Lula i Brazilit rikthehet në pushtet

31 tetor 2022 | 08:27

Ish-presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka fituar një mandat të ri në pushtet, pas garës së ngushtë në zgjedhjet presidenciale ndaj presidentit aktual, Jair Bolsonaro.

Da Silva ka fituar 50.9 për qind të votave, në krahasim me Bolsonaron, i cili ka fituar 49.1 për qind të votave, sipas Komisionit Zgjedhor.

Edhe disa orë pas publikimit të rezultateve dhe reagimeve të liderëve botërorë, Bolsonaro ende nuk e ka pranuar humbjen.

Përgjatë fushatës, Bolsonaro ka bërë pretendime të vazhdueshme – të pabazuara – për manipulime të mundshme zgjedhore.

Kështu, ai ka rritur shqetësimet se, në rast të humbjes do të mund të tentojë të sfidojë rezultatin.

Për da Silvan, kjo fitore përbën kthim të fuqishëm.

Burgosja e tij për korrupsion i ka pamundësuar kandidimin në zgjedhjet e vitit 2018, që i ka fituar Bolsonaro.

Përgjatë mandatit të tij, Bolsonaro ka promovuar vlera shoqërore konservative dhe shpesh ka testuar institucionet demokratike.

“Sot, fituesi i vetëm është populli brazilian”, ka thënë da Silva të dielën.

“Është fitore e lëvizjes demokratike që është formuar përtej partive politike, interesave personale apo ideologjive”.

Da Sivla është zotuar se do të qeverisë përtej partisë së tij.

Ai ka thënë se dëshiron të përfshijë në qeveri politikanët e qendrës dhe disa të krahut të djathtë, ashtu që të kthejë atmosferën e viteve 2003-2010 sa ka qenë në pushtet.

Në këto zgjedhjeve është shënuar rezultati më i ngushtë zgjedhor, prej kthimit të Brazilit në demokraci më 1985.

Kjo, po ashtu, është hera e parë që një president në pushtet nuk ka arritur të rizgjidhet. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Kemi siguruar tri ngarkesa me lloje të ndryshme të drurëve…