ME SKËNDERBEUN NË UDHËTIMIN E GJATË DERI NË HYRJE TË LAGJES 21 KUR LËSHOI GRAHMAT E FUNDIT E THA: PO VDESIM!

17 janar 14:39

Pal Ndrecaj

U takuam me të në lagjen 15

Po shkoj tha
Shqipërinë ua ruajta për lavd të Zotit
do të jem përseri me ju në rrugë

Vazhdova ecjen
që nga udha e parë e lagjes vijuese
rrugët merrnin kryeneçësisht teposhtë
fundit fundin t`ia preknin

Mbi secilën udhë nga eca
qielli i vranët ngrysej me fytyrën e Imzotit
që qante për ne

Në Kishën e Shën Kollit në Lezhë i lutej Marisë
Nano ruajma Shqipnine siç ta rujta T`yt Bir

Vetë e pashë me sytë e mi
me Formulën e Palit në dorë
duke bredhur maleve shtëpi më shtëpi
pastaj kur e shikoi veten në Historinë e Barletit
kur shkoi të Buzuku ia puthi Mesharin
kur I thirri Bogdanin e Budin e u tha:
shkoni e predikoni falas keni marrë falas jepni

Pastaj shkoi në Stamboll takoi Naimin
(në kokë të Gjonit bëri be se shumë i ngjante)
e futi në një kthinë dhe i tha të bënte çmos
që të dërgoheshin sa më shumë libra në Shqipëri

Një copë të mirë udhe
ia mori kalin për dore Dhaskal Todhrit që të mos vonohej
dhe shkoi në Manastir t`i bekojë Germat

Se pë kë i çoi fjalë Ismail Qemalit
të dilte në Vlorë

Ditën e madhe nxirrte herë njërin sy
Në një krahinë herë tjetrin në tjetrën
dhe qeshte me fytyrat e gjithë arbërve

Pas shumë e shumë mundimesh
u përpoq të hyjë në ndërtesën e Komitetit Qendror
t`i qortoje burrat e t`u thosh të kthehen

Xhaxhi i tha se s`kishte kohë të ndalej
po provonte variantin Stalin të Internacionales
dikush, duhet të ketë qenë i fraksionit,
i tha ik se po bëhen gati të të vrasin

Meqë aty askush s`e priti as e dëgjoi
u hidhërua shumë
dhe vendosi t`i bjere kryq e tërthorë Shqipnisë
t`i ftojë trimat ta rrëzojnë qeverinë

Në udhë e takoi Odhise Paskali
i cili duke parë rrezikun
që i kanosej Imzotit
ta veshi në bronz
dhe e vuri në kalë me shpatën e zhveshur
dhe ta vendosi krejt afer ndërtesës së Komitetit Qendror
dhe kështu ia lagu Enverit
i cili nga urrejtja e zilia
u fut edhe vet në një përmendore bronzi

Skulptori, meqë për shkak të cezurës
s`mundi ta thoshte ndryshe
se xhaxhi s`i shte njeri,
e bëri përmendoren disa metra të lartë
duke iu shmangur përmasave reale
skulptura fliste për xhaxhin përbindësh

Gjatë viteve të Partisë
herë-herë i thoshte ndonjë fjalë lavdie komunizmit
(sic ia lypte mënyra e të sjellurit me diplomaci)
dhe s`duhet parë për të madhe
nëse e barti librezën e kuqe

Përpak do të kishte dhënë shpirt
po të mos e pinte një pikë ujë në Bujan
i vizitoi të gjitha kufomat në Tivar e Drenicë
i lavdëroi dhe pasi i puthi të gjithat në ballë
vendosi të ikë jashtë
ta afirmojë çështjen shqiptare në botë.

Bujti një natë te Jusufi, Bardhoshi e Kadria
dhe pasi i dëgjoi deri në fund ua vuri dorën në kokë
që të mos i frikësojë vdekja

Më 1989 u kthye në Prishtinë
dhe e këshilloi Rugovën
të ruante popullin nga shfarosja

Duke e njohur pozicionin strategjik të Shqipërisë në botë
dhe kundërthëniet mes blloqeve
thirri të kthehemi në rreshtat e Tij

Këtë të rrallët e ndien
dhe edhe më të rrallët guxuan ta dëshmojnë

Në këtë e sipër u ngrit Xajë Nura
Dhe lëshoi një “Traktat poetik për ungjillizimin e jetës”

Pastaj shkoi te Nënë Tereza
qe të mos linin dilema rreth përkatësisë
e thanë bashkë një lutje shqip

Nxitoi me vrap në Biblioteka dhe lexoi
gjithë ç`ishte shkruar për të e për Shqipërinë
nga ca sirtarë gjeti të shkruar se ishte tradhtar
armiku më i madh i shqiptarëve e i perandorisë mike
bile edhe se s`dihet nëse ka vdekur turk apo arbër

Gjergji kap kokën me dorë dhe nga mërzia shkul mjekrrën
ngriti shpatën nga qielli e tha:
shumë punë do të keni me armiqtë!

Nga “Akti i krijimit”, Prishtinë 1998

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 38-vjetorit të rënies së tre dëshmorëve të…