Mbi konceptin dhe objektin

08 tetor 08:22

Nga: Gottlob Frege (Vjschr. f. wissensch. Philosophie 16, 1892, f. 192-205)
Përktheu: Kristë Shtufi

Benno Kerry në një seri artikujsh mbi intuitën dhe përpunimin e saj psikik në këtë të tremuajshme shpesh në mënyrë konfirmuese, pjesërisht kundërshtuese, i referohet librit tim Bazat e aritmetikës dhe shkrimeve të mia të tjera. Kjo vetëm mund të më gëzojë dhe mendoj se mund të tregohem mirënjohës në mënyrën më të mirë nëse marr përsipër diskutimin e pikave që ka kontestuar ai. Kjo më duket se është aq më e nevojshme sepse kundërshtimi i tij pjesërisht qëndron gjithsesi në një keqkuptim, të cilin mund ta ndajë me të tjerët për atë që kam thënë mbi konceptin [Begriff], dhe për arsye se kjo çështje është mjaft e rëndësishme dhe e vështirë kështu që edhe pa këtë arsye të veçantë do të duhej të trajtohej më thellë sesa më dukej që është e përshtatshme në veprën time Bazat e aritmetikës.

Fjala “koncept” përdoret në mënyra të ndryshme, pjesërisht në kuptim psikologjik, pjesërisht në kuptim logjik, e pjesërisht ndoshta në një përzierje të paqartë të të dyjave. Kur një herë ekziston kjo liri e tillë, atëherë kufirin e saj natyror e gjen në kërkesën që t’i përmbahemi mënyrës një herë të miratuar të përdorimit. Unë kam vendosur që t’i përmbahem rreptësisht përdorimit të pastër logjik. Pyetjen se a është më i përshtatshëm ky apo ai përdorim, dua ta lë mënjanë si pyetje më pak të rëndësishme. Do të merremi vesh lehtësisht për mënyrën e shprehjes, kur të jetë pranuar se fjala është për diçka që meriton emërtim të veçantë.

Më duket se keqkuptimi i Kerry-t është shkaktuar nga fakti se ai pa dashje e përzien mënyrën e vet të përdorimit të fjalës “koncept” me përdorimin tim. Nga kjo dalin lehtë kontradikta, për të cilat nuk duhet fajësuar mënyra ime e përdorimit.

Kerry konteston atë që ai e quan definicion timin të konceptit. Këtu do të doja, para së gjithash, të vë në pah se shpjegimi im nuk është menduar si definicion i mirëfilltë. Nuk mund të kërkohet që çdo gjë të definohet, sikur që as nga një kimist s’mund të kërkojmë që t’i zbërthejë të gjitha substancat. Ajo që është e thjeshtë nuk mund të zbërthehet, kurse ajo që është logjikisht e thjeshtë nuk mund të ketë definicion të mirëfilltë. Ajo që është logjikisht e thjeshtë nuk është e dhënë paraprakisht, po aq pak sa shumica e elementeve kimike, por fitohet vetëm me anë të punës shkencore. Nëse gjejmë diçka që është e thjeshtë ose që, të paktën, për momentin duhet të vlejë si e thjeshtë, për këtë qëllim do të jetë e nevojshme të formësohet një emërtim, pasi që gjuha nuk do të ketë në mënyrë origjinale shprehje saktësisht të përshtatshme. Nuk është i mundur definicioni për futjen në përdorim të një emri për atë që është logjikisht e thjeshtë. Prandaj, nuk mbetet asgjë tjetër, përveçta udhëzojmë lexuesin ose dëgjuesin me shenja që me fjalë të kuptojë atë se çfarë është nënkuptuar.

Kerry nuk do të lejojë që dallimi midis konceptit dhe objektit të vlejë në mënyrë absolute. Ai thotë: “Në një vend më herët e kemi shprehur pikëpamjen se marrëdhënia në mes të për­mbajtjes së konceptit [Begriffsinhalt] dhe objektit të konceptit [Begriffsgegenstand] në njëfarë aspekti është marrëdhënie e veçantë, e pareduktueshme; por me këtë nuk ishte e lidhur pikëpamja se vetitë ‘të qenët koncept’ dhe ‘të qenët objekt’ përjashtojnë njëra-tjetrën; mendimi i fundit rrjedh nga i pari, po aq pak sikur të themi që nga ajo që marrëdhënia midis babait dhe birit nuk është e reduktueshme, rrjedh se dikush s’do të kishte mundur të jetë në të njëjtën kohë baba dhe bir (edhe pse natyrisht jo, p. sh., babai i atij, biri i të cilit është vetë)”.

