Marrja në pyetje e gazetarëve të Insajderit sot është hapi i parë drejt shkeljes flagrante të lirisë së fjalës

17 prill 2021 | 16:38

Ish-ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka reaguar pas njoftimit të Prokurorisë se  ka autorizuar policinë e Kosovës që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas konferencës së djeshme të mbajtur nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia.

Madje drejtori i Insajderit, Parim Olluri është intervistuar sot nga Policia e Kosovës.

Mustafa përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se fjala e lirë është themeli i lirisë dhe demokracisë.

“Marrja në pyetje e gazetarëve të Insajderit sot është hapi i parë drejt shkeljes flagrante të lirisë së fjalës, të garantuar me Kushtetutë”, shkroi ai.

Mustafa shtoi se fjala e lirë edhe atëherë kur nuk na pëlqen është themeli i lirisë dhe demokracisë.

“Fjala e lirë, edhe atëherë kur nuk na pëlqen, e sidomos kur nuk na pëlqen, është themeli i lirisë dhe demokracisë. Nuk e kanë të drejtën as shumica, as turma, as politika ta heshtin fjalën e lirë, veç pse s’ju pëlqen, veç pse i djersitë”, shkroi Mustafa.

Dje mediumi “Insajderi” ka publikuar një hulumtim rreth procesit të sigurimit të vaksinave. Siç ka raportuar “Insajderi”, thuhet që ministri Vitia të ketë refuzuar nënshkrimin e një kontrate me kompanitë “Pfizer dhe BioNTech”.

Kjo është demantuar nga vetë ministri mbrëmë, i cili ka bërë thirrje që Prokuroria të veprojë ndaj atyre që dëmtojnë një proces kaq jetik për qytetarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova ka siguruar edhe një medalje në Evropianin e xhudos…