Me bllokada e lodhje, lufta në Ukrainë hyn në vitin e tretë

25 shkurt 2024 | 11:29

Njëzet e katër shkurti i vitit 2022 solli në Evropë luftën, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Atë ditë, presidenti rus, Vladimir Putin, përmbushi një ambicie që e mohonte: dërgoi mbi 200.000 trupa përtej kufirit me Ukrainën. Qëllimi tha se ishte “ta çmilitarizonte dhe denazifikonte” fqinjin dhe jo ta pushtonte me forcë.

“Rusia nuk mund të ndihet e sigurt, të zhvillohet dhe të ekzistojë kur ka një kërcënim të vazhdueshëm që buron nga territori i Ukrainës moderne”, tha Putin.

Ai nuk solli ndonjë provë për pretendimet e tij dhe, në po të njëjtën ditë, mori përgjigjen e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Ne nuk kemi frikë, nuk kemi frikë nga asgjë. Nuk kemi frikë ta mbrojmë vendin tonë, nuk kemi frikë nga Rusia, nuk kemi frikë të flasim me Rusinë, nuk kemi frikë të flasim për asgjë”, tha Zelensky.

Dy vjetët e luftës që pasuan, sollën pasoja shkatërruese për njerëzit në Ukrainë. Sipas të dhënave që publikuan Kombet e Bashkuara në nëntor të vitit të kaluar, mbi 10.000 civilë u vranë, në mesin e tyre mbi 560 fëmijë. Shifrat reale, megjithatë, besohet të jenë shumë më të larta. Muajin e kaluar, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se mbi 14.6 milionë njerëz, apo rreth 40 për qind e popullsisë së Ukrainës, kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare.

Katër milionë njerëz mbeten ende të zhvendosur brenda vendit, ndërsa mbi 6.3 milionë të tjerë vazhdojnë të jetojnë si refugjatë nëpër botë.

Në fushën e betejës, ndërkaq, të dyja ushtritë pothuajse janë bllokuar. Ato nuk arritën të bëjnë ndonjë përparim të rëndësishëm gjatë pjesës më të madhe të vitit 2023, e as në fillim të vitit 2024.

Në luftë, kjo situatë njihet si ngërç, që do të thotë se asnjëra palë nuk ka mjaftueshëm ushtarë, armë apo municione për të kaluar në epërsi. Ukraina, sidoqoftë, arriti të kthente rreth gjysmën e territorit të marrë nën kontroll nga Rusia në muajt e parë të luftës. Por, kostoja ishte e lartë.

Ekspertët amerikanë vlerësuan në gusht të vitit të kaluar se 75.000 ushtarë ukrainas janë vrarë, nga 200.000 sa ishte forca fillestare luftarake.

Sondazhet e fundit sugjerojnë se përkushtimi i ukrainasve ndaj luftës, është duke rënë. Një sondazh i Institutit Kombëtar Demokratik të Ukrainës, i publikuar muajin e kaluar, tregoi se në janar të vitit 2023, 29% e ukrainasve donin ose ishin të gatshëm që Ukraina të negocionte fundin e luftës me Rusinë. Në nëntor të po këtij viti, ky numër shkoi në 42%.

Ukraina është absolutisht e varur nga furnizimet me armë nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë, për të vazhduar luftën kundër Rusisë, e cila është një forcë shumë më e madhe ushtarake.

Por, pas miliardave të derdhura në vendin e pushtuar, në Perëndim ka nisur tashmë edhe ndjenja e lodhjes. Në SHBA, për shembull, republikanët janë duke bllokuar një paketë disamiliardëshe për Ukrainën.

BE-ja e miratoi një paketë të re në fillim të këtij muaji, por fillimisht ajo ishte kundërshtuar nga Hungaria.

E gjithë kjo situatë bëri që sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të tërhiqte edhe një herë vërejtjen se fitorja e Ukrainës nënkupton siguri edhe për pjesën tjetër të kontinentit.

“Putin duhet të kuptojë se nuk do ta arrijë atë që do në fushën e betejës. Ne, nëse duam paqe të qëndrueshme, duhet të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës armë dhe municion”, tha Stoltenberg javën e kaluar.

Matthew Schmidt, ekspert i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë pranë Universitetit New Haven në SHBA, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se mbështetja për Ukrainën siç ishte deri më tash, vështirë se do të mund të vazhdojë.

“Unë mendoj se ka shumë mbështetje dhe shumë vullnet për të përkrahur rindërtimin e Ukrainës, hyrjen e saj në BE dhe lulëzimin e ekonomisë dhe të shoqërisë së saj. Për këtë, njerëzit mendojnë se Ukraina duhet t’i ndalë luftimet”, thotë ai.

Edhe pse mbështetja për Ukrainën mes evropianëve mbetet e lartë, mezi 10% e tyre besojnë se ajo mund ta mposhtë Rusinë, tregoi një sondazh i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, i publikuar këtë muaj. Sipas tij, shumica e të anketuarve e shohin “zgjidhjen e kompromisit” si opsion më të mundshëm.