Le të lidhemi me këtë shëmbëlltyrë! Sikur të ekzistonin ose nëse kanë ekzistuar qenie të tilla, të cilat edhe pse janë etër, por të mos mund të ishin bij, atëherë pa dyshim se qeniet e tilla do të ishin qenie krejt të ndryshme nga të gjithë njerëzit që janë bij. E njëjta gjë është edhe këtu. Koncepti – ashtu si e kuptoj unë këtë fjalë – është predikativ[1]. Përkundër kësaj, emri i objektit [Gegenstandsname], emri i përveçëm [Eigenname] nuk mund të përdoret aspak si predikat gramatikor. Në mënyrë që të mos duket gabimisht, kjo natyrisht ka nevojë për sqarim. A nuk mund të themi njëjtë për diçka se ky është Aleksandri i Madh ose se ky është numri katër ose se ky është planeti Venera, sikur që mund të themi për diçka se kjo është e gjelbër ose se ky është gjitar? Nëse mendojmë kështu, ne nuk po dallojmë mes mënyrave të përdorimit të fjalës “është”. Në dy shembujt e fundit ajo shërben si këpujë, vetëm si fjalë që formon pohimin [als bloßes Formwort der Aussage]. Si e tillë, ajo herë pas here mund të përfaqësohet nga prapashtesa thjesht vetore. Të krahasojmë, p. sh.,“kjo fletë është e gjelbër” dhe “kjo fletë gjelbëron”. Atëherë themi se diçka bie nën koncept dhe se predikati gramatikor me atë rast qëndron për [bedeutet] këtë koncept. Në të kundërtën e kësaj, në tre shembujt e parë, fjala “është” është përdorur siç përdoret në aritmetikë shenja e barazisë, për të shprehur një ekuacion.[2] Në fjalinë “Ylli i mëngjesit është Venera” kemi dy emra të përveçëm, “Ylli i mëngjesit” dhe “Venera” për të njëjtin objekt. Në fjalinë “Ylli i mëngjesit është planet” kemi një emër të përveçëm -“Ylli i mëngjesit” – dhe një fjalë për koncept [Begriffswort] -“planet”. Vërtet, gjuhësisht nuk ndodh asgjë, përveç që “Venera” u zëvendësua me “planet”; mirëpo, objektivisht raporti është bërë raport krejt tjetër. Ekuacioni është reversibil; rënia e objektit nën koncept është raport ireversibil. Fjala “është” në fjalinë “Ylli i mëngjesit është Venera”, siç duket, nuk është vetëm këpujë, por edhe përmbajtësisht është pjesë thelbësore e predikatit, kështu që në fjalët “Venera” nuk është përfshirë tërë predikati.[3] Në vend të kësaj mund të thuhej: “Ylli i mëngjesit nuk është asgjë tjetër përveç Venera” dhe atë që më parë ishte në fjalën “është” në kuptimin e thjeshtë të saj, këtu e kemi ndarë në pesë fjalë, kurse në “nuk është asgjë tjetër përveç” fjala “është” është me të vërtetë ende vetëm këpujë. Ajo që thuhet këtu, pra, nuk është Venera, por asgjë tjetër përveç Venera. Ato fjalë qëndrojnë për konceptin, nën të cilin vërtet bie vetëm një objekt i vetëm; por koncepti i tillë prapëseprapë duhet dalluar ende nga objekti.[4] Këtu kemi fjalën “Venera”, e cila, në fakt, nuk mund të jetë kurrë predikat edhe pse mund të formojë një pjesë të predikatit. Referenca[5] [Bedeutung] e kësaj fjale, pra, nuk mund të paraqitet kurrë si koncept, por vetëm si objekt. Faktin se ekziston diçka e tillë nuk do të kishte dashur ta kontestojë as Kerry. Por, me këtë do të lejohej dallimi, pranimi i të cilit është shumë i rëndësishëm, në mes të asaj që mund të paraqitet vetëm si objekt dhe çdo gjëje tjetër. E ky dallim nuk do të fshihej as atëherë nëse do të ishte e vërtetë ajo që mendon Kerry, se ekzistojnë koncepte që mund të jenë edhe objekte. Vërtet ka raste të cilat duket se mbështesin këtë pikëpamje. Unë vetë kam vënë në pah këtë (Bazat § 53, në fund) se koncepti mund të bjerë nën një koncept më të lartë, por kjo nuk duhet ngatërruar me suboridinimin e një koncepti nën një koncept tjetër. Kerry nuk apelon në këtë, por jep një shembull: “Koncepti ‘kalë” është koncept i kapshëm lehtë” dhe mendon se koncepti ‘kalë’ është objekt, dhe pikërisht një prej objekteve që bien nën konceptin ‘koncept i kapshëm lehtë’. Krejt e saktë! Dy fjalët, koncepti ‘kalë’ emërtojnë një objekt, por pikërisht për këtë arsye jo ndonjë koncept, ashtu si e përdor unë këtë fjalë. Kjo përputhet në mënyrë të përkryer me kriterin[6] që kam dhënë, sipas të cilit, nyja e shquar te njëjësi tregon gjithmonë ndonjë objekt, kurse nyja e pashquar shoqëron ndonjë fjalë për koncept [Begriffswort]. Kerry tani vërtet mendon se nuk mund të bazojmë asnjë rregull logjike mbi dallimet gjuhësore, por mënyra si e bëj unë këtë, është diçka që s’mund ta shmang askush që bën rregulla të tilla, sepse nuk mund ta kuptojmë njëri-tjetrin pa gjuhë dhe për këtë arsye në fund gjithmonë varemi nga besimi se tjetri i kupton fjalët, format dhe formimin e fjalisë në thelb ashtu sikur edhe ne vetë. Siç u tha tashmë, s’dua të jap definicion, por vetëm të lë të kuptohet me shenja, duke u thirrur me atë rast në ndjenjat e përgjithshme të gjuhës gjermane. Këtu mund të jetë për mua mjaft i dobishëm fakti se dallimi gjuhësor ndeshet shumë mirë me dallimin real. Te nyja e pashquar nuk mund të vërehet fare ndonjë përjashtim nga rregulla jonë, përveç formulave të lashta si “ein edler Rat” [“një këshilltar fisnik”]. Puna nuk është aq e thjeshtë te nyja e shquar, sidomos në shumës; por kriteri im nuk ka lidhje me këtë rast. Për sa shoh unë, te njëjësi puna është e dyshimtë vetëm atëherë kur ai qëndron në vend të shumësit, si në fjalitë “Turku e rrethoi Vjenën [der Türke belagerte Wien]”, “kali është kafshë katërkëmbëshe [das Pferd ist ein vierbeiniges Tier]”. Këto raste janë aq lehtë për t’u kuptuar si diçka e veçantë, saqë paraqitja e tyre vështirë se e dëmton vlerën e rregullës sonë. Është e qartë se në fjalinë e parë “Turku” është emër i përveçëm i një populli. Fjalia e dytë, ndoshta, mund të konsiderohet në mënyrën më të përshtatshme si shprehje e një gjykimi të përgjithshëm, si “të gjithë kuajt janë kafshë katërkëmbëshe” ose “të gjithë kuajt e formuar mirë janë kafshë katërkëmbëshe”, për çka do të flitet më vonë.[7] Kur Kerry e quan të papërshtatshëm kriterin tim, duke pohuar se në fjalinë “koncepti, për të cilin po flas tani, është koncept individual” emri që përbëhet nga shtatë fjalët e para emërton sigurisht një koncept, ai nuk e kupton fjalën “koncept” në kuptimin tim, e kontradikta nuk qëndron në postulatet e mia. Mirëpo, askush nuk mund të kërkojë që mënyra ime e të shprehurit duhet të përputhet me atë të Kerry-t.

Duhet pranuar se kur themi se koncepti kalë nuk është koncept[8] ndërsa, p. sh., qyteti Berlin është, megjithatë, qytet, e vullkani Vezuv është, megjithatë, vullkan, këtu sigurisht ekziston një ngathtësi e pashmangshme gjuhësore. Gjuha këtu gjendet në një telash, i cili justifikon devijimin nga e zakon­shmja. Se rasti ynë është rast i veçantë, Kerry këtë e sugjeron vetë me anë të thonjëzave te fjala “kalë”. Për të njëjtin qëllim unë përdor kursivin. S’ekzistonte asnjë arsye për të theksuar në mënyrë të ngjashme fjalët “Berlin” dhe “Vezuv”. Në hulumtimet logjike jo rrallë është ndier nevoja që të thuhet diçka për konceptin dhe që edhe ajo të vishet në formën e zakonshme për pohimet e tilla, që pikërisht pohimi të bëhet përmbajtje e predikatit gramatikor. Prandaj, si referencë e subjektit gramatikor do të pritej të ishte koncepti, por ai nuk mund të paraqitet ashtu për arsye të natyrës së tij predikative, por së pari duhet të shndërrohet në objekt ose, thënë më saktë, duhet të përfaqësohet nga një objekt[9] të cilin e emërtojmë me ndihmën e fjalës “koncepti”, të cilën e vendosim përpara, p. sh.,“koncepti njeri nuk është i zbrazët”.

Dy fjalët e para këtu duhen kuptuar si emër i përveçëm[10], i cili nuk mund të përdoret në mënyrë predikative, po aq pak sa edhe “Berlini” apo “Vezuvi”. Nëse themi: “Jezusi bie nën konceptin njeri”, atëherë predikati (nëse nuk e marrim parasysh këpujën) është që bie nën konceptin njeri” e kjo do të thotë [bedeutet] të njëjtën gjë si “njeri”. Por, sintagma koncepti “njeri” është vetëm pjesë e atij predikati.

Pavarësisht prej natyrës predikative të konceptit, mund të argumentohet se, megjithatë, bëhet fjalë për konceptin e subjektit. Por, edhe në raste të tilla si, p. sh., në fjalinë “të gjithë gjitarët kanë gjakun të kuq” nuk mund të mos pranohet natyra[11] predikative e konceptit; sepse në vend të kësaj mund të thuhet: “Ajo që është gjitar, ka gjakun të kuq” ose“nëse diçka është gjitar, atëherë ajo ka gjakun të kuq”.

