Martin Berishaj s’dëshmon në Komision Hetimor, kërkon t’i shtyhet raportimi

11 nëntor 2022 | 13:32

Ndonëse ambasadori Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ishte ftuar që të premten ta jepte dëshminë e tij para Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ai përmes një shkrese kishte kërkuar kohë që deri më 29 apo 30 nëntor të mos ftohej për intervistim për shkak të angazhimeve.

E duke i konsideruar si të vona datat e propozuara, Komisioni i ka dhënë mundësi ambasadorit Berishaj që deri më 20 nëntor të gjej një mundësi për intervistim.

Kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, ka lexuar një pjesë të kërkesës së ambasadorit Berishaj për shtyrje të intervistimit të tij me arsyetime se ka takime diplomatike gjatë ditës së sotme kur ishte paraparë të jepte dëshminë e tij.

“Pasi paraprakisht kam caktuar takime me ambasadorin austriak dhe gjerman e që përputhet me datën 11.11.2022 dhe datën 12, e kam konfirmuar takimin me ministrin e Ekonomisë së Kroacisë, Dabor Filipoviq lidhur me Forumin Ekonomik Kroaci-Kosovë që do mbahet në javën e dytë të janarit në Prishtinë. Propozoj dhe njëherit iu lus mirësisht që të ma mundësoni të bëjë këtë dëshmi më datën 29. 11 apo 30.11.2022 apo kur do ta caktoni ndonjë datë tjetër”, ka thënë ai.

Selmanaj ka propozuar që deri më 20 nëntor ambasadori Martin Berishaj të zgjedh se kur mund ta jap dëshminë e tij, pasi datat që ky i fundit i kishte propozuar janë të vona për shkak edhe të mandatit të vetë komisionit.

“Datat që i ka propozuar megjithatë ka lënë mundësi që ta caktojmë ndonjë datë tjetër, por datat e propozuara janë shumë vonë, neve mandati si Komision na përfundon më 4 dhjetor. Data 29.11 apo 30.11 mendoj se është shumë vonë. Propozimi im është që ne t’i lëmë mundësi zotëri Berishaj që të zgjedh deri më datën 20 nëntor prej sot deri më 20 nëntor të vlerësoj ai se cilat data i përshtaten”, tha Selmanaj.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka propozuar që për intervistim të ftohej edhe ish-udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë, Besim Imeri.

“Besim Imeri sepse është akter kyç institucional që ka pasur dhe ka informacione për sektorin energjetik dhe veçanërisht për ndërmarrjet e sektorit energjetike pranë Ministrisë së Ekonomisë ne edhe ashtu nuk i kemi ftuar këta që janë sot sepse periudha kohore që menaxhojnë nuk është e përshtatshme dhe brenda mandatit tonë. Konsideroj se për atë periudhë do të na ndihmonte shumë së paku në qartësimin e disa pozicioneve që kemi pas deri tani sa i përket menaxhimit të ndërmarrjeve publike, KEK-ut, KOST-it”, ka thënë ai.

Me këtë propozim është pajtuar edhe bashkëpartiaku i tij, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se Imeri duhet të ftohet gjithsesi për intervistim pasi ai ka nënshkruar 3 memorandume që kanë rezultuar në transaksionin e 20 milionë euro të KEK-ut.

Por, në mungesë të kuorumit kjo kërkesë e PDK-së nuk ka mundur të kalojë, dhe pas kësaj përsëri shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri me të përfunduar mbledhja e komisionit ka folur para mediave.

Tahiri e ka quajtur ndërhyrje direkte nga pushteti moslejimin e intervisitimit të Besim Imerit.

“Kemi një vendosmëri nga pushteti që personi në fjalë të mos të intervistohet nga Komisioni Hetimor, pra kjo është një ndërhyrje direkte e tyre në këtë hetim parlamentar të cilët po mundohen me pamundësuar zbardhjen e një të vërtete. Akuzat tona si parti opozitare kanë qenë shpenzimi i këtyre mjeteve të para rreth 20 milionë euro në dhjetorin e vitit 2021 dhe janarin e vitit 2022 ku është subvencionuar energjia elektrike e kemi deklaruar me dhjetëra herë se është bërë në mënyrë të jashtëligjshme” , ka thënë ai.

Në këtë mbledhje të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës është diskutuar edhe mundësia që të bëhet kërkesë për shtyrje edhe për një muaj të mandatit të  këtij komisioni.

Ky propozim është bërë nga vet kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, i cili ka thënë se njëmujorin do ta mund ta shfrytëzonin vetëm për hartim të raportit dhe jo për aktivitete të tjera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Louis van Gaal e ka publikuar listën e lojtarëve…