LV-ja: Shpend Ahmeti po bën pazare me PDK-në

08 gusht 2018 | 14:18

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Leonora Bajraktari, Eman Rrahmani dhe Besnik Mujeci, në një konferencë për medie, kanë akuzuar kryetarin Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti se po bën pazare me PDK-në.

Sipas tyre, pas tradhtisë dhe shtrembërimit të vullnetit të 42 mijë qytetarëve që e kanë votuar, kryetari i Prishtinës është duke bashkëpunuar me uzurpatorët vetëm për ta luftuar Vetëvendosjen.

“Kuvendi Komunal i Prishtinës është thirrur pas dy muajve neglizhence nga ana e Kryetarit të Prishtinës dhe Kryesuesit te Kuvendit, me datë 6 dhe 7 gusht të këtij viti. Ata sollën të miratohet një rend i ditës ku do te miratohet raporti financiar i gjashtë mujorit te fundit dhe bartjen e mjeteve te vitit 2017 ne vitin 2018. Por, Komuna e Prishtinës i ka kaluar te gjitha afatet për të miratuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2018-2020, sikurse obligohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale”, është thënë në komunikatën për medie të Lëvizjes Vetëvendosje.

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar sqarim nga kryetari për këto vonesa nga ekzekutivi.

“Kryetari kishte fituar një arrogancë si kurrë më parë, e kërcënoi asamblistin e LVV duke i thënë ‘mshele gojën, mshele po te thom’. Duke u bërë bashkë me PDK-në, kryetari i Komunës inauguroi zaptimin e Komunës tonë. Ky zaptim bëhet i mundshëm duke e larguar Vetëvendosjen. Andaj edhe e shkarkuan asamblistin Egzon Azemi nga aksionari i NPB-së. Për këtë iu deshën votat e PDK-së. Kjo parti zaptuese e shtetit bashkëveproi në mbledhjen e djeshme me Shpend Ahmetin në mbledhjen e shtatë të Kuvendit për ta luftuar Lëvizjen Vetëvendosje. Fillimisht ia bëri kuorumin, më pas ia mundësoi votimin kundër Lëvizjes si dhe e ndihmoi për emërimet nga PSD e AAK që Shpend Ahmeti i kërkoi”, është theksuar më tutje në komunikatë.

Sipas tyre, asamblisti i LV-së, Egzon Azemi nuk kishte bërë ndonjë shkelje ligjore që të shkarkohet nga posti i aksionarit me votat e PSD-së dhe PDK-së.

“Ai ishte pengesë sepse raportonte në publik shkeljet që i bënin grupi i PSD-së. Kjo e tregon me së miri se qëllimi i tyre është të pasurohen, por jo të punojnë në të mirë të qytetarëve të Prishtinës”, është thënë në vazhdimin e komunikatës së LV-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencitë për ndihma të Kombeve të Bashkuara i kanë bërë…