Majlinda Bregu merr detyrën e sekretares së përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal

04 janar 2019 | 11:02

Majlinda Bregu ka marrë sot detyrën e sekretares së përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (KBR), pas emërimit të saj nga Ministrat e Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Brdo pri Kranju, Slloveni më 23 prill 2018.

Bregu është një politikane shqiptare me përvojë të gjatë dhe me besim të palëkundur në projektin e Bashkimit Evropian.

Majlinda Bregu zëvendëson në këtë post Goran Svilanoviq, i cili e mbajti këtë detyrë për dy mandate të njëpasnjëshme (2013-2018).

“Përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë kemi një interes të përbashkët. Jean Monnet ishte i bindur se ‘kombet evropiane duhet të bashkohen për të mbijetuar’. E njëjta gjë vlen edhe për Ballkanin Perëndimor. Për të ruajtur peshën në një botë që po ndryshon shpejt, duhet të forcojmë marrëdhëniet tona. Bashkëpunimi, është kryefjala! Jam e nderuar të marr detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Në një zonë ku për vite gjatë,  sfida ka qenë mbajtja gjallë e konfliktit. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka ndihmuar për fuqizimin e një realiteti të ri: atë të angazhimit të përbashkët për të ardhmen evropiane të rajonit. Mbështetja për reformat në Evropën Juglindore ka qenë dhe do të vijojë të jetë bërthama e përpjekjeve të KBR. Jam e bindur se së bashku, nën drejtimin politik të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian, duke përfshirë median, shoqërinë civile, së bashku do të përpiqemi të bëjmë zgjedhje të mençura, që nxisin e mbështesin dialogun me të gjitha grupet në shoqëri. Nuk do të jetë e lehtë, e di. Do të jetë një sfidë “të notosh” në mes të situatave të vështira ekonomike, shoqërore dhe politike”, ka thënë Bregu, raporton “Epoka e re”.

Ajo ka shtuar se është fakt që e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtësisht me zhvillimin e përbashkët.

“Ndërlidhja! Integrimi i ekonomive tona në një treg të vetëm, lidhja e njerëzve dhe bashkëjetesa e vlerave; investimi në kapitalin njerëzor dhe intelektual. Çdo reformë lidhet me interesin tonë të përbashkët politik, atë të sigurisë dhe dukshëm me atë ekonomik. Nuk është rastësore që nevoja për Evropë në rajon është kaq e fuqishme. E bindur që ritmi i zhvillimit rajonal do të ndikojë në ritmin e integrimit tonë evropian, për mua është një privilegj shumë i madh që do të drejtoj KBR (RCC), po aq sa është një sfidë të cilën bashkë më stafin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, shpresoj ta përballoj faqebardhë”, ka deklaruar Majlinda Bregu.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fjalët se Toni Braxton dhe i fejuari i saj Bryan…