LV-ja përgatitet për zgjedhje, demonstron mënyrën e votimit në pandemi

24 maj 2020 | 21:19

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendimin final rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi për emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re që është propozuar nga LDK-ja, por Lëvizja Vetëvendosje, e cila dërgoi dekretin në Kushtetuese, tashmë ka dalë me idenë se si duhet votuar gjatë kohës kur vendi përballet me pandeminë Covid-19.

“Si të votohet në kushtet e pandemisë? Votimi në një kohë pandemie nuk ndryshon edhe aq prej atij pa të. Përveç kujdesit të shtuar, gjithçka tjetër është e ngjashme. Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të frymëzuar nga forma e organizimit të zgjedhjeve në Korenë e Jugut, të mbajtura me 15 prill 2020, kanë inskenuar një proces të ngjashëm zgjedhor”, është bërë me dije në njoftimin e LV-së.

Postimi i plotë i LV-së:

Si të votohet në kushtet e pandemisë?

Votimi në një kohë pandemie nuk ndryshon edhe aq prej atij pa të. Përveç kujdesit të shtuar, gjithçka tjetër është e ngjashme.
Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të frymëzuar nga forma e organizimit të zgjedhjeve në Korenë e Jugut, të mbajtura me 15 prill 2020, kanë inskenuar një proces të ngjashëm zgjedhor.
Hapat janë shumë të thjeshtë se si do të duhet të votohet, madje janë vetëm dy të tillë:
1. Votuesit duhet të kenë maska dhe të qëndrojnë 1.5 metra larg njëri-tjetrit gjatë kohës së pritjes në radhë,
2. Votuesve do të u matet temperatura në hyrje të klasës:
2.1. Nëse temperaturën e ka deri në 37.5 gradë celsius, votuesi mund të votoj në atë klasë me procedura sikur nga e kaluara vetëm me disa masa shtesë të sigurisë,
2.2. Nëse temperaturën e ka më shumë se 37.5 gradë celsius, atëherë votuesi do të ndahet në një klasë tjetër ku i gjithë stafi i KQZ-së do të jetë i pajisur me veshje kundër pandemisë COVID-19. Pas votimit ai/ajo shoqërohet për t’i bërë analizat.
Këtu e 28 vite më parë po mbaheshin zgjedhjet e para në Kosovën e okupuar. Ndonëse nën shtetrrethim nga Serbia e pa institucione, populli i Kosovës arriti t’i organizoj zgjedhjet e para në vend. Tani mundësitë janë edhe më të mëdha dhe se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se…