Mbahet takimi i parë zyrtar i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë
Ditën e sotme u mbajt takimi i parë zyrtar i hapur i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
‘’Pas një rruge të gjatë për të krijuar një themel të fortë, jam fort i lumtur t’iu uroj mirëseardhje në takimin e parë zyrtar të hapur të Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.” u shpreh kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij.
“Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë sa ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi më shumë se 13.000 persona të vrarë gjatë luftës së fundit, mijëra persona të përdhunuar, mijëra të torturuar e të burgosur.” shtoi ai.
Ai theksoi se Instituti për herë të parë në historinë e pasluftës parasheh divizion të veçantë për dëmin e shkaktuar material e jo material dhe për nevojat e viktimave.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri fuqizoi mesazhin se qëllimi i të gjithë neve është i përbashkët: krijimi i kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe gjithë gjeneratave të ardhshme që do të vijnë pas nesh.
“Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme, por mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur në mend është që paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhë asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë që të dyja.” tha kryeministri.
Me këtë rast Drejtori i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, u shpreh se Instituti simbolizon një hap të rëndësishëm në mbështetjen dhe përpjekjen e tij për njohje dhe promovim të së vërtetës, për krijimin e parakushteve për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.
Synimi kryesor është bashkëpunimi i ngushtë me të gjithë ata që kanë interes në dokumentimin, hulumtimin dhe zgjerimin e njohurive rreth krimeve të kryera gjatë luftës, ku veçoi se Instituti do të punojë në shërbim të paqes dhe drejtësisë, e do të sigurohet që krimet të cilat kanë ndodhur në Kosovë, të mos kalohen pa u dokumentuar, si detyrë e institutit ndaj viktimave dhe shoqërisë.
Fjala e plotë e kryeministrit:
E nderuara nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Saranda Bogujevci,
E nderuara ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuar ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku,
I nderuar drejtor i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, z. Atdhe Hetemi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe të organizatave partnere,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Mirë se keni ardhur në këtë tryezë diskutimi të ftuar nga Instituti për Hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Derisa po e bëja gati këtë fjalë për sot, mu kujtua maji i vitit 2020 atëherë kur mbajtëm takimin që lansoi ekipin për analizën për Institutin. Prej atij momenti e kemi përgatitur analizën, kemi mbajtur takime, kemi diskutuar narrativa, kemi operacionalizuar strategji, dhe ja ku jemi sot së bashku.
Pas një rruge të gjatë për të krijuar një themel të fortë, jam fort i lumtur t’iu uroj mirëseardhje në takimin e parë zyrtar të hapur të Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Tashmë kemi Institutin që shumë shpejt do të funksionalizohet, kemi drejtorin e emëruar, Dr. Atdhe Hetemindhe kemi një tërësi të punëve që na presin përpara.
Askush nuk duhet dhe nuk mund të pretendojë që lehtësisht do të arrijmë të zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar që 24 vite. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë. Njerëzit janë të lodhur. Viktimat kanë humbur besimin në sistem. Gjeneratat besa po vdesin përditë dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës.
Ky është një rrezik i madh i cili na kanoset e të cilin nuk guxojmë ta lejojmë të ndodhë. Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë sa ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi më shumë se 13.000 persona të vrarë gjatë luftës së fundit, mijëra persona të përdhunuar, mijëra të torturuar e të burgosur.
Kemi përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur. Edhe sot, mbi 24 vjet pas luftës nuk kemi një shifër që do të mund të na tregonte se cili është dëmi ekonomik që lufta i ka shkaktuar vendit tonë.
E situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik, të cilin nuk e kemi adresuar aspak për këto vite. Kjo është arsyeja pse patëm vendosur që ta fillojmë punën me një ekip i cili është marrë ekskluzivisht me përgatitjen e analizës e cila do të ishte mënyra më e mirë për të proceduar me themelimin e Institutit. Dhe kjo na ka shërbyer shumë.
Sepse Instituti nuk është themeluar me vendim e pa strategjioperacionale. Instituti nuk është nën mëshirën e donacioneve që mund të vijnë e mund të mos vijnë. Instituti është themeluar me ligj, e ka linjën e vet buxhetore, ka dhe do të vazhdojë të ketë ekspertë të fushës, do të jetë në koordinim me institutet e tjera në rajon dhe ato ndërkombëtare.
Instituti për herë të parë në historinë e pasluftës parasheh divizion të veçantë për dëmin e shkaktuar material dhe jo material, dhe për nevojat e viktimave, jo vetëm për krimin. Megjithëkëtë, Instituti duhet të ketë përkrahjen e të gjithëve nëse dëshirojmë që të ketë sukses Nuk mund të funksionojë i vetëm.
Ne nuk dëshirojmë për asnjë moment, në asnjë rrethanë që të hudhimposhtë gjithë punën e mirë që është bërë deri tash prej nismave të shumta. Dëshirojmë që duke marrë parasysh punën e deritanishme, që shumë prej jush që jeni të pranishëm e keni bërë, të shkojmë një hap më tutje dhe më pastaj shumë hapa bashkë në të ardhmen. Të shohim se ku janë zbrazëtitë që janë lënë dhe t’i plotësojmë ato.
Jemi me fat që në mesin tonë kemi njohës shumë të mirë të fushës të cilët përveç punës së tyre personale e profesionale, sjellin edhe kontaktet ndërkombëtare që kanë ata, ato në drejtësinë tranzicionale.
Me këtë rast dëshiroj të falënderoj ish-këshilltaren time FurtunaSheremetin. Puna e Furtunës shtrihet jo veç në dëmin material, por gjithashtu edhe në emocional e psikologjik si dhe nevojat e viktimave. Momentalisht Furtuna është në Hagë, duke qenë se është pjesë e ekipit të mbrojtjes së z. Rexhep Selimi, por ajo ka punuar dhe vazhdon të punojë pa kursyer në proceset e ballafaqimit me të kaluarën, duke përfshirë këtu veçanërisht Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Në fund, qëllimi i të gjithë neve është i përbashkët: krijimi i kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe gjithë gjeneratave të ardhshme që do të vijnë pas nesh. Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme, por mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur në mend është që paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhë asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë që të dyja.
Të nderuar të pranishëm,
Mirëpresim diskutimin e sotëm për fazat e ardhshme të procesit të hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Për këtë pjesë, fjalën ia kaloj Drejtorit të Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, z. Atdhe Hetemi.
Ju falemnderit.