Mbi 45 milionë euro borxhi ndaj KRU “Prishtina”

17 gusht 2020 | 11:31

Ushtruesi i detyrës i kryeshefit ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka thënë se kjo kompani është duke u ballafaquar me probleme të shumta. Ai ka theksuar se një nga problemet më të mëdha janë borxhet. Në këtë kontekst, Xhafa ka thënë se niveli i borxhit të konsumatorëve ndaj KRU “Prishtina” kap shifrën e mbi 45 milionë eurove, ku afërsisht 40 milionë euro janë borxhe nga amvisëria. Po ashtu, ai ka thënë se sfida për këtë kompani mbeten pandemia dhe kushtet klimatike. “Borxhet gjatë vitit 2020, në periudhën e pandemisë, janë në vlera prej 2.25 milionë eurove, ndërsa pjesa tjetër e borxheve janë që nga pas lufta”, ka thënë Xhafa

Albulena S. MAVRAJ

Ushtruesi i detyrës i kryeshefit ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka thënë se sfidat me të cilat është duke u përballur tani kjo kompani janë më të mëdhatë që nga paslufta. Në këtë bisedë për “Epokën e re”, ai ka thënë se akumulimi i borxheve ndaj kësaj kompanie, situata pandemike dhe kushtet atmosferike janë sfidat kryesore me të cilat janë duke u ballafaquar. “Sfidat që po përballet kompania këtë vit janë më të mëdhatë që ka pasur ndërmarrja që nga paslufta, duke marrë parasysh situatën me pandeminë dhe situatën me thatësi në përgjithësi. Sigurisht situata me pandeminë ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe në rritjen e borxheve nga konsumatorët”, ka thënë Xhafa.

Në këtë kontekst, Xhafa ka treguar se borxhet e mbledhura ndër vite në KRU “Prishtina” kapin shifrën mbi 45 milionë euro, prej të cilave, sipas tij, rreth 40 milionë euro janë nga amvisëria. “Borxhet e akumuluara ndër vite në kompani janë në nivelin mbi 45 milionë euro. Përafërsisht 40 milionë euro janë borxhe nga amvisëritë”, ka deklaruar Xhafa.

Më tutje, Xhafa ka treguar edhe për nivelin e borxheve të këqija, duke bërë me dije se vetëm gjatë përdhes së pandemisë shuma e borxheve ndaj KRU “Prishtina” kalon mbi dy milionë euro. “Borxhet gjatë vitit 2020, në periudhën e pandemisë, janë në vlerë prej 2.25 milionë eurosh. Pjesa tjetër e borxheve janë që nga pas lufta, në vazhdimësi”, është shprehur Xhafa.

Ndërsa sa i përket rajonit më problematik në lidhje me borxhet, ushtruesi i detyrës i kryeshefit ekzekutiv i KRU “Prishtina” ka thënë se, për shkak të koncentrimit të konsumatorëve, Prishtina mbetet pjesa më problematike. “Sigurisht për shkak të territorit dhe koncentrimit të konsumatorëve, Prishtina prinë me borxhe, për të vazhduar me Podujevën, Obiliqin e kështu me radhë”, ka thënë pos tjerash Xhafa.

Në këtë bisedë për gazetën “Epoka e re”, ai ka folur edhe për paralajmërimin e kësaj kompanie se nga 1 shtatori do ta fillojë procedimin e konsumatorëve borxhlinj në procedurë përmbarimore, për të cilën gjë ka thënë se do ta kenë parasysh gjendjen pandemike dhe se do të bëjnë prerje dhe të gjithë konsumatorët të cilët kanë detyrime ndaj kompanisë deri në muajin shkurt 2020, para kohës kur është shfaqur pandemia, do t’i procedojnë te përmbaruesit. “Që nga data 1 shtator do ta fillojmë procedimin e konsumatorëve borxhlinj në procedurë përmbarimore. Marrë parasysh situatën pandemike, do të bëjmë prerje dhe të gjithë konsumatorët të cilët kanë detyrime ndaj kompanisë deri në muajin shkurt 2020, dmth. para kohës kur është shfaqur pandemia, ne do t’i procedojmë në përmbarues, ndërsa nga muaji mars e këndej do ta shikojmë gjendjen dhe do të kursehen si konsumatorë. Por, edhe nëse lënda u shkon në procedurë përmbarimore, nuk do të thotë se konsumatorët mbesin pa ujë. Përveç kësaj, fatura mujore e ujit është simbolike në krahasim me shërbimet e tjera komunale (energji elektrike, TV apo të tjera)”, ka thënë Xhafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anglina Jolie është duke shqyrtuar mundësinë të shpërngulet në Londër,…