Mbahet dëgjimi publik në Gjilan për shpronësimin e disa pronave të paluajtshme

16 janar 12:00

Nën organizimin e Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Infrastrukturës, në Gjilan është mbajtur dëgjim publik me qytetarë me qëllim të njoftimit nga afër me procedurat e shpronësimit të pronave të paluajtshme për rrugët katër korsi, Gjilan-Livoç i Ulët- Kllokot dhe Gjilan-Livoç i Epërm.

Në këtë dëgjim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga niveli lokal, drejtori i Kadastrit, Sadudin Berisha, ai i Urbanizmit, Valon Shefkiu dhe drejtori i Shërbimeve Publikë dhe Infrastrukturës, Naser Korqa.

Qytetarët e shumë të pranishëm në këtë dëgjim publik, janë njoftuar për së afërmi me parcelat që preken direkt nga ndërtimi i këtyre dy rrugëve përmes grafikoneve, duke interaktuar për të dhënë qëndrimet e tyre për detajet, kërkesat dhe rekomandimet e tyre.

Samir Bruqi, zyrtar i lartë i Departamentit të Shpronësimit në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, ka thënë se vlerësimet e pronave do të bëhen në përputhje me ligjin për shpronësim, derisa pagesa e tyre do të bëhet në afatin sa më të shpejt të mundshëm.

Ai ka thënë se për pakënaqësitë eventuale sa i përket çmimeve të shpronësimit, qytetarët mund t’i drejtohen gjykatave.

Ndërtimi i rrugëve hyrëse dhe dalëse Gjilan-Livoç i Ulët-Kllokot dhe Gjilan-Livoç i Epërm, kap koston e mbi 14 milionë eurove, me investim të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me implementim nga Ministria e Infrastrukturës.

Lajme të sponsorizuara