LV-ja në Prishtinë kritikon Ramën për tenderin e 12 milionë eurove

11 gusht 2022 | 12:00

Lëvizja Vetëvendosje (LV) në Prishtinë në një konferencë për media ka kritikuar kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, në lidhje me tenderin prej 12 milionë eurove për “Konsulencë për themelimin e shërbimit të arkitektit të kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.

Asamblistët e kësaj lëvizje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kanë thënë se kjo kontratë është e dyshimtë, pasi është fushë e njëjtë profesionale me atë të kryetarit Rama.

Asamblistja Triera Kasumi-Berisha, ka thënë se kryeqyteti ka një listë të gjatë problemesh kronike, por sipas saj është dhënë tenderi milionësh që është sa 13 për qind e buxhetit vjetor të komunës.

“Banorët e këtij qyteti i cili karakterizohet me më së shumti qenë endacakë në rajon, qyteti i cili është mbuluar me mbeturina, ka mungesë të ujit të pijshëm në disa lagje e fshatra, mungesë të ndriçimit publik, mungesë të rrugëve e cilësi të dobët të asfaltit, uzurpim të hapësirave publike e një listë të gjatë me probleme kronike, më emergjente e kanë themelimin e një shërbimi të arkitekti të kryeqytetit i cili Prishtinës i kushton sa 13 për qind e buxhetit të përgjithshëm vjetor”, ka thënë Kasumi-Berisha

Ndërsa Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të LV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë se kryetari Rama nuk as ka vullnet e as vizion për t’i zgjidhur problemet e kryeqytetit.

“Janë bërë tetë muaj prej që Përparim Rama e ka marrë pushtetin. Sot, Prishtina është në gjendje më të keqe se para tetë muajve. Janë probleme reale, elementare, të thjeshta, të cilat zgjidhen lehtë, mjafton vetëm vullnet dhe vizion. Disa probleme janë të trashëguara, disa kanë ardhur bashkë me Përparimin. Po ka shumë marketing, shumë kamuflime e punë konkrete hiç. Është shqetësues fakti se kryetari Rama ka filluar të ndihet rehat në këtë parehati të qytetarëve”, ka thënë Sveçla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimi i vezëve në Kosovë nuk ka të ndalur. Rreth…