Kur e shkrova veprën Bazat e aritmetikës nuk pata bërë ende dallimin midis kuptimit dhe referencës[12] dhe për këtë arsye në shprehjen “përmbajtje e gjykueshme” [beurteilbarer Inhalt] kam përmbledhur atë që tani duke e dalluar e emërtoj me fjalët “mendim” [Gedanke] dhe “vlerë e vërtetësisë” [Wahrheitswert]. Për këtë arsye tani nuk e miratoj më krejt tekstualisht shpje­gimin që kam dhënë atje në faqen 77, edhe pse në thelb ende mendoj njëjtë. Duke kuptuar “predikatin” dhe “subjektin” në kuptimin gjuhësor, mund të themi shkurt se: Koncepti është referenca e predikatit, e objekt është ajo që nuk mund të jetë kurrë referenca e plotë e predikatit, por mund të jetë gjithsesi referencë e një subjekti. Duhet të theksohet se fjalët “të gjithë”, “çdo”, “asnjë”, “disa” qëndrojnë para fjalëve për koncepte [Begriffswörtern]. Në fjalitë e përgjithshme dhe partikulare afirmative dhe negative i shprehim raportet mes koncepteve dhe me ato fjalë lëmë të kuptojmë mënyrën e caktuar të këtij raporti; ato, pra, s’duhet të lidhen logjikisht më afër me fjalën për koncept e që vjen pas tyre, por duhet të shtrihen në tërë fjalinë. Kjo shihet lehtë te mohimi. Nëse në fjalinë “të gjithë gjitarët janë banorë tokësorë” sintagma “të gjithë gjitarët” do ta shprehte subjektin logjik të predikatit janë banorë tokësorë, atëherë për ta mohuar tërësinë, duhet mohuar predikatin: “Nuk janë banorë tokësorë”. Në vend të kësaj, “nuk” duhet vendosur para “të gjithë”, nga e cila rrjedh se “të gjithë” logji­kisht i takon predikatit. Përkundrazi, fjalinë “koncepti gjitar është i nënrenditur konceptit banor tokësor” e mohojmë duke e mohuar predikatin “nuk është i nënrenditur konceptit banor tokësor”.

Nëse i përmbahemi mënyrës time të të folurit, se shprehjet si “koncepti F” nuk emërtojnë koncepte, por objekte, atëherë pjesa më e madhe e kundërshtimeve të Kerry-t bie poshtë. Kerry gabon kur mendon (f. 281) se unë e identifikoj konceptin [Begriff] dhe vëllimin e konceptit [Begriffsumfang]. Unë vetëm kam shprehur mendimin tim se në shprehjen “numri që i përket konceptit F është vëllimi i konceptit numerikisht i barabartë me konceptin F”. Fjalët “vëllim i konceptit” mund të zëvendësohen me fjalët “koncept”. Këtu shihet mirë se fjala “koncept” pastaj është e lidhur me nyjën e shquar. Veç kësaj, kjo ishte vetëm një vërejtje rastësore mbi të cilën s’kam themeluar asgjë.

Prandaj, përderisa Kerry-t nuk i shkon për dore ta kapërcejë humnerën mes konceptit dhe objektit, deklaratat e mia mund të interpretoheshin ashtu. Kam thënë[13] se dhënia e një numri përmban pohim për një koncept; unë flas për vetitë që i jepen konceptit dhe lejoj që koncepti të bie nën koncept më të lartë[14]. Ekzistencën e kam quajtur veti të konceptit. Një shembull do ta tregojë më së miri si e mendoj këtë. Në fjalinë “ekziston të paktën një rrënjë katrore e 4” nuk thuhet diçka në lidhje me numrin e veçantë 2, as për –2, por për konceptin, pikërisht për rrënjën katrore të 4, thuhet se ky nuk është i zbrazët. Por, nëse të njëjtin mendim e shpreh në këtë mënyrë: “koncepti rrënja katrore e 4 është i plotë”, atëherë pesë fjalët e para formojnë emrin e përveçëm të një objekti dhe për këtë objekt pohohet diçka. Por, shihet lehtë se ky pohim nuk është i njëjti si ai për konceptin. Kjo është e habitshme vetëm për dikë që nuk arrin të kuptojë se mendimi mund të zbërthehet shumëfish dhe që në këtë mënyrë si subjekt dhe si predikat paraqitet herë kjo e herë ajo. Mendimi vetëm nuk përcakton se çfarë duhet kuptuar si subjekt. Nëse themi: “Subjekti i këtij gjykimi”, atëherë emërtojmë diçka të veçantë vetëm në rast kur në të njëjtën kohë tregojmë për një lloj të veçantë të zbërthimit. Këtë e bëjmë në të shumtën e rasteve në lidhje me një formulim të caktuar. Por, ne nuk duhet të harrojmë kurrë se fjali të ndryshme mund ta shprehin të njëjtin mendim. Kështu në mendimin tonë do të mund ta gjenim edhe një pohim për numrin 4: “Numri 4 ka vetinë që ekziston diçka, katrori i të cilës është ai”.

