Mbi 15 000 të rinj përkrahin vlerat e PDK-së

13 maj 2018 | 14:41

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka vlerësuar si të suksesshëm procesin e deritashëm zgjedhor brenda Rinisë Demokratike.

Kjo parti ka bërë me dije se deri më tani në kuadër të procesit zgjedhor të Rinisë Demokratike janë mbajtur 570 takime zgjedhore.

“Zgjedhjet e brendshme të Rinisë Demokratike kanë vënë në veprim grupet punuese të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke përcjellë punën e kuvendeve zgjedhore, anë e kënd vendit, me tubime dhe debate të brendshme rreth këtij procesi të rëndësishëm partiak. Nga fillimi i këtij aktiviteti të rëndësishëm për zgjedhjen e organeve të reja të Rinisë Demokratike, janë mbajtur mbi 570 takime zgjedhore, në nivel seksionesh, nëndegësh dhe degësh”, është thënë në komunikatën e PDK-së.

Sipas PDK-së, këto angazhime, në të gjitha nivelet e Rinisë Demokratike kanë dëshmuar dhe rikonfirmuar vitalitetin, përkushtimin dhe organizimin e mirëfilltë të rinisë dhe strukturave të tjera për vlerat e mirëfillta të PDK-së, në Dekadën e Re.

“Në këtë drejtim deri më tani kanë qenë të angazhuar me pjesëmarrje, votim dhe procese tjera brenda Rinisë Demokratike mbi 15.000 të rinj, të cilët mbështesin, përkrahin dhe zotohen për promovimin e vlerave të Partisë Demokratike dhe vizionit të saj, Dekada e Re”, është theksuar në këtë komunikatë.

Kjo parti ka vlerësuar se të rinjtë e PDK-së janë garancia e fuqizimit të proceseve shtetformuese.

“Të rinjtë që përcjellin vazhdimësinë e vlerave më të mira dhe më shembullore të Partisë Demokratike të Kosovës dhe organeve legjitime që dalin nga procesi demokratik zgjedhor brenda Rinisë Demokratike, janë garancë e fuqizimit të organeve të partisë shtetformuese, shtetndërtuese, me vizion të qartë me besim, zhvillim dhe integrim. Me këtë proces të brendshëm demokratik, të rinjtë kanë përzgjedhur dhe vijojnë këtë proces zgjedhor, duke çuar përpara këto vlera të tyre, brenda PDK-së, si forcë e jashtëzakonshme politike, duke dhënë përgjigje dhe dalë përball dhe ofruar zgjidhje për sfidat e të rinjve dhe vendit, në Dekadën e Re”, është thënë në komunikatën e PDK-së.

Sipas PDK-së, procesi zgjedhor brenda Rinisë Demokratike, si asnjëherë më parë, ka mbledhur dhe po tubon, të rinjtë më të devotshëm në çdo cep të Kosovës, duke u zgjedhur dhe duke u bërë kandidat për t’u zgjedhur brenda strukturave me bindjen e thellë se Dekada e Re promovon besim, zhvillim dhe integrim.

“Dekada e Re është rruga e së ardhmes për ta dhe vendin tonë, Republikën e Kosovës. Procesi i brendshëm zgjedhor, i nivelit lokal i Rinisë Demokratike, do të përmbyllet me Konventën zgjedhore të Rinisë Demokratike të Kosovës, duke fuqizuar rininë në marrjen e përgjegjësive, përfaqësim dhe si pjesë e procesit, vlerave dhe vizionit të Dekadës së re, të Partisë Demokratike të Kosovës”, është thënë ndër të tjera në komunikatën e PDK-së.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori i mirënjohur nga Kosova, Ilir Tafa, shihet që është…