Lugina e Preshevës nuk do zgjidhje të pjesshme

09 gusht 2018 | 17:31

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, presin që premtimet, të cilat po jepen nga Prishtina zyrtare për çështjen shqiptarëve në tri komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, do të realizohen.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se për herë të parë presidenti i Kosovës ka marrë përgjegjësi për të ndihmuar në përmirësimin e drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Ajo që ne e kemi deklaruar njëzëri gjithë spektri politik në Luginë të Preshevës, është se zgjidhjet e pjesshme përmes korrigjimit të kufirit në një apo dy fshatra, nuk mund të jenë zgjidhje e mirë, sepse te pjesa tjetër e popullsisë shqiptare sidomos, e lënë pakicë, do të nxisë shpërngulje. Nëse shtrohet kjo çështje, duhet të jetë në tërësi me të gjitha komunat”, ka thënë Kamberi.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kërkojnë që në dokumentin përfundimtar të një marrëveshjeje të mundshme Kosovë – Serbi, të jetë e përfshirë edhe çështja e statusit të këtyre tri komuna.

Kamberi ka thënë duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të shqiptarëve në komunat me shumicë shqiptare, deklaratat se do të punohet nga institucionet e Kosovës për gjendjen e tyre, janë shpresëdhënëse.

“Kur kemi parasysh gjendjen e vështirë, në të cilën jetojnë shqiptarët, deklaratat e tilla duhet të jenë shpresëdhënëse, sepse i jep i pari i shtetit, të cilin ne e konsiderojmë amë. Duhet të ketë përgjegjësi për atë. Në të kundërtën, ne jemi duke jetuar në një shtet, i cili është i njohur për politikën e vet hakmarrëse ndaj shqiptarëve dhe çfarëdo politike joserioze në këtë drejtim, do të mund të sjellë represion të shtuar, siç kemi në ditët në vijim në paraqitjet e xhandarmërisë serbe në vendbanimet shqiptare. Pra, janë çështje mjaft serioze që besojmë se presidenti i di mirë dhe për këtë arsye i ka shtruar”, ka thënë Kamberi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia në mënyrë paqësore mund të bëjnë korrigjimin e kufirin, duke përmendur me këtë rast përfshirjen e komunave jugore të Serbisë, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në kuadër të territorit të Kosovës.

Institucionet e Republikës së Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar nga autoritetet e Serbisë që t’i respektojnë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, Belgzim Kamberi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se për fatin e Luginës së Preshevës duhet të vendosin vetë qytetarët e asaj ane.

“Është e vështirë të themi se sa mund të ketë sukses kjo çështje, po atë që e mendojmë është se për çështjen e Luginës së Preshevës, duhet që të vendosin qytetarët e Luginës së Preshevës, natyrisht në konsultim me Prishtinën zyrtare”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Kamberi ka thënë se para se të flitet për çështjen e kufijve dhe territoreve, duhet të flitet për respektim e të drejtave të njeriut në Luginë.

“Duhet një herë të flitet për çështjen e të drejtave edhe të pakicave kombëtare në përgjithësi, por edhe të qytetarëve dhe në këtë fazë është shumë me rëndësi që të zgjidhen këto probleme brenda dy republikave, qoftë edhe në kuadër të dialogut të Brukselit, edhe të sovranizohen dhe të avancohet drejt sovranizimit të Republikës së Kosovës dhe njohjes dhe tek pastaj të shihet se a duhet të flitet për këto tema a po jo”, ka thënë Kamberi.

Përfaqësuesit e komunave në Luginën e Preshevës, kanë thënë se vullneti i tyre politik është që t’i bashkohen Kosovës dhe rikujtojnë se këtë vullnet e kishin shprehur edhe përmes referendumit të mbajtur në vitin 1992.

Në atë referendum, të cilin autoritetet serbe nuk e njohin, rreth 97 për qind e votuesve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të shpërndarë në 71 vendbanime, ishin deklaruar për “autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur të enjten në…