LV-ja ngreh piramidë për pagat dhe shpenzimet e qeverisë

07 prill 16:53

Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar një aktivitet simbolik përpara ndërtesës së Qeverisë, përmes së cilit ka shprehur pakënaqësitë lidhur me rritjen e pagave.

Aktivistë të LV-së kanë vendosur para ndërtesës së Qeverisë një piramidë në të cilën kanë renditur shpenzimet e Qeverisë Haradinaj.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Haliti ka deklaruar  se në kohën kur papunësia në Kosovë është rritur 17 përqind, kryeministri ia ka rritur rrogën vetes për 100 përqind.

“Qeveria e Kryeministrit Haradinaj vetëm për paga merr nga buxheti i varfër i Republikës 4 milionë 374 mijë euro. Në kohën kur në Kosovë rritet gjithnjë e më shumë varfëria, Kryeministri ia rriti vetës dhe kabinietit të tij pagën deri në 100%”, ka thënë Egzon Haliti.

Ai gjithashtu shtoi edhe numrin e madh të kabinetit qeveritar që numëron hiq më pak se 5 zv.kryeministra, 21 ministra, 82 zv.ministra e më shumë, 120 këshilltarë e mbi 400 asistentë, shoferë e trupëroje.

“Një Qeveri me mendësi të tillë, me komoditetin e jetën luksoze, natyrshëm nuk mund të mendojë për qytetarin e varfër, të pastrehë, të papunë e pa asnjë perspektivë. Në vend të mirëqenies, kjo Qeveri, gjithnjë i gënjen qytetarët për liberalizim vizash pikërisht për të ikur nga mjerimi më të cilin përballen”.

“Kosovës, vendit tonë, i duhet një Qeveri që i minimalizon shpenzimet e veta për t’i shpërndarë ato para ne vend të duhur. Para fokusimit në shpenzime enorme për dreka e darka zyrtare na duhet fokusimi te sofrat e varfra për të siguruar ushqimin e domosdoshëm e minimumin jetik. E kjo Qeveri nuk e ka këtë as synim, as vullnet e as nuk shqetësohet për këtë”, shtoi Haliti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raikkonen është sërish më i shpejti në Provat e Lira…