Me kapele, mjekër e tatuazhe! Momenti i arrestimit të Lul Berishës në Spanjë

14 dhjetor 2023 | 23:18

Zbardhen pamjet nga momenti i arrestimit të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, arratia 3-vjeçare e të cilit mori fund mëngjesin e së enjtes në Spanjë.

Me kapele, syze optike, mjekër dhe tatuazhe, Berisha shihet i transformuar komplet nga imazhi i tij në listën e personave në kërkim. Ish-kreu i bandës së Durrësit i arrestua në Madrid të Spanjës falë bashkëpunimit të strukturës Fast shqiptare dhe asaj të Spanjës.

Në vitin 2020 Lulzim Berisha u shpall në kërkim nga SPAK për 2 vrasje të ndodhura në 2005-ën, atë të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, të cilat hetuesit i zbardhën me 15 vite vonesë. Më vonë çështja ndaj Vajdin Lames u pushua dhe vijonte vetëm për Klodian Saliun.

Përveç vrasjeve, emri i Lulëzim Berishës lidhet edhe me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Ai u arrestua më 6 prill të vitit 2006 për 10 akuza, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera në vitet 98-99.

Më 16 janar të vitit 2012, Gjykata e Krimeve të Rënda të kohës e dënoi me burgim të përjetshëm për 6 vrasje, por Gjykata e Larta, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe vendosi dënimin me 25 vite burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Lulzim Berisha qëndroi 10 vjet e tetë muaj në burg deri kur më 5 dhjetor të vitit 2016, u lirua me kusht nga burgu dhe u punësua në Bashkinë e Durrësit, me një vendim të diskutueshëm të Gjykatës së Apelit.

Por më 27 maj të vitit 2022, ishte Gjykata Kushtetuese ajo që vendosi për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, që duket se fshihej në Spanjë për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Italia, Japonia dhe Britania kanë bashkuar forcat duke hedhur firmat…