas deklaratave publike që i kanë bërë dhe po i bëjnë. Askujt prej tyre për këto deklarata nuk iu  mungon as edhe një qime e vetme e lëre më të thirren në përgjegjësi. Madje, këta janë të përkëdhelurit e kryeministrit dhe të presidentes Vojsa Osmani. Sa më shumë që kanë punuar paraardhësit kuislingë të këtyre kuadrove qeveritare kundër Kosovës, Shqipërisë dhe interesave kombëtare, aq më lartë janë të ranguar dhe kanë qëndrueshmëri më të madhe në ruajtje të pozitës që e kanë, pasardhësit e tyre! Përpara, kur botërisht e përkrahja Albin Kurtin dhe kur linçohesha botërisht nga ndërkombëtarët dhe këta kuislingët politikë dhe joqeveritarë që po mrizojnë nën flladin dhe kujdesin e plotë të Albinit, as në ëndërr nuk kam menduar se do të vijë një kohë kur Albini do të transformohej aq shumë, në kuptimin negativ, pa asnjë dyshim. Albin Kurtin e ka bërë Albin Kurti, baca Aden Demaçi, shiheni sot qëndrimin e Binit për Bacën?!

E keni dëgjuar ta ketë përmendur përveçse kur kthehej nga vizita e varrit, të cilin për së gjalli as që e bënte llogari ! Jam i sigurt dhe koha ma ka vërtetuar se çdonjëri që është fërkuar për bacën Adem Demaçi, në kohën më të keqe për të i kanë ardhur faturat të cilat nuk ka pasur mundësi t’i shlyej. Nuk kanë qenë fatura të drejtësisë apo hakmarrjes tokësore por fatura të drejtësisë hyjnore ! Kush do të jetë gjallë, do të bindet, sigurisht! Të gjithë ne që kemi besuar se Kosova ka nevojë për ndryshim, kemi pasur të drejtë . Mirëpo, në asnjë çast nuk kemi besuar dhe nuk duam të besojmë se ky ndryshim është ai të cilin e kemi pritur. Nuk kemi besuar se rinia, në vend që të shkrijë mend dhe mund në Kosovë , po e bënë të pamundurën të ikë nga Kosova . Nuk kemi besuar se ende duhet të skuqemi , turpërohemi dhe të ndjehemi fajtorë para fëmijëve të kuislingëve të policisë serbe, të UDB-së, prokurorisë dhe gjyqësorit e që sot mbajnë pozita të rëndësishme në institucione ndonëse edhe sot i bartim pasojat e torturave nga ta. Thuaja si çdo qeveri e mëparshme, edhe qeveria Kurti 2 po e blenë dëgjueshmërinë me poste, nepotizëm, korrupsion, tash në sasi shumë më të madhe sepse edhe numri i votave ishte shumë i madh e që, përkthyer në përqindje, ka pushtet absolut.

Si do të dukej lufta e ardhshme: Fillimisht jam i sigurt se nuk do të ketë luftë sepse nuk ka kush të luftojë. Në pushtetin aktual ata që e “hanë hekurin me dhëmbë” numërohen me gishta të një dore, saktësisht këta janë: Dimali, Hakiu, Haxhi Qamili, Hekurani  dhe … kush tjetër ?! Këta që po flasin për luftë e kanë të qartë që për aq kohë sa në Kosovë do të valëvitet edhe një uniformë e vetme e NATO-s, Serbia nuk e mësynë Kosovën prandaj edhe po i bien trumbetave të luftës. Në fakt , këtyre “shqipeve” pa sqep dhe pa kthetra, më mirë do t’u shkonte muzika me trumbetë “Il Silenzio” nga Nino Rossi që përdoret si ninullë për t’i vënë ushtarët në gjumë!

Edhe në rastin më të skajshëm kur bashkësia ndërkombëtare do të vendoste të tërhiqej nga Kosova e që nënkupton se Serbisë do t’i jepeshin duart e lira për veprim , luftën do ta bënin ata që e bënë luftën e fundit të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e  Kosovës, pasardhësit e tyre sikur edhe pasardhësit e ish  të burgosurve politikë. Këta janë sakrifikuar që nga dita e parë e rezistencës kombëtare, deri në kohën kur u fitua një liri gjysmake. Një numër i patriotëve të Shtalbit të Përgjithshëm të Ushtrisë Virtuale të pushtetit aktualë, luftën do ta bënte nga Norvegjia, Gjermania, Anglia, Zvicra, Italia dhe Greqia kurse, një numër jo i vogël si vazhdimësi e traditës familjare, luftën do ta bënin nga Serbia.

Këto kombinime mund të bëhen vetëm pasi do të përfundojë lufta në Ukrainë dhe pasi Rusia dhe Putini të marrin dënimin e merituar nga kryeministri Kurti dhe Vojsa Osmani, presidente shëtitëse, sikur holandezja e fjetur! Uroj sinqerisht që Kina të mos e sulmoj Tajvanin sepse do të dilte një angazhim shtesë për Albin Kurtin dhe Vjosa  Osmanin, do të detyrohen të mobilizohen në mbrojtje të Tajvanit dhe në luftë kundër Kinës. Punë e vogël kjo, do të luftonin kundër 1 miliard e 500 milionë kinezëve. Angazhim i papërfillshëm, fare ! Zot, qo mend aty ku nuk ka!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti Armend Zemaj e ka cilësuar qeverinë…