Por, presidenti rus, Putin, përsërit vazhdimisht se lufta nuk do të përfundojë me kapitullimin e ushtrisë së tij, ndërsa ai i Ukrainës, Zelensky, thotë se nuk bën kompromis për territoret e pushtuara.

Schmidt, nga Universiteti New Haven, beson se Ukraina do të fitojë. Sipas tij, kjo nuk është pyetja.

“Pyetja është se si do ta arrijë fitoren. Unë mendoj se opsioni më i mundshëm është që Ukraina të negociojë. Ndërkohë do të përpiqet të fitojë sa më shumë territore, për ta nxjerrë Rusinë në disavantazh në tryezën e bisedimeve”.

“Ajo nuk do të heqë dorë nga pretendimet ligjore mbi territoret e humbura, dhe do të kërkojë nga vendet e tjera të botës që ta ndihmojnë në rindërtimin e ekonomisë. Dhe kështu do të bëhet si Berlini Lindor dhe Berlini Perëndimor. Qytetarët që do të jenë nën pushtimin rus, nuk do të duan të jetojnë gjatë nën atë regjim, dhe do të kërkojnë liri nga sundimtarët e tyre. Por, kjo sigurisht se mund të marrë 10 deri në 20 vjet kohë”, thotë Schmidt.

William Courtney, nga Instituti Rand Corporation në SHBA, thotë për Exposenë se agresioni në Ukrainë, i ka kushtuar shumë Rusisë. Në njërën anë ka humbur dhjetëra-mijëra ushtarë dhe sasi të madhe armatimi dhe, në anën tjetër, ka humbur tregun e gazit natyror në Evropë, që ka qenë shumë i rëndësishëm për të. Courtney, megjithatë, është më i rezervuar në parashikime.

“Është shumë e vështirë të parashikohet. Ka pasur shumë befasi në këtë luftë. Ju kujtohet kur, në fillim të saj, disa ekspertë në Perëndim kanë parashikuar se forcat ruse do ta rrethojnë Kievin brenda 72 orësh. Kjo nuk ka ndodhur. Në fakt, Rusia nuk ka qenë në gjendje të marrë kontrollin e asnjërit prej tri qyteteve të mëdha: Kievit, Harkivit apo Odesës. Andaj, nuk duhet të bëjmë shumë parashikime”, thotë Courtney.

Sipas disa dokumenteve që rrodhën nga inteligjenca amerikane në muajin dhjetor, në Ukrainë u vranë ose u plagosëm 315.000 trupa ruse që nga fillimi i luftës. Rusia besohet të ketë humbur edhe mijëra tanke dhe automjete luftarake të këmbësorisë.

Courtney vë re se në Rusi ka, siç thotë ai, “shenja të stresit politik dhe social”. Sipas tij, ndryshimi i regjimit në këtë vend është një mundësi.

“Rusia po bëhet gjithnjë e më represive me kalimin e kohës. Në mbi tri dekada të pavarësisë moderne, Rusia nuk ka qenë kurrë më represive brendapërbrenda dhe kurrë më agresive jashtë vendit. Pra, deri diku, ky është një lloj i territorit të ri”, thotë Courtney.

Analistët pajtohen se ngërçi aktual në luftë do të vazhdojë edhe për një kohë dhe se të dyja vendet do të duhet të mobilizojnë më shumë trupa. Ata thonë se mobilizimi në Rusi nuk pritet të ndodhë para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Në Ukrainë – popullsia e së cilës është më pak se një e treta e madhësisë së popullsisë ruse – ata parashohin më shumë vështirësi në mobilizimin e forcave të nevojshme. Ndërsa, negociatat nuk i shohin si opsion të realizueshëm as këtë vit.

Putin, prej shumë kohësh, e ka mohuar shtetësinë e Ukrainës. Në një ese të gjatë, të botuar në ueb-faqen e Kremlinit në korrik të vitit 2021, ai ka shkruar se “rusët dhe ukrainasit kanë qenë një popull” – duke iu referuar kështu epokës së shekullit 9.

Ai vazhdimisht i bën thirrje Perëndimit që të mos e armatosë Ukrainën.

Por, presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se Perëndimi do ta mbështesë atë “për aq kohë sa ka nevojë”.

Gjërat, megjithatë, mund të ndryshojnë nga viti i ardhshëm nëse Donald Trump rizgjidhet president i SHBA-së. Trump, i cili pritet ta sfidojë sërish Bidenin në zgjedhjet e këtij nëntori, ka thënë se ka qenë “marrëzi” e SHBA-së që u ka dhënë vendeve të huaja ndihmë, në vend të kredisë. Trump ka qenë vazhdimisht kritik ndaj përfshirjes së SHBA-së në luftën në Ukrainë, duke thënë se evropianët që janë më të shqetësuar për agresionin rus, duhet të shpenzojnë më shumë për ta luftuar atë.

Sipas të dhënave të Institutit gjerman Kiel, që nga fillimi i luftës, BE-ja dhe aleatët e saj rajonalë kanë shpenzuar më shumë se 100 miliardë dollarë për financimin e përpjekjeve të Ukrainës për mbrojtje.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Java e 22-të në Superligën e Kosovës do të mbyllet…