Macron: Dua humbjen e Rusisë, por jo shkatërrimin e saj

19 shkurt 2023 | 08:06

Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh se dëshiron humbjen e Rusisë ndaj Ukrainës, por jo kolapsin e saj.

Ai i paralajmëroi ata që “duan ta shtypin Rusinë”, se ky nuk do të jetë kurrë qëndrimi i vendit të tij.

“Unë dua humbjen e Rusisë në Ukrainë dhe dua që Ukraina të jetë në gjendje të mbrohet, por jam i bindur se, në fund, kjo nuk do të bëhet me mjete ushtarake”, tha Macron në një intervistë për mediet franceze.

“Unë nuk besoj, siç bëjnë disa, që ne duhet ta shkatërrojmë plotësisht Rusinë, ta sulmojmë atë në tokën e saj. Këta vëzhgues duan mbi të gjitha ta shtypin Rusinë. Ky nuk ishte dhe nuk do të jetë kurrë qëndrimi i Francës”, shtoi ai.

“Vëzhguesit” duket se janë, për presidentin francez, ata që, kryesisht në Evropën Lindore, kritikuan ashpër, në maj 2022, deklaratën e tij se Rusia duhet “poshtëruar”.

Në të njëjtën intervistë që dha të premten mbrëma në avionin që e çoi në Munih, Macroni përsëriti se pëlqen një zgjidhje të negociuar.

“Ajo që nevojitet sot është që Ukraina të nisë një ofensivë ushtarake që do të ndajë frontin rus për të realizuar një rikthim në negociata”, tha ai për mediet franceze.

Macroni argumentoi, gjithashtu, se “asnjë nga të dyja palët nuk mund të mbizotërojë as Ukraina, as Rusia, sepse rezultatet e mobilizimit nuk janë aq të rëndësishme sa parashikuan dhe Rusia ka mundësi të kufizuara”.

Emmanuel Macron tha se “të gjitha opsionet e tjera përveç Vladimir Putinit në sistemin aktual” i dukeshin “më keq” se presidenti rus, duke aluduar për kreun e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev dhe themeluesin mercenar të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.

“A besojmë vërtet se një zgjidhje demokratike do të dalë nga shoqëria civile ruse pas viteve të mizorisë dhe në mes të luftës? Shpresoj sinqerisht, por nuk besoj”, përfundoi ai. /KP/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës KShPK ka njoftuar…