![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/07/Jeffrey-M.-Hovenier.jpg)
Marrëveshja me MCC-në, Hovenieri: I lumtur që shoh Kosovën dhe ShBA-në që thellojnë partneritetin
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i është gëzuar marrëveshjes milionëshe të nënshkruar nga Kosova dhe Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit.
Ai ka thënë se kjo marrëveshje e thellon marrëdhënien në mes të Kosovës dhe ShBA-së, derisa ka shtuar se i pret me padurim rezultatet që do të sjellë kjo marrëveshje.
“I lumtur të shoh Kosovën dhe ShBA-në të ndërmarrin këtë hap tjetër që thellon partneritetin tonë të përbashkët. Mezi presim të shohim rezultate domethënëse nga ky kompakt në muajt dhe vjetët e ardhshme”, ka shkruar Hovenier në llogarinë e vet në “Twitter”, duke shpërndarë edhe postimin e drejtoreshës së MCC-së, Alice Albright, e cila po ashtu e cilësoi marrëveshjen si thellim të raporteve mes dy shteteve.
Në hapësirat e Kongresit Amerikan mbrëmë është nënshkruar marrëveshja në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, e cila ka për synim të ndihmojë Kosovën në fushën e energjisë, ndërkaq role kyçe do të kenë edhe gratë.
Nënshkrimet në marrëveshje janë vënë nga drejtoresha Albright dhe ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli.