LV-ja duhet ta ndërtojë konsensusin për presidentin

17 mars 11:22

Analisti politik Ilir Ibrahimi ka bërë me dije se për zgjedhjen e presidentit të ri të gjitha partitë  politike duhet të bëjnë kompromise. Ai ka deklaruar se Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit i takon të ndërtojë këtë konsensus politik.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se subjektet politike duhet të heqin dorë nga praktika e kaluar e bllokimit për çështje nacionale. “LV-ja duhet të jetë subjekti që duhet ta ndërtojë konsensusin e duhur dhe të nevojshëm për t’i formuar institucionet bazuar në mandatin e marrë nga votuesi. Edhe partitë e tjera kanë përgjegjësitë tyre për arritjen e konsensusit të nevojshëm. Duhet të ketë një frymë kompromisi të të gjithëve. Nëse vazhdohet me qëndrimin ‘ja si them unë, e askush tjetër’ kam frikë se do të vazhdohet me përvojën e së kaluarës e cila është karakterizuar vetëm nga bllokimi dhe asnjëherë nga kompromisi”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka treguar se mosarritja e një marrëveshje politike në mes të partive politike për çështjen e presidentit mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja. “Kjo pa dyshim se është e dëmshme për vendin sepse mund të na çojë sërish në zgjedhje. Në kohën kur vendi ka nevojë për një qeveri me mandat të plotë për t’u përballur me sfidat që kemi përpara, nuk e kemi luksin të vazhdojmë të qeverisemi nga një qeveri kujdestare e cila nuk e ka as mandatin e as motivin për t’u marrë me këtë situatë”, është shprehur Ibrahimi.

Ai ka vlerësuar se qëndrimet fillestare të opozitës mund të tejkalohen.

“Deklarimet që kemi parë dje, mendoj se janë fillestare të cilat me një qasje proaktive dhe konstruktive mund të tejkalohen. Rolin kyç këtu e ka fituesi i zgjedhjeve”, ka thënë ai. Sipas Ibrahimit, LV-ja i ka numrat e mjaftueshëm për ta formuar qeverinë e re. “Bazuar në rezultatin zgjedhor dhe deklarimet e disa subjekteve të pakicave, koalicioni fitues i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë dhe këtë duhet ta bëjë sa më parë. LV-ja ka marrë një mandat të qartë nga votuesi për të qeverisur dhe kjo duhet të jetësohet pa vonesë. Tanimë kemi parë thirrjen e seancës konstituive dhe do të ishte mirë që në të njëjtën ditë të votohej edhe qeveria”, ka thënë Ibrahimi.

 

“Epoka e re”: Z. Ibrahimi, më 22 mars është thirrur seanca konstitutive e Legjislaturës së VIII e Kuvendit të Kosovës. Besoni se fituesi i zgjedhjeve i ka votat e mjaftueshme që pa ndonjë koalicion ta formojë qeverinë e re?
Ibrahimi: Bazuar në rezultatin zgjedhor dhe deklarimet e disa subjekteve të pakicave, koalicioni fitues i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë dhe këtë duhet ta bëjë sa më parë. LV-ja ka marrë një mandat të qartë nga votuesi për të qeverisur dhe kjo duhet të jetësohet pa vonesë. Tanimë kemi parë thirrjen e seancës konstituive dhe do të ishte mirë që në të njëjtën ditë të votohej edhe qeveria.

“Epoka e re”: Z. Kurti dhe znj. Osmani kanë filluar takime konsultative me subjektet politike për çështjen e presidentit. Sa e vështirë do të jetë për fituesit ta zgjedhin presidentin e ri?
Ibrahimi: Fatkeqësisht, pozita e presidentit në Kosovë vazhdon të shihet si pozitë e cila duhet të dalë si rezultat i marrëveshjeve politike dhe jo si një pozitë konsensuale tej partiake. Nisur nga përvoja e kaluar, kur partitë opozitare kanë bërë gjithçka për të penguar apo pamundësuar zgjedhjen e presidentit, kemi shenja që edhe këtë herë do të mungojë një konsensus. Kjo padyshim se është e dëmshme për vendin sepse mund të na çojë sërish në zgjedhje. Në kohën kur vendi ka nevojë për një qeveri me mandat të plotë për t’u përballur me sfidat që kemi përpara, nuk e kemi luksin të vazhdojmë të qeverisemi nga një qeveri kujdestare e cila nuk e ka as mandatin e as motivin për t’u marrë me këtë situatë.

