Luiza Gega, ministres Kushi: Rishiko buxhetin!

16 shkurt 2023 | 16:41

Mungesa e transparencës, vonesat në lëvrimin e fondeve, ulja e buxhetit për sportin dhe ndarja sipas një sistemi pikëzimi, ka sjellë debate dhe pakënaqësi mes federatave dhe vetë protagonistëve.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur një fond prej 1 miliard e 494 milionë lekësh të vjetër për 17 federatat e shumësportëshit në Shqipëri për vitin 2023, një shumë kjo më e ulët në raport me një vit më parë, 1.8 miliard, i shpërndarë në dy këste. Jo vetëm buxheti i reduktuar, mënyra e shpërndarjes gjithashtu është jashtë logjike.

Federata e Mundjes, e cila është e vetmja Federatë që ka sjellë një medalje të artë në Botëror, merr 121 milionë lekë të vjetër në vit, disa milionë më shumë se Federata e Taekuondosë e cila përfiton 111 milionë lekë nga ky buxhet, ndërsa dy vjet më parë përfitonte vetëm 50 milionë.

Rritje të madhe ka pësuar edhe Federata e Çiklizmit, me 133 milionë lekë, federata e katërt më e paguar. Një rënie ka pësuar edhe Federata e Atletikës, e cila për vitin 2023 do të përfitojë 100 milionë lekë. Kjo ulje në buxhet nuk është pritur mirë nga kampionia e Evropës, Luiza Gega, e cila ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Sinqerisht, kam vërtet përshtypjen që ministrja Evis Kushi s’ka dijeni për këtë logjikën e ndarjes së këtij buxheti. Shpresoj që ta shikojë sa më shpejt. Personalisht si sportiste elitare nuk kam ndonjë interes sado që të jetë buxheti i Federatës, por duke qenë se ai ndahet nga performanca që kanë pasur sportistët vitin e kaluar, ndihem e ofenduar që Federatës sime, në vend se t’i ngrihej buxheti, përkundrazi, u është ulur edhe disa federatave të tjera”, shkruan Luiza Gega.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mehmet Kraja, nuk është shkarkuar nga detyra e Kryetarit të…