Lumezi takon drejtuesit e rendit dhe ligjit pas vrasjes së dyfishtë në Gjakovë

09 gusht 2018 | 17:12

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur të enjten në takim ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, atë të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi dhe drejtorin e Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj, për të diskutuar rreth ngjarjes tragjike, e cila ka ndodhur para dy ditësh në Gjakovë, ku janë privuar nga jeta një nënë dhe vajza e saj.

Në këtë takim, drejtuesit e institucioneve të rendit dhe ligjit, kanë shprehur shqetësimet e tyre të thella për ngjarjen dhe janë zotuar për të bërë një hetim të plotë për rrjedhën e trajtimit të këtij rasti nga organet e rendit.

Po ashtu gjatë këtij takimi, palët kanë shprehur gatishmërinë e plotë që në rast të evidentimit të neglizhencës eventuale nga secili person zyrtar i ngarkuar për të parandaluar rrethanat e kësaj ngjarjeje, do të kërkohet llogaridhënie dhe personat zyrtar përgjegjës do të dalin para përgjegjësisë.

“Institucionet e rendit dhe ligjit, vlerësojnë se ky akt tragjik është momenti i fundit i reflektimit për një trajtim shumë serioz të politikës shtetërore, e cila është në funksion të mbrojtjes dhe sigurisë së jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovë nga çdo cenim i mundshëm. Krerët e institucioneve të rendit dhe ligjit inkurajojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe institucionet, të cilat kanë përgjegjësi në këtë fushë për të bashkëpunuar ngushtësisht në parandalimin efikas të çdo cenimi të jetës që mund t’iu kanoset qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, është thënë në njoftimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Sipas kësaj komunikate, Lumezi ka thënë se zbatimi i ligjit dhe përkujdesja nga ana e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit do të japin shërbime më efikase.

Kryeprokurori Lumezi, ministrat Tahiri e Gashi dhe drejtori Qalaj, kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për të siguruar një shtet ligjor dhe rend efektiv të sigurisë, i cili është në funksion të plotë të mbrojtjes së jetës, lirisë, pronës dhe të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor…