Marshimi “Shtigjeve të Lirisë – ‘Mërgimi’’, i ish-luftëtarëve të UÇK-së, nga Viçidoli i Sylejman Berishës deri te “Plaku” i Shishmanit

11 maj 2023 | 17:15

Në nderim dhe kujtim të veprimtarisë së komandantit të Logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ilir Konushevcit, i vrarë 25 vjet më parë, më 9 maj 1998, në Qafë të Malit të Bajram Currit, së bashku me doktor Hazir Malën, ish-bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij kanë organizuar marshimin “Shtigjeve të Lirisë – ‘Mërgimi’”.

Ky marshim është organizuar nga shtëpia e Sylejman Berishës në Viçidol të Tropojës e cila ishte streha dhe baza e parë e UÇK-së. Kjo shtëpi dha shumë bukë dhe pushim për djemtë e logjistikës së UÇK-së të cilëve u printe Iliri me shokë.

Nga aty marshimi vazhdoi rreth Lugut të Zi, për të arritur te Qafa e Çobanit e për të mbërritur te shtëpia e cila ishte baza tjetër e logjistikës së UÇK-së, ajo e Xhemë Jakupit – “Plakut” të Shishmanit.

Tashmë është bërë tradicionale ky marshim i ish-ushtarëve të UÇK-së, që në këtë mënyrë të kujtohet Ilir Konushevci dhe bashkëluftëtarët e tjerë të vrarë gjatë luftës.

Nën organizimin e Bekim Shytit, Hysen Dreshajt, Gëzim Sejdijajt, Gani Nuhës, Naim Hazirit, Xhevdet Dukës, Emin Hoxhës, Bashkim Lokajt, Sajmir Konushevcit e shumë bashkëluftëtarëve të Zahir Pajazitit, Ilir Konushevcit, Adrian Krasniqit, Gazmend Imerit (Bardhecit) etj., ekspedita e ish-luftëtarëve të lirisë, në përbërje prej më shumë se 50 vetave, është nisur ditën e hënë, më 8 maj, rreth orës 10:00 të mëngjesit, nga kulla e Sylejman Berishës për të marrë rrugën e gjatë mbi 20 kilometra.

Në këtë marshim, përpos ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë bartur armatim dhe kanë lëvizur që nga viti 1996 deri ka mesi i vitit 1998 nëpër atë korridor, kanë marrë pjesë edhe djem të rinj, prindërit e disa prej tyre që kanë bartur armatim ose të afërmit e tyre që kanë qenë pjesë e UÇK-së, por që sot nuk janë në mesin tonë.

Ndër ta edhe nipi i Ilir Konushevcit, Arti, i cili ka lindur pas luftës, por edhe djemtë e Ganiut, Hysenit e shumë tjerë të cilët ishin të moshave 13 vjeç e tutje.

Gjatë rrugës Hysen Dreshaj (Besniku), së bashku me Gëzimin (Gencin), Dilaverin, Ganiun, Bekimin, Eminin, Xhevdetin, tregonin për rrugëtimin e tyre gjatë luftës me armatim, duke përshkruar të gjitha ato kilometra për të arritur në cak. Ata kujtonin edhe vendet kur nëpër borë, shi e nëpër dritë të hënës uleshin për të pushuar nga pesha e rëndë e armatimit që bartnin mbi supe, por kujtonin edhe për vuajtjet që përjetonin rrugës së thepisur, duke mbetur edhe të zbathur, sepse këpucët që kishin mbathur shumicën e herëve nuk ishin adekuate për të ecur bjeshkëve. Megjithatë, ata thoshin: “qëllimi ishte të dërgonim armatim në Kosovë dhe të mos biem në prita të ushtrisë dhe policisë serbe”.