Gjuha ka mjete që mundësojnë që si subjekt të paraqitet herë kjo e herë ajo pjesë e mendimit. Një nga mjetet më të njohura është dallimi i trajtave aktive dhe pasive. Prandaj, nuk është e pamundur që i njëjti mendim te një zbërthim të duket si mendim singular, te një tjetër si mendim partikular e të një zbërthim i tretë si mendim i përgjithshëm. Prandaj, nuk është e habitshme që e njëjta fjali mund të interpretohet si pohim për një koncept dhe, gjithashtu, si pohim për një objekt; vetëm se duhet të merret parasysh fakti se këto pohime janë të ndryshme. Në fjalinë “ekziston të paktën një rrënjë katrore e 4” fjalët “një rrënjë katrore e 4” nuk është e mundur t’i zëvendësojmë me fjalët “koncepti rrënja katrore e 4”: dmth. pohimi që i përshtatet konceptit, nuk i përshtatet objektit. Edhe pse fjalia jonë nuk e lë që koncepti të duket si subjekt ajo, megjithatë, pohon diçka për të. Kjo mund të kuptohet edhe në atë mënyrë sikur të shprehej rënia e një koncepti nën një koncept më të lartë.[15] Por, në këtë mënyrë nuk fshihet assesi dallimi në mes të objektit dhe konceptit. Së pari, vërejmë se në fjalinë “ka të paktën një rrënjë katrore të 4” konceptit nuk i mohohet natyra e tij predikative. Mund të themi “ekziston diçka që ka vetinë që e shumëzuar me veten jep 4”. Si për pasojë, s’mund të thuhet kurrë për objektin kjo që po thuhet këtu për konceptin, sepse emri i përveçëm s’mund të jetë kurrë shprehje për predikat, edhe pse ai mund të jetë pjesë e një shprehjeje të tillë. Nuk dua të them se është e gabuar të thuhet për objektin ajo që thuhet këtu për konceptin, por dua të them se është e pamundur, se është e pakuptimtë. Fjalia “është Jul Çezari [es gibt Julius Cäsar]” nuk është as e vërtetë, as e pavërtetë, por e pakuptimtë, edhe pse fjalia “Është një burrë [es gibt einen Mann] me emrin Jul Çezari” ka kuptim, por këtu kemi përsëri një koncept, siç mund ta shohim përmes nyjës së pashquar. Të njëjtën gjë e kemi në fjalinë “është vetëm një [es gibt nur ein] Vjenë”. Nuk duhet të na mashtrojë fakti se gjuha nganjë­herë të njëjtën fjalë e përdor herë si emër të përveçëm e herë si fjalë për koncept. Numërori këtu lë të kuptojmë se fjala është për këtë të fundit. “Vjenë” këtu është fjalë për koncept njësoj sikurse “metropol”. Në këtë kuptim mund të thuhet “Triesta nuk është Vjenë [Triest ist kein Wien]”. Nëse, përkundër kësaj, në fjalinë “koncepti rrënja katrore e 4 është i plotë”, emrin e përveçëm të formuar nga pesë fjalët e para e zëven­dësojmë me “Jul Cezari”, atëherë na rezulton një fjali që ka kuptim por që, megjithatë, është e pavërtetë; sepse plotësia, ashtu si kuptohet kjo fjalë këtu, mund të thuhet në të vërtetë vetëm për objektet e llojit krejt të veçantë, domethënë për të tillët që mund të emërtohen me anë të emrave të përveçëm të formës “koncepti F”. Por, fjalët “koncepti rrënja katrore e 4” në lidhje me zëvendësueshmërinë e vet sillen esencialisht ndryshe nga fjalët “rrënja katrore e 4” në fjalinë tonë origjinale, dmth. referencat [Bedeutungen] e këtyre dy sintagmave janë esencialisht të ndryshme.

Ajo që është treguar këtu me një shembull, vlen në përgjithësi: Koncepti sillet esencialisht në mënyrë predikative edhe atje ku thuhet diçka për të; për rrjedhojë, ai mund të zëvendësohet edhe atje përsëri vetëm me një koncept, e asnjëherë me një objekt. Pra, pohimi për koncept nuk i përshtatet fare objektit. Konceptet e shkallës së dytë, nën të cilët bien konceptet, janë esencialisht të ndryshme nga konceptet e shkallës së parë, nën të cilët bien objektet. Raporti i objektit ndaj konceptit të shkallës së parë, nën të cilin bie ai, është i ndryshëm nga raporti megjithëse i ngjashëm i konceptit të shkallës së parë ndaj konceptit të shkallës së dytë. Me qëllim që krahas ngjashmërisë të arsyetohet edhe dallimi, ndoshta mund të thuhet se objekti bie nën konceptin e shkallës së parë, kurse koncepti bie nën konceptin e shkallës së dytë. Dallimi në mes të konceptit dhe objektit, pra, mbetet në krejt mprehtësinë e tij.

Me këtë ka lidhje ajo që kam thënë në § 53 të veprës sime Bazat mbi mënyrën time të përdorimit të fjalëve “veti” [Eigenschaft] dhe “tipar” [Merkmal]. Vërejtjet e Kerry-t më japin shkas që t’i kthehem përsëri kësaj pike. Fjalët “veti” dhe “tipar”shërbejnë për emërtimin e raporteve në fjalitë siç janë “Φ është veti e Γ” dhe “Φ është tipar i Ω”. Sipas mënyrës time të të shprehurit, diçka mund të jetë njëkohësisht veti dhe tipar, por jo i të së njëjtës gjë. Konceptet, nën të cilat bie objekti, i quaj veti të tij, kështu që “të qenët Φ është veti e Γ” është vetëm një shprehje tjetër për “Γ bie nën konceptin e Φ”.

Nëse objekti Γ ka vetitë ΦΧ dhe Ψ, atëherë këto mund t’i përmbledh në Ω, kështu që është njëlloj a them se Γ ka vetinë Ω apo që Γ ka vetitë ΦΧ dhe Ψ. Pastaj ΦΧ dhe Ψ i quaj tipare të konceptit Ω dhe njëkohësisht veti të Γ. Është e qartë se raporti i Φ ndaj Γ është raport krejt tjetër nga raporti i Φ ndaj Ω, dhe se për këtë arsye kërkohet një emërtim ndryshe. Γ bie nën konceptin Φ, por Ω, i cili edhe vetë është koncept, nuk mund të bie nën konceptin e shkallës së parë Φ, por mund të qëndronte vetëm në raport të ngjashëm ndaj konceptit të shkallës së dytë. Ω, në anën tjetër, është i nënrenditur ndaj Φ.

Le të shikojmë një shembull lidhur me këtë! Në vend se të themi: “2 është numër pozitiv” dhe “2 është numër i plotë” dhe “2 është më i vogël se 10”,mund të themi “2 është numër i plotë pozitiv më i vogël se 10”.

Këtu të qenët numër pozitiv,qenët numër i plotë,të qenët më i vogël se 10, paraqiten si veti të objektit 2, por në të njëjtën kohë edhe si tipare të konceptit numër i plotë pozitiv më i vogël se 10.

Ky nuk është as numër pozitiv, as numër i plotë e as më i vogël se 10. Edhe pse ai i nënrenditet konceptit numër i plotë, megjithatë ai nuk bie nën të.

Le të krahasojmë tani me këtë çfarë thotë Kerry në artikullin e tij të dytë në faqen 424: “Me numrin 4 kuptohet rezultati i lidhjes aditive 3 dhe 1. Objekti konceptual i konceptit të dhënë në këtë mënyrë është individi numerik 4, një numër krejt i caktuar i vargut të numrave natyrorë. Ai objekt duket qartë në vetvete bart pikërisht ato tipare që janë të emërtuara në konceptin e tij dhe – nëse heqim dorë t’ia llogaritim si propria të tij të gjitha raportet numerikisht infinite që ka me të gjithë numrat e tjerë individualë, gjë që natyrisht se duhet të heqim dorë – asgjë tjetër: “ky” 4 [‘die’ 4] është, gjithashtu, rezultati i lidhjes aditive 3 dhe 1”.

Shihet menjëherë se këtu është zhdukur plotësisht dallimi që kam bërë unë në mes vetisë dhe tiparit. Kerry këtu bën dallimin në mes numrit 4 dhe “këtij” numri 4 [“der” Zahl 4]. Më duhet të pranoj se ky dallim për mua është i pakuptue­shëm. Numri 4 duhet të jetë koncept:“ky” numër 4 duhet të jetë objekt konceptual dhe asgjë tjetër përveç individ numerik 4. Nuk ka nevojë që të jepet ndonjë arsyetim që këtu nuk ekziston dallimi im në mes të konceptit dhe objektit. Gati duket sikur Kerry këtu – edhe pse krejt paqartë – ka parasysh dallimin që kam bërë në mes të kuptimit dhe referencës së fjalëve “numri 4”.[16] Por, vetëm për referencën mund të themi se është rezultat i lidhjes aditive 3 dhe 1.

Si duhet kuptuar tani atë “është” në fjalitë “numri 4 është rezultati i lidhjes aditive 3 dhe 1” dhe “‘ky’ numër 4 është rezultati i lidhjes aditive 3 dhe 1”? A është këpujë e thjeshtë apo ndihmon për të shprehur një ekuacion logjik? Në rastin e parë do të duhej të mungonte nyja e shquar te fjala “rezultat” dhe fjalitë tani do të dukeshin diçka si: “numri 4 është rezultat i lidhjes aditive 3 dhe 1” dhe “‘ky’ numër 4 është rezultat i lidhjes aditive 3 dhe 1”.

Tani do të kishim atë rastin që objektet që Kerry i emërton me “numri 4” dhe “‘ky’ numër 4“të binin nën konceptin rezultat i lidhjes aditive 3 dhe 1”.

Atëherë pyetja e vetme që do të shtrohej do të ishte se çfarë dallimi ka në mes këtyre objekteve. Unë këtu fjalët “objekt” dhe “koncept” po i përdor në mënyrën e zakonshme për mua. Atë çfarë duket se dëshiron të thotë Kerry, unë do ta thosha kështu: “Numri 4 ka si veti vetëm dhe vetëm atë që ka si tipare koncepti rezultat i lidhjes aditive 3 dhe 1”.

Atëherë kuptimin e fjalive tona të para do ta shprehja si më poshtë: “Të qenët numër 4 është e njëjta gjë si të qenët rezultat i lidhjes aditive 3 dhe 1”; e pastaj ajo që posa e supozova si opinion të Kerry-t, do të mund të jepej edhe kështu: “Numri 4 ka si veti atë dhe vetëm atë që koncepti numër 4 ka si tipar”.

Se a është kjo e vërtetë, këtu mund të mbetet e pavendosur. Në fjalët “‘ky’ numër 4” do të mund ta hiqnim nga thonjëzat nyjën e shquar.

Por, te këto përpjekje interpretimi kemi presupozuar se nyjat e shquara para “rezultat” dhe “numër 4” janë vendosura të paktën në njërën prej fjalive vetëm gabimisht. Le të marrim fjalët siç janë, atëherë kuptimin e tyre mund ta kuptojmë vetëm si ekuacioni logjik, si “numri 4 [die Zahl 4] s’është gjë tjetër veçse rezultati [das Resultat] i lidhjes aditive 3 dhe 1”.

