Malli pa dokumentacion, majori Rama thotë se ATK-ja do ta ketë përkrahjen e policisë

21 shtator 2022 | 15:43

Me qëllim të koordinimit të aktiviteteve në fushën e trajtimit të mallit pa dokumentacion, si dhe mungesës në stoqe, sot ekipi i cili menaxhon me këtë projekt ka mbajtur takim me palët e interesit.

Në këtë takim Nahit Sharku, zëvendësues i drejtorit të Departamentit për Programe dhe Procedura foli për përmirësimin e përmbushjen tatimore në sektorin e tregtisë me shumicë, duke përfshirë të gjithë faktorët që ndikojnë dhe ndikohen nga ky sektor në mënyrë më të fokusuar dhe më të koordinuar.

Po ashtu, palët e interesit u njoftuan edhe për grupet e synuara për trajtim përmes këtij projekti, si ajo e industrisë së tekstilit, tregtia me shumicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, tregtia me shumicë e artikujve shtëpiakë, tregtia tjetër me shumicë e specializuar, tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara, tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara, tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara, dhe të tjera.

E nga ana tjetër, Valbona Ymeri, udhëheqëse e Sektorit të Hetuesisë nga Dogana e Kosovës tha se si çdoherë jemi të gatshëm t’i bashkërendojmë aktivitetet, pasi që dukuria e kontrabandës është edhe prioritet i institucionit të Doganës.

Majori Blerim Rama, drejtori i Operativës nga Policia Kufitare e Kosovës, ka përgëzuar ATK-në për projektin, duke shtuar se nga ana e policisë si çdoherë do të ofrohet mbështetja dhe asistimi në çdo aksion.

Nexhmije Krasniqi nga Departamenti Ligjor i OEK-ut, ka thënë se çdo nismë e ATK-së do të gjejë përkrahjen e organizatës tonë, pasi që vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të kemi barazi në të bërit biznes.

Në fund të këtij takimi u tha se ekziston ende një numër i konsiderueshëm i tatimpaguesve, të cilët kanë problemin e mallit pa dokumentacion si rezultat i blerjeve pa fatura, po ashtu shitje të pa deklaruara.

Bazuar në të dhënat e përmbushjes gjatë vitit 2021, shihet se dukuria e mallit pa dokumentacion renditet si ndër dukuritë me nivel të lartë të riskut dhe janë identifikuar si aktivitete më me risk.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të…