Manovra “Steadfast Defender”, më e madhja ndër dekada

22 janar 2024 | 08:23

Për stërvitjen “Steadfast Defender” aleanca ushtarake perëndimore NATO do të aktivizojë rreth 90.000 forca. Gjermania luan aty një rol të rëndësishëm.

Qëllimi i deklaruar i stërvitjes së NATO-s “Steadfast Defender” – që do të thotë “mbrojtje solide” – është demonstrimi i forcës ndaj Rusisë. Aleatët perëndimorë duan që përmes manovrës të shtrirë në kohë për katër muaj në krahun lindor të NATO-s të tregojnë, se janë në gjendje që të reagojnë shpejt dhe fuqishëm. Sipas të dhënave të fundit të aleancës për këtë nga shkurti do të aktivizohen gjithsej mbi 90.000 forca. Deri tani bëhej fjalë për rreth 40.000 pjesëmarrës.

Sipas kryekomandantit të forcave të NATO-s në Europë, Christopher Cavoli, kjo është stërvitja më e madhe e aleancës mbrojtëse që prej dekadash. Gjatë kësaj manovre do të bëhet stërvitje kryesisht për alarmin dhe zhvendosjen e trupave kombëtare dhe multinacionale.

Sinjal i qartë ndaj Rusisë

“Ne po përgatitemi për një konflikt me Rusinë dhe grupet terroriste”, tha kryetari i komisionit ushtarak të NATO-s, admirali holandez Rob Bauer, pas konsultimeve dyditore në kuartierin qendror të NATO-s në Bruksel. “Nëse ata na sulmojnë ne, ne duhet të jemi të gatshëm.”

Në një rast të tillë do të vihej në veprim neni 5 i Traktatit të NATO-s i ashtuquajturi neni për rastin e solidaritetit në aleancë. Ky nen rregullon detyrimet për mbështetje në aleancë ndaj vendeve aleate dhe përcakton, se një sulm i armatosur ndaj një ose disa vendeve anëtare të NATO-s konsiderohet si sulm që drejtohet ndaj të gjithë aleancës. Deklarimi për këtë stërvitje vjen katër javë përpara dy vjetorit të invazionit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

Rol i rëndësishëm për ushtrinë gjermane, Bundeswehr

Në stërvitjen ushtarake marrin pjesë të 31 vendet anëtare dhe Suedia si vend kandidat për antarësim. Hapësira e stërvitjes së koduar “Steadfast Defender” shtrihet nga Norvegjia deri në Rumani. Një kontribut të rëndësishëm në të do të japë ushtria gjermane, Bundeswehr. Ndër të tjera ajo do të marrë pjesë me një manovër të gjerë në katër etapa të emërtuar “Quadriga 2024”.

Gjatë manovrës deri në fund të majit mbi 12.000 ushtarë do të aftësohen për zhvendosje të shpejtë të forcave të NATO-s në krahun lindor. Nga mesi i majit p.sh. do të zhvendoset divizioni i 10-të i tankeve dhe me rrugë të ndryshme ushtarët me automjete ushtarake do të zhvendosen për në Lituani, ku përmes simulimit do të aftësojnë kapacitet vepruese në luftim. Lituania si vend anëtar i NATO-s për shkak të pozitës gjeografike ndihet e kërcënuar prej Rusisë.

Manovra më e madhe e NATO-s prej dekadash

Deri tani stërvitja më voluminoze e NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë është organizuar më 2018 në Norvegji. Në “Trident Juncture” morën pjesë rreth 51.000 ushtarë. Manovrat e NATO-s më të mëdha se stërvitja aktuale e planifikuar deri tani janë zhvilluar përpara shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Atëherë ndër të tjera zhvillohej seria e manovrave “Return of Forces to Germany” (kthim i forcave në Gjermani). Në të në vitin 1988 kanë marrë pjesë rreth 125.000 ushtarë./dw

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, e hënë, parashikohet të mbajë mot me diell dhe…