“Epoka e re”: PDK-ja dhe AAK-ja kanë bërë të qartë qëndrimet e tyre për çështjen e presidentit. Si i keni parë deklarimet e tyre?
Ibrahimi: Deklarimet që kemi parë dje, mendoj se janë deklarime fillestare të cilat me një qasje proaktive dhe konstruktive mund të tejkalohen. Rolin kyç këtu e ka fituesi i zgjedhjeve. LV-ja duhet të jetë subjekti që duhet ta ndërtojë konsensusin e duhur dhe të nevojshëm për t’i formuar institucionet bazuar në mandatin e marrë nga votuesi. Edhe partitë e tjera kanë përgjegjësitë e tyre për arritjen e konsensusit të nevojshëm. Duhet të ketë një frymë kompromisi të të gjithëve. Nëse vazhdohet me qëndrimin “ja si them unë e askush tjetër” kam frikë se do të vazhdohet me përvojën e së kaluarës e cila është karakterizuar vetëm nga bllokimi dhe asnjëherë nga kompromisi.

“Epoka e re”: LDK-ja ende nuk e ka bërë të qartë qëndrimin për këtë çështje. Cili mendoni se duhet të jetë pozicioni i kësaj partie në raport me kandidaturën e znj. Osamni për presidente?
Ibrahimi: LDK-ja tanimë ka një lidership të ri të cilit i duhet dhënë kohë për t’u konsoliduar. Unë pres si nga LDK-ja, ashtu edhe partitë e tjera, të ndërtojnë një gjuhë dhe qasje konstruktive për çështje që i prekin interesat e vendit. Sot nuk është interes i vendit që të shkohet në zgjedhje. Nëse të gjithë pajtohen me këtë, dhe nëse përmes një bashkëbisedimi konstruktiv arrijnë të ndërtojnë një platformë për arritjen e kompromiseve të nevojshme, atëherë mendoj se edhe zgjedhja e presidentit, por edhe çështje të tjera mund të arrijnë pajtimin e nevojshëm. E ritheksoj edhe një herë, në demokraci të gjithë duhet të jenë të gatshëm për kompromis në favor të interesit madhor.

“Epoka e re”: Deri më tani fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit nuk janë deklaruar qartë rreth hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Pse mendoni se po ndodh kjo?
Ibrahimi: Politika e jashtme asnjëherë nuk do të duhej të bëhej pjesë e luftës së brendshme politike. Fatkeqësisht, edhe në këtë pikë klasa politike ka dështuar dhe vazhdon ta tregojë papjekurinë edhe këto ditë. Njohja nga Izraeli është e një rëndësie të lartë për vendin dhe nuk do të duhej të vihej as në diskutim e as në debatim. Tanimë Kosova e ka ambasadën e vet në Jerusalem dhe ajo quhet Ambasada e Kosovës dhe jo e ndonjë subjekti të caktuar politik, prandaj ajo duhet të përshëndetet dhe përkrahet nga të gjithë. Deklarimet e pamatura të cilat mund të sjellin disa “likes” në “Facebook” nuk duhet të jenë motiv i deklarimeve institucionale sepse pasojat e tyre i bart shteti dhe jo individi. Duhet të mësohemi një herë e përgjithmonë që për çështje të interesit nacional, të mos bëhet politikë partiake sepse në atë betejë nuk ka fitues sepse kur humb Kosova, humbin të gjithë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Legalizimi i ndërtimeve pa leje pritet të sjellë përfitime për…