Medalja Presidenciale nga Izraeli-çmim për gjithë kombin shqiptar

08 prill 2025 | 16:22

Lulëzim ETEMAJ

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nderuar dje, më 7 prill 2025 nga presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, me Medaljen Presidenciale të Nderit, urdhri më i lartë civil i Izraelit.
Ky çmim u ndahet personaliteve të rëndësishëm botëror në politikë, dhe në këtë rast vjen si nderim për besën tonë shqiptare si dhe shembullin që kombi ynë i dha botës duke mos e dorëzuar asnjë hebre, tolerancën tonë fetare dhe etnike të dëshmuar ndër shekuj.
“Nder i madh t’u uroj mirëseardhjen në rezidencën presidenciale dhe t’u jap medalje presidenciale të nderit të Izraelit, urdhri më i lartë civil i Izraelit. Kjo medalje nderon ata si ju që kanë ndriçuar botën me udhëheqje të jashtëzakonshme, