Marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit për kapacitetet profesionale të UP-së

21 maj 2026 | 10:48

Universiteti i Prishtinës nënshkroi sot marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që mundëson zhvillimin dhe realizimin e aktiviteteve profesionale me interes të dyanshëm.

Marrëveshja parasheh bashkëpunim në fushat që lidhen me kompetencat e ministrisë dhe kapacitetet shkencore të UP-së.

Personeli akademik i Universitetit të Prishtinës do të japë kontributin e tij për përmirësimin e legjislacionit të Ministrisë, monitorimin e projekteve dhe aktiviteteve profesionale, pjesëmarrjen në komisione, grupe punuese ose mekanizma tjerë, derisa studentët e universitetit do të përfshihen në aktivitete profesionale dhe kërkimore.

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacolli-Dalipi.

Për hartimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi, rektori Hajrullahu dhe ministrja Pacolli-Dalipi, ishin pajtuar në takimin e zhvilluar më 4 mars 2026. Atëherë ministrja ishte zotuar që pronat e atakuara të UP-së do të jenë prioritet i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Për pronat e UP-së dhe çështje tjera, drejtuesit e Universiteti i Prishtinës ishin takuar në muajin prill me drejtues të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

UP-ja ka arritur marrëveshje bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Drejtësisë dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për të mirën publike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i ka vazhduar takimet me qytetarë në kuadër të…