Marrëveshja e Prespës, Ramizi dhe uji “Rosa” dhe pezullimi i taksës!

29 janar 2019 | 11:07

Behxhet  Sh. SHALA – BAJGORA

 Marrëveshja e Prespës: Shqiptarët e ish-FYROM-it, tash Maqedonia e Veriut, kurrë nuk e kanë pasur një mundësi më të madhe se para votimit të Marrëveshjes së Prespës që t’i realizojnë të drejtat e munguara padrejtësisht dhe të cilat nuk i fituan as me luftën e armatosur. Këtë të drejtë dhe mundësi jo që nuk e realizuan, por e shpërdorën shkaku i një klase politike të ashtëzuar, të burokratizuar, të fosilizuar dhe përmbajtësisht të korruptuar; materialisht, politikisht dhe kombëtarisht! Me Marrëveshjen e Prespës shqiptarët  e hëngrën karremin dhe efektet përfituese ishin dhe janë të natyrës kozmetike. Posti i kryetarit të Kuvendit ishte më herët dhe si shpërblim për rrëzimin e Gruevskit sikur edhe disa ministri, gjithashtu. Shqiptarët janë të përjashtuar nga pikat më të ndjeshme të pushtetit sikur që janë ato informative dhe kundër informative ndërsa, ato poste që i kanë, në çdo kohë mund të bllokohen nga shumica në pushtet politikanët maqedonas, dhe sidomos nëse nesër vjen në pushtet VMRO-ja apo ndonjë parti radikale maqedonase.

Para votimit të Marrëveshjes së Prespës, shqiptarët e patën topin në pikën e 11-shës, me portën thuaja pa portier maqedonas dhe pikërisht kur u desh të shënonin, jo që nuk shënuan në golin e kundërshtarit, por shënuan autogol! Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, deri në votimin e Marrëveshjes së Prespës, ishin kartë e fuqishme e Kosovës për shkak të potencialit destabilizues në rajon, në të gjitha negociatat, për faktin se rezultati i shumë negociatave në Ballkan përcaktohet nga kapaciteti destabilizues sipas parimit se kush destabilizon, mund edhe të stabilizojë. Shqiptarët në Ballkan janë të pashembullt sa i përket sakrificës së bërë e që nuk e ka bërë asnjë popull në Ballkan, por janë humbës kur politikisht duhet ta mbrojnë dhe materializojnë këtë sakrificë.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës u shërbyen ndërkombëtarëve deri në momentin kur u rrëzua Millosheviqi dhe u dërgua në Burgun Sheveningen të Hagës. Pas kësaj u hoq Zona e Sigurisë prej pesë kilometrave dhe filloi dhuna e aparatit shtetëror serbë ndaj tyre e që vazhdon deri më sot. Asgjë nuk përfituan përveç intensifikimit të shpërnguljes, mohimit të të drejtës për dokumentacion identifikues dhe tjetër dhe futja në lista për arrestim për shkak të pjesëmarrjes në luftë.

Shqiptarët e Malit të Zi, me votat e tyre përcaktuan fatin e referendumit për ndarjen e Malit të Zi nga Jugosllavia e Zhablakut, me premtime se të drejtat e tyre do të rregullohen me “ligje demokratike” kurse sot ndiqen dhe dënohen për shkak të përdorimit të flamurit kombëtar! Shqiptarët e Malit të Zi janë keqpërdorur nga pushteti malazias i cili, sot, nuk dallon fare nga ai i mëparshmi.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kontribuuan ta rrëzojnë Gruevskin ndonëse BDI ishte e gatshme ta nënshkruaj një marrëveshje të re me Gruevskin dhe vetëm ndërkombëtarët, pak para nënshkrimit të marrëveshjes e penguan këtë për t’i hapur rrugë Zaevit që nuk bëri ndonjë punë të madhe për shqiptarët përveçse vazhdon t’i përdorë ata politikisht, çdo herë kur ka nevojë. Marrëveshja e Prespës ishte i fundit dhe shembull konkret i papjekurisë politike të klasës së korruptuar shqiptare në Maqedoni të Hamamit të Hyrës, Veriore apo çfarëdo qoftë ajo! Për shqiptarët e Maqedonisë, më me rëndësi ka qenë Kosova se vet Shqipëria për shkak se për shumë gjëra e kanë pasur fatin e njëjtë. Tash, në rrethanat  e krijuara, me hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO, roli dhe rëndësia e shqiptarëve të Maqedonisë së  Veriut vetëm sa do të relativizohet dhe, herët a vonë do ta pësojnë fatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre në Mal të Zi.

Madje, për shkak të ndikimit të madh të fesë, në dëm të interesave kombëtare, shqiptarët në Maqedoni e kanë më të lehtë procesin e dekompozimit politik dhe kombëtar. Kësaj i ndihmon shumë edhe largimi i tyre nga Maqedonia për shkak të papunësisë dhe mungesës së programeve zhvillimore e që janë të drejtuara kryesisht në rajonet e populluara me shumicën maqedonase. Nuk vjen shpesh rasti kur mund ta materializoni një mundësi historike siç e patën shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, para votimit për Marrëveshje të Prespës e që aq lehtësisht e lëshuan duke ia dobësuar në këtë mënyrë shumë edhe pozitën negociuese të Kosovës. Kujtojeni Marrëveshjen e Ohrit; kur duhej që ajo të zbatohej, autoritetet maqedonase thoshin se ka humbur origjinali i kësaj marrëveshjeje!!!

Ramizi dhe uji “Rosa”: Ramiz Kelmendi, një tajkun kosovar, nuk ka lënë parti politike pa shkuar dhe pa fituar postin e deputetit, që nga AAK-ja, PDK-ja e deri te LDK-ja. Tash i kanë mbetur ta provojë fatin vetëm te LV-ja e cila, së paku, sipas deklaratave publike e ka anatemuar dhe në Lista Srpska që, deri në këtë çast e ka pezulluar aktivitetin në Qeveri dhe Kuvend të Kosovës ndonëse marrin paga të majme dhe i shfrytëzojnë të gjitha veturat zyrtare e që nuk do të lejonte asnjë shtet normal. Me vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja u rrezikuan disa tajkunë që perandorinë e pasurisë së tyre e kishin ngritur me mallra serbe dhe duke pastruar parat e tajkunëve nga Serbia dhe Bosnja, duke filluar nga Mishkoviqi i Serbisë e deri te Dodigu i Bosnjes që zotërojnë shumë biznese në Kosovë përmes tregtarëve të papërgjegjshëm dhe pandërgjegjshëm kosovarë. Me rritjen 100 për qind të taksës për këto mallra, ranë edhe të hyrat e tajkunëve kosovarë që janë të zhveshur nga çdo skrupull apo ndjenjë e përgjegjësisë kombëtare dhe njerëzore. Fillimisht, për shkak të mungesës së informatave se si do të sillej faktori ndërkombëtar për taksën e sidomos amerikanët, një pjesë e këtyre tajkunëve të ligë u strukën dhe madje e përkrahën taksën me shpresë se kjo taksë do të hiqej shpejt e që nuk ndodhi. Me kalimin e kohës dhe me kërcënimin e hapur të dy burokratëve mashtrues dhe gënjeshtarë që i mashtruan qytetarët e Kosovës për viza; Johanes Han dhe Frederika Mogerini, filluan të ngrenë kokë një pjesë e tajkunëve të Kosovës por, jo aq zëshëm sepse mungonte një qëndrim i prerë amerikan. Kur edhe amerikanët, përkatësisht letrës shantazhuese dhe shumë të dëmshme për Kosovën të presidentit Tramp kërkuan heqjen e kësaj takse, tajkuni Kelmendi doli botërisht kundër kësaj takse, jo se e dëmton Kosovën por se qenka kërkesë e miqve amerikanë! Tash, kur ambasada e ShBA-ve doli me një kërcënim eksplicit për heqjen e taksës duke përmendur pasojat e mundshme, tajkuni Kelmendi, si të ishte vet Pompeo, doli me një kërkesë të prerë se duhet të hiqet kjo taksë.

Kjo ndodhi para dy ose tre ditëve përmes një interviste në njërin nga televizionet e Kosovës. Më bëri përshtypje që ishte ulur në një fotele të përmasave gjigante, mbase në përputhje me peshën trupore e sidomos pasurisë që e ka. Por, më shumë përshtypje më bëri se në tavolinën e punës e kishte një shishe me ujë. Ju lexues të nderuar do të mendoni se ishte shishe me ujë Rugove apo Akulli ose, qoftë të ndonjë brendi tjetër vendor. Po tajkuni Kelmendi është jashtëzakonisht inteligjent, pragmatik dhe praktik; po të kishte ujë të prodhimit vendorë, do të binte në kundërshtim logjikë me kërkesën e heqjes së taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja prandaj, që kjo kërkesë të jetë më bindëse, përveç thirrjes te miqtë amerikanë, mbi tavolinë e kishte një shishe me ujë “Rosa”, ujë nga Serbia e që me të madhe shitet në Kosovë duke dëmtuar prodhuesit vendorë! Kështu, tajkuni Ramiz “Rosa” vetëm po tregon vartësinë patologjike nga mallrat prej Serbisë dhe Bosnjës, fillimisht me ujin “Rosa” e pastaj me të gjitha mallrat që prodhohen në këto dy shtete armiqësisht të disponuara ndaj Kosovës e që në Kosovë eksportojnë mbeturinat e mallrave të tyre e që nuk zënë vend në kontejnerët e mbeturinave në këto dy shtete!

Pezullimi i taksës, shkrirja e borës dhe dallimi midis skllotës dhe të bërit punën m.t: Ka shumë presion për heqjen e taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. Të gjithë janë ngritur në këmbë, nga Vuçiqi, presidenti çetnik i Serbisë, spastruesi i certifikuar në baza etnike, Dodigu i Bosnjës, dyshi mashtrues dhe gënjeshtarë, Johanes Han dhe Frederika Mogerini, Makroni i Francës, Kuraci i Austrisë dhe të tjerë sikur edhe Donald Tramp, presidenti amerikan janë të paluhatshëm në kërkesën për heqjen e taksës. Çdonjëri nga ta po kërcënon me pasoja. Jo për shkak të dëmeve që po i bëhen Serbisë dhe Bosnjës por shkaku se nuk ka vazhdim të bisedimeve për faktin se për vazhdim të bisedimeve të pakushtëzuara deri më tani, Serbia po e kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e taksës. Heqjen e taksës e ka kërkuar edhe presidenti Thaçi duke u thirrur, sikur edhe tajkuni Kelmendi në kërkesën e miqve amerikanë,  “gocat mashkullore” të LDK-së dhe disa analistë kosovarë, krejtësisht të varur nga pavarësia e nënshtrimit dhe injorancës! Madje, presidenti Thaçi, si njeri shumë i lexuar dhe si kontribuues konkret i dy librave bestseller për veten e tij, edhe në këtë rast, duke i dërguar një porosi të qartë kryeministrit Haradinaj për heqjen e taksës, përmes shkrimit letrar, metaforave dhe alegorive, këtë kërkesë e formuloi se “uron që shkrirja e borës të mos e bëjë punën skllotë……”.

Realisht, pas shkrirjes së borës, si në Kosovë, Serbi, Arktik, Siberi, Kanada apo edhe në Amerikë, shkrirja e borës e prodhon skllotën si diçka të pashmangshme. Këtë nuk mund ta demantojë, në aspektin meteorologjik as Sylë Tahirsylaj, me atë pajisjen që e mbanë me vete gjithmonë kur e parashikon motin për 100 vjetët e ardhshëm. Unë nuk kam kapacitet intelektual e sidomos letrar për t’i kuptuar këto porosit letrare që Hashim Thaçi ia dërgoi Ramushit sikur që e bëri në mënyrë shumë spirituoze këshilltari i Ramushit, Halil Matoshi që nuk e zgjodhi rrugën e konfrontimit me Hashimin por ia lëshoi në shpinë një poezi të Dom Ndre Mjedës. E tash le të konfrontohet Hashimi me Ndre Mjedën?! Nëse është ai Mjeda që ka polemizuar me Gjergj Fishtën me një fjalor aspak apostolik atëherë Hashimi do të ndahet i deklasuar fare! Më tha një mik imi; ç’flet marrëzira, po Ndre Mjeda është i vdekur fare dhe moti! Përgjigja ime ishte se edhe Hashim Thaçi është i vdekur politikisht, apo se është në vdekje klinike prandaj edhe debati ka kuptim në mes dy të vdekurve!