Nyja e shquar para “rezultat” logjikisht këtu justifikohet vetëm kur pranohet, 1. se ekziston një rezultat i tillë, 2. se nuk ekziston më shumë se një. Atëherë kjo sintagmë emërton një objekt dhe duhet kuptuar si emër i përveçëm. Në rast se dy fjalitë tona do të duhej të kuptoheshin si ekuacione logjike, nga to do të rridhte se anët e djathta do të përputheshin në atë se numri 4 është “ky” numër 4 ose, nëse duam më mirë, se numri 4 s’është asgjë tjetër përveç “ky” numër 4, me çka do të provohej të jetë i pavlefshëm dallimi që bën Kerry. Megjithatë, nuk është puna ime këtu t’i zbuloj kontradiktat në ekspozimin e tij. Në fakt, s’më intereson çfarë kupton ai me fjalët “objekt” dhe “koncept”; me këtë vetëm dua të hedh dritë mbi përdorimin tim të këtyre fjalëve dhe të tregoj se ai ndryshon gjithsesi nga përdorimi i tij, pa marrë parasysh se a është konsistent ky përdorim apo jo.

Unë s’po ia kontestoj Kerry-t të drejtën që ai t’i përdorë fjalët “objekt” dhe “koncept” në mënyrën e vet, por do të doja që të njëjtën të drejtë ta rezervoj edhe për vete dhe të pohoj se me emërtimin tim kam kapur dallimin e rëndësisë më të lartë. Unë e pranoj se për lexuesin ekziston një pengesë e veçantë për të më kuptuar, që domethënë me një domosdoshmëri të caktuar gjuhësore, shprehjet e mia, marrë fjalë për fjalë, nganjëherë e huqin mendimin tim, duke emërtuar një objekt atje ku nënkuptohet një koncept. Jam plotësisht i vetëdijshëm se në raste të tilla mbështetem në një mirësi dashamirëse të lexuesit që nuk kursen me një kokërr kripë.

Ndoshta dikush mendon se kjo vështirësi është bërë artificialisht, se s’duhet marrë fare parasysh diçka e pamena­xhueshme si ajo që unë e quajta koncept, dhe se me Kerry-n rënia e një objekti nën një koncept mund të kuptohet si raport, në të cilin e njëjta gjë paraqitet njëherë si objekt e herën tjetër si koncept. Fjalët “objekt” dhe “koncept” atëherë do t’i shërbenin vetëm asaj që ta tregojmë qëndrimin e ndryshëm në këtë raport. Kjo mund të bëhet, por ai që beson se në këtë mënyrë shmanget vështirësia, gabon shumë. Ajo kështu vetëm është lëvizur, sepse nga pjesët e një mendimi, nuk lejohet të jenë të gjitha të mbyllura, por të paktën njëra duhet të jetë e pangopur ose predikative, përndryshe ato nuk do të ngjiteshin bashkë. Kështu, p. sh., kuptimi i sintagmës “numri 2” nuk ngjitet me kuptimin e shprehjes “koncepti numër prim” pa një mjet lidhës. Lidhëzën e tillë e përdorim në fjalinë “numri dy bie nën konceptin numër prim”. Ajo është e përmbajtur në fjalët “bie nën”, të cilat kanë nevojë për plotësim në mënyrë të dyfishtë: me subjekt dhe me akuzativ. Dhe vetëm me këtë pangopësi të kuptimit të tyre, ato mund të shërbejnë si lidhëz. Vetëm kur janë të plotësuara në këtë aspekt të dyfishtë, kemi një kuptim të përfunduar, kemi mendimin. Për fjalët ose sintagmat e tilla them se emërtojnë një raport. Te raporti kemi të njëjtën vështirësi që donim ta shmangnim te koncepti, sepse me fjalët “raporti i rënies së objektit nën koncept” nuk emërtojmë ndonjë raport, por një objekt, kurse tre emrat e përveçëm: “numri 2”, “koncepti numër prim”, “raporti i rënies së një objekti nën një koncept”, sillen njësoj ngathët ndaj njëra-tjetrës, sikurse edhe vetëm dy të parat; sido që t’i bashkojmë, nuk na rezulton ndonjë fjali. Në këtë mënyrë e shohim lehtësisht se mund ta lëvizim vështirësinë që qëndron në pangopshmërinë e një pjese të mendimit, por jo edhe të shmanget ajo. “E përmbyllur” dhe “e pangopur” janë vërtet shprehje vetëm figurative, por ajo që dua dhe mund të jap këtu janë vetëm shenja që lënë për t’u kuptuar.

Të kuptuarit mund të lehtësohet nëse lexuesi krahason shkrimin tim Funksioni dhe koncepti. Pikërisht te pyetja se çfarë quhet funksion në analizë, hasim në të njëjtën pengesë. Kurse gjatë shqyrtimit më të hollësishëm do të gjejmë se është e ngulitur në vetë çështjen dhe në natyrën e gjuhës tonë që nuk mund t’i shmangemi njëfarë papërshtatshmërie të shprehjes gjuhësore dhe që nuk mbetet asgjë tjetër përveç që të vetëdijësohemi për të dhe të llogarisim gjithmonë edhe me të. /Revista “Akademia”/

______________
[1] Ai është pikërisht referenca e predikatit gramatikor.
[2] Fjalën “i barabartë” dhe shenjën “=” i përdor në kuptimin e “i njëjtë si”, “asgjë më shumë se”, “identik me”. Krh. Schröder Vorlesungen über die Algebra der Logik (Leipzig, 1890) vëllimi 1 § 1, por duhet bërë kritikë Schröder-it se këtu nuk bën dallimin mes dy raporteve fundamentalisht të ndryshme: të rënies së ndonjë objekti nën koncept [subsumimi] dhe subordinimit të konceptit nën një koncept tjetër. Gjithashtu, edhe vërejtjet për rrënjën e plotë [Vollwurzel] japin shkas për dyshime. Shenja € te Schröder nuk qëndron thjesht për këpujën.
[3] Krh. fusnotën në veprën time Bazat § 66.
[4] Krh. fusnotën në veprën time Bazat § 51.
[5] Krh. artikullin tim Über Sinn und Bedeutung që do të botohet pas pak në Zeitschrift f. Phil. u. phil. Kritik. [Botimi shqip Mbi kuptimin dhe domethënien, e përkthyer nga K. Shtufi dhe e botuar në vitin 1999 në revistën Fryma e filozofisë 1(1), f. 5-28]
[6]Bazat § 51, § 66 shënimi, § 68 shënimi, f. 80.
[7] Duket se njerëzit tash janë të prirë të teprojnë për domenin e pohimit se si shprehjet e ndryshme gjuhësore nuk mund të jenë kurrë plotësisht të barasvlefshme dhe se një fjalë nuk mund të pasqyrohet saktësisht në një gjuhë tjetër. Ndoshta mund të shkojmë edhe më tej dhe të themi se as nga njerëzit e një gjuhe të njëjtën fjalë nuk e kuptojnë krejt njëjtë. Nuk dua të hulumtoj se sa të vërtetë ka në këtë punë, por dua vetëm të theksoj se në shprehje të ndryshme, megjithatë, jo rrallë ka diçka të përbashkët të cilën unë e quaj kuptim [Sinn], kurse te fjalitë e quaj mendim [Gedanke]; me fjalë të tjera: duhet pranuar se i njëjti kuptim, i njëjti mendim mund të shprehet në mënyra të ndryshme, me ç’rast dallimi nuk është dallim i kuptimit, por vetëm dallim i pikëpamjes [Auffassung], i ndriçimit [Beleuchtung], i ngjyrimit [Färbung] të kuptimit [Sinnes] dhe për logjikën ky dallim është i parëndësishëm. Është e mundur që ndonjë fjali të mos japë as më shumë e as më pak informacion se një fjali tjetër; e pavarësisht nga krejt shumëllojshmëria e gjuhëve, njerëzimi ka një thesar të përbashkët të mendimeve. Po të donim të ndalonim çdo riformim të shprehjeve me procedurën që në atë mënyrë të ndryshohej edhe përmbajtja, atëherë logjika pothuajse do të paralizohej, sepse detyra e saj nuk mund të zgjidhet, nëse nuk bëhet përpjekje t’i njohim mendimet në petkat e tyre të llojllojshme. Gjithashtu, çdo definicion atëherë do të duhej të hidhej si e gabuar.
[8] E njëjta gjë ndodh kur në lidhje me fjalinë “ky trëndafil është i kuq” themi se predikati gramatikor “është i kuq” i takon subjektit “ky trëndafil”. Fjalët “predikati gramatikor ‘është i kuq’” këtu nuk janë predikat gramatikor, por subjekt. Pikërisht me vetë faktin se këtë në mënyrë eksplicite e quajmë predikat, ia heqim atë veti.
[9] Krh. veprën time Bazat, f. X.
[10] Emër të përveçëm quaj çdo shenjë për ndonjë objekt.
[11] Ajo që këtu e quaj natyrë predikative e konceptit, është rast i veçantë i nevojës së plotësimit ose të pangopësisë, të cilat në shkrimin tim Funksioni dhe koncepti (Jenë, 1891) i kam dhënë si karakteristika thelbësore për funksionin. Shprehja “funksioni f (x)” atje ishte e pashmangshme, edhe pse edhe atje u paraqit vështirësia që referenca e atyre fjalëve nuk është funksion.
[12] Krh. artikullin tim Mbi kuptimin dhe referencën [Über Sinn und Bedeutung] në revistën Zeitschrift f. Phil. u. phil. Kritik. [Shqip e përkthyer nga K. Shtufi dhe e botuar në vitin 1999 në revistën Fryma e filozofisë 1(1), f. 5-28]
[13] Bazat, § 46.
[14] Bazat, § 53.
[15] Në Bazat e mia konceptin e tillë e kam quajtur koncept të rendit të dytë, kurse në shkrimin tim “Funksioni dhe koncepti” e kam quajtur koncept të shkallës së dytë, gjë që dua ta bëj edhe këtu.
[16] Krh. artikullin tim që citova më lart Mbi kuptimin dhe referencën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Hasan Bello Kujtimet e Dushan Mugoshës (7 janar 1914…