Lumezi takohet me zëvendësministrin e Drejtësisë së Turqisë
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim një delegacion të Ministrisë së Drejtësisë të Turqisë të kryesuar nga zëvendësministri i kësaj ministre, Bilal Uçar.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ambasadorja e këtij vendi në Kosovë, Kivilcim Kiliç.
Lumezi ka falënderuar zëvendësministrin Uçar për ndihmën që shtetit turk në vazhdimësi është duke dhënë për sistemin prokurorial të Kosovës.
Ai ka vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm të dy vendeve në fushën e sistemit prokurorial dhe ka shprehur gatishmërinë e thellimit të këtij bashkëpunimi.
Lumezi ka thënë se ngritja e bashkëpunimit në fushën juridike ndërkombëtare, do të jetë e dobishme për dy vendet në luftën e përbashkët të dukurive kundërligjore të nivelit vendor, rajonal dhe më gjerë.
Ndërsa zëvendësministri turk, Bilal Uçar, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes për sistemin prokurorial të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe në fusha tjera që mund të paraqiten si të nevojshme.