Kjo rrugë e gjatë rreth 20 kilometra përshkruhet si rruga e cila asnjëherë, asnjë ushtar nuk ka rënë në pritë gjatë viteve 1996-1998, sepse ka qenë shumë e mundimshme për të ecur. Qëllimi i Zahirit, pastaj Ilirit, Bardhecit, Besnikut, Gencit, Eminit, Bekimit, Dilaverit, Ganiut, Dukës dhe Astritit, ishte që kjo rrugë të ruhet, sepse ishte arterie e furnizimit për armatim dhe lëvizje më të sigurt. Pasi lufta kishte marrë përmasa të mëdha e gjatë vitit 1999 kishin filluar edhe bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, ushtria dhe policia serbe kishin futur kufirin në një rrethim të fortë, duke ua zënë pritat shumë grupeve të UÇK-së të cilat sillnin armatim në Kosovë ose shkonin në Shqipëri për të dërguar të plagosur.

Pas fillimit të bombardimeve, edhe kjo arterie u mbyll nga ushtria serbe, e cila e bëri të pakalueshme për ushtarët e UÇK-së, me çka edhe vërtetohet se më 29 mars të vitit 1999 bien në pusi mbi 50 ushtarë të UÇK-së, ndër ta vriten 14 ushtarë që ishin duke u kthyer me armatim nga Shqipëria në Kosovë.

Pas më shumë se 4 orë ecje, më në fund e gjithë ekspedita e ish-luftëtarëve të lirisë arrin në Qafën e Çobanit – aty në kufirin që ndante Kosovën me Shqipërinë.

Nën përkujdesjen, tani gjeneralit të FSK-së, Hysen Dreshaj, aty u ndez një flakadan me ngjyrat e flamurit kombëtar. Pasi dolëm në territorin e Kosovës, nga larg shiheshin fshatrat e Dukagjinit, duke dhënë shpresë se i jemi afruar cakut.

Gjatë rrugës ushtarët e FSK-së në numër të konsiderueshëm kishin dalë në nderim të marshimit, por dhe për t’i nderuar 14 të rënët më 29 mars 1999.

Nga aty, me një parakalim dhe nderim shtetëror, vazhduan rrugën me ne deri në fshatin Shishman, ku u pritëm nga shumë qytetarë, medie e fshatarë, të cilët kishin dalë për ta nderuar rrugëtimin tonë si dhe për ta nderuar sakrificën e bërë gjatë luftës të Ilirit me shokë, por edhe të familjes së Xhemë Jakupit.

Në shtëpinë e “Plakut” të Shishmanit u vendos një pllakë në shenjë falënderimi për strehimin dhe bukën e dhënë Zahir Pajazitit, Ilir Konushevcit e shumë luftëtarëve të tjerë që kishin fatin të kalojnë nëpër këtë rrugë të mundimshme, por krenare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në emër të ish-ushtarëve të asaj kohe, plakun Xhemë Jakupin e falënderuan për bukën e dhënë dhe strehimin e ushtarëve të logjistikës së UÇK-së, gjeneral Naim Haziri, gjeneral Hysen Dreshaj e Gëzim Sejdijaj. Ndërsa baca Xhemë, pasi i falënderoi të pranishmit, dha këtë mesazh: “Jam shumë krenar që për aq vite sa kanë qëndruar tek unë djemtë e UÇK-së, të cilët vinin natën nëpër borë e nëpër shi, asnjëherë dhe asnjë nuk është zbuluar dhe kjo më bën krenar për gjithë jetën time”.

Pas zbulimit të pllakës në shtëpinë e bacës Xhemë, i zoti i konakut për të gjithë të pranishmit shtroi darkë në oborrin e tij.

Në përmbyllje të aktivitetit kushtuar “shtigjeve të Lirisë-‘Mërgimi’”, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e logjistikës së UÇK-së, janë vendosur pllaka përkujtimore në këto baza të UÇK-së:

Në shtëpinë e Haxhi Babës në Golem,

Në shtëpinë e Agim Krasniqit në Tiranë,

Në shtëpinë e Besnik Krasniqit në Bajram Curr,

Në kullën e Sylejman Berishës në Prifq-Viçidol

Në shtëpinë e Xhemë jakupit në Shishman.

(Nga Sadik Zeqiri, ish-ushtar i UÇK-së dhe pjesëmarrës në marshimin “Shtigjeve të Lirisë – ‘Mërgimi’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftim nga KEDS për punimet në rrjet 12.05.2023 Punime të…