Mbi 2 mijë biznese kanë aplikuar për përfitimin e subvencioneve

21 shtator 2021 | 12:20

Mbi 2 mijë biznese kanë aplikuar për përfitimin e subvencioneve të pagave në kuadër të pakos ekonomike të qeverisë. Interesim më të madh të aplikimeve ka pasur në masën 1.3 masë, e cila mbështetë gratë më pagë 50 për qind për tre muaj me qellim të stimulimit për punësim.

Interesimi i bizneseve për të aplikuar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për përfitimin e subvencioneve të pagave në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, nuk është i kënaqshëm. Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi Sefa, i ka thënë “Radio Kosovës” se qeveria ka pritur që do të ketë interesim më të madh për aplikim nga ana e bizneseve.

“ATK-ja ka përgjegjësi për zbatim të tri masave 1.1. 1.2 dhe 1.3. Deri më tani interesimi i anës së bizneseve është deri diku, pasi që pritjet nga qeveria kanë qenë më të mëdha, mirëpo po besoj që gjatë ditëve në vijim do të kemi numër më të madh të aplikimeve të cilat janë veç të hapura për aplikim”, ka thënë ajo.

Bytyqi-Sefa ka theksuar se duke iu referuar kohës deri me tani,  numri i aplikimeve për të përfituar nga 3 masat është mbi dy (2) mijë. Më së shumti interesim për aplikim, sipas zëdhënëses së ATK-së, ka në pakon 1.3, që përfshin mbështetjen e grave.

“Deri më tani totali i aplikimeve nëse i referohemi kohës, ka arritur në  2 332, me kërkesa 978. Nëse ju referohemi veç e veç masave shihet se numri më i madh për aplikim është për masën 1.3, ku deri më tani kemi mbi 1 200 mijë punëtorë që kanë aplikuar. Masa 1.3 është  mbështetje e punësimit të grave, pra, subvencionimi i pagës bruto mujore deri në 50 për qind  për tre muaj, ndërsa pas përfundimit të periudhës 3 mujore subvencionohen kontributet pensionale për muajt e mbetur, konform kritereve të kufizimeve të përcaktuara me vendim për zbatimin e masës 1.2 të pakos së ringjalljes ekonomike, që vlen deri më datën 29 korrik 2021”, është shprehur Bytyqi-Sefa.

Më tutje, ajo ka thënë se numër më të vogël të aplikimit ka në masën 1.1., e cila masë përfshinë rikthimin në punë të atyre që e kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë.

“Nëse i referohemi masës 1.1, e cila përfshin rikthimin në punë të i atyre që humbur vendin e punës gjatë pandemisë, masë që subvencionon pagën deri në 50 për qind të pagës bruto, për tre muaj  numri i aplikimeve deri është 186 me numër të punëtorëve 360. Masa 1.2, e cila mbështet apo bën thirrje për formalizimin e të punësuarve, subvencionim të kontributeve pensionale në vlerë prej 10 për qind të pagës bruto për më shumë se 12 muaj duke filluar nga muaji korrik deri në qershor të 2022, kanë aplikuar 222 biznese,  me 756 punëtorë”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Zëdhënësja e ATK-së, ka theksuar se në bazë të diskutimeve të cilat janë bërë me komunitetin e bizneseve, këta të fundit kanë shfaqur më shumë kërkesa para se pako të jetë në fuqi.

Afati i fundit për aplikim nga bizneset për mbështetjen e grave dhe  subvencionimin e atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, përkatësisht  pika 1.1 dhe 1.3, është deri më 15 tetor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion senatorësh francezë do të vizitojë Tajvanin në fillim…