Massi: Gjermania do të punojë së bashku me Francën për vazhdimin e dialogut

06 qershor 2019 | 17:25

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka deklaruar sot se përderisa marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk do të zgjidhen përgjithmonë, do të ketë tensione.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se Berlini po bën përpjekje për të nisur një dialog mes të dy palëve, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të siguronte stabilitetin e rajonit.

Maasi në një fjalim në Bundestag, duke përsëritur propozimin e Qeverisë për të vazhduar pjesëmarrjen e ushtrisë gjermane në KFOR, ka kujtuar se ky ishte gjithashtu qëllimi i samitit të zhvilluar kohët e fundit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga udhëheqësit gjermanë dhe francezë në Berlin.

Ai ka theksuar se “Gjermania dhe do të punojë së bashku me Francën në javët dhe muajt e ardhshëm për të arritur atë qëllim”, raporton “Kosovapress”.

Më tutje, Massi ka thënë se në muajt e fundit ka pasur një përkeqësim në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke shtruar se sheh një potencial të madh për përshkallëzim, siç ka deklaruar ai, kryesisht nga serbët e vendosur në veri të Kosovës.

“Javën e kaluar kjo është parë përsëri. Qeveria serbe ka ngritur sigurinë e ushtrisë kur policia e Kosovës ka kryer aksionin në disa vende në Kosovë, madje edhe në veri kundër krimit të organizuar,”, ka thënë Maasi.

Gjithashtu, Massi ka thënë se gjatë gjithë operacionit policor, komandanti i KFOR-it ishte në kontakt të vazhdueshëm me palën serbe, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

“Misioni edhe një herë, ka kontribuar në qetësimin e situatës në një situatë të vështirë. Kjo tregon se KFOR-i ishte dhe mbetet forca stabilizuese. Dhe, më e rëndësishmja, KFOR-i gëzon mbështetjen e të dyja palëve, e cila është një vlerë e artë sidomos në situatën aktuale, kur ndërmjetësimi është thelbësor dhe kjo do të jetë e rëndësishme për muajt e ardhshëm, ka deklaruar Maasi.

Ai ka theksuar se këtë muaj misioni i KFOR-it është duke hyrë në vitin e 20-të të pranisë në Kosovë dhe se ky mision është më i gjatë i ushtrisë gjermane.

Maasi ka deklaruar se ushtria gjermane dikur kishte 6 000 ushtarë në KFOR dhe se “falë progresit të viteve të fundit, prania është zvogëluar në mënyrë të vazhdueshme”.

Ai ka bërë me dije se numri i ushtarëve nga 800 është reduktuar në 400. Massi ka vlerësuar se zvogëlimi i pranisë së ushtrisë gjermane është një mesazh i qartë se gjithçka funksionon në terren, por gjithashtu ushtria gjermane mund të reagojë shpejt dhe me fleksibilitet në rast të përkeqësimit të papritur të gjendjes së sigurisë, e cila sipas tij mund të ndodhë në çdo kohë për shkak të tensioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i ekipit kombëtar të Malit të Zi, Ljubisa Tumbakoviq,…