Tash po del se taksa 100 për qind për mallra nga Serbia dhe Bosnja po përdoret politikisht nga Vuçiqi dhe Thaçi për vazhdim të bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje hist(e)orike që po përkrahet aq shumë nga ndërkombëtarët hiç këtu Gjermaninë që po e kundërshton lojën me kufij e që aq shumë po e përkrahin BE, presidenti Tramp me këshilltarin për Siguri, z, Bolton dhe të cilën marrëveshje nuk e kundërshton fare as “demokrati” Putin! Kosova, deri më sot nuk e ka kushtëzuar me asgjë dialogun me Serbinë por ka pranuar çdo gjë që ka kërkuar Serbia. Jam i bindur se Trampit, nëse deri atëherë mbijeton qëndrimin në pushtet, nuk i ha aspak palla për kufijtë e Kosovës prandaj edhe po e përkrahë korrigjimin e tyre. Edhe Hashim Thaçi, president fort po i bie këtij kavalli të korrigjimit të kufijve. Realisht, të gjithë ata që flasin për korrigjim të kufijve, thërrasin për luftë, gjak dhe viktima të reja . Është detyrim njerëzorë, politik, kombëtar dhe moral që të kundërshtohet kjo luftënxitje dhe të kërkohet një zgjidhje brenda kufijve ekzistues. Asgjë më shumë! Nëse Serbia paska të drejtë të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën pse atëherë Kosova mos ta ketë këtë të drejtë?! Prandaj, po të isha në vend të kryeministrit Haradinaj, menjëherë do ta hiqja taksën ndaj Serbisë dhe Kosovës kurse vazhdimin e dialogut me Serbinë do ta kushtëzoja me ndriçimin e fatit të personave të pagjetur apo edhe me 100 mijë arsye tjera.

Ose duhet të ketë bisedime të pakushtëzuara ose kushtëzimi duhet të jetë reciprok! Mllefi ndaj kryeministrit Haradinaj nuk është për taksën 100 për qind por pse nuk po kanë mundësi të takohen Thaçi dhe Vuçiq për një marrëveshje historike! Prandaj, nuk janë të rastit presionet që po i bëhen Ramush Haradinaj, duke filluar nga ato ndërkombëtare e deri te tajkuni Kelmendi dhe skllota e borës e poetit të shquar Hashim Thaç Khajami! Nuk janë të rastit as grevat e mirorganizuara ku, përveç 40 mijë veteranëve mashtrues dhe hajdutë, edhe afërsisht 65 mijë nëpunës zyrtarë dhe shërbyes civilë po kërkojnë rritje të pagave! Ramush Haradinaj i ka dy mundësi apo zgjidhje; t’i nënshtrohet ko… mëdhenjve për heqje të pakusht të taksës apo grevistëve që, si duket po dirigjohen nga një qendër politike! Nuk është e rastit që edhe Gjykata Speciale po fton aq shumë dëshmitarë të dyshuar, si t’i ftonte për vaksinim nga gripi sezonal e jo për vepra të rënda penale!

Për mbrojtje të kufijve të brendshëm, sidomos për bashkimin e Mitrovicës të gjitha shpresat i kam te Agim Hasan Prishtina, një politikan i pakompromis  për çështje kombëtare, një moralist i shquar, një stoik modern, dhe një erudit i njohur  Ndërkaq, sa i përket heqjes së taksës 100 për qind kam dëgjuar se Ramushi moti e kishte hequr po të mos ishte babai i taksës dhe kundërshtari më i fuqishëm për heqjen e saj, zëvendëskryeministri i dytë, i pari është Begj Pacolli, Enver Hoxhaj që po kërcënon se në asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë nuk e pezullon taksën madje edhe nëse shkon koka e… Ramushit.

Unë, duke e ditur vendosmërinë për mbajtje të fjalës së dhënë, respektimin e besës tradicionale, të përkushtimit tredimensional, ndjenjës së lartë për sakrificë deri në flijim të të tjerëve, sinqeritetin dhe seriozitetin e zëvendëskryeministrit Hoxhaj, nuk gjasa të hiqet taksa 100 për qind sepse, edhe pa ADN-në, atësia e vendosjes së taksës është e Enver Hoxhaj kurse mëmësia është e Endrit Shalës: Kosova seriozisht po rrezikohet, jo pse shkrirja po e bënë skllotë por pse me korrigjimin e kufijve punën e kanë bërë m.t, Hashimi me kotillën e vet politike, vendore dhe ndërkombëtare. Kur na ka rrezikuar dhe sulmuar Serbia, jemi mobilizuar dhe jemi bashkuar duke u mbrojtur me sakrifica biblike sikur që na kanë përkrahur dhe mbrojtur edhe ndërkombëtarët. Tash, kur po e sulmojmë dhe po e shkatërrojmë veten tonë askush nuk mundet dhe nuk do ta mbrojë nga vetja jonë. Do të isha i lumtur nëse gaboj për këtë parashikim!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Nacional Demokratik (NDI), me eksperten amerikane të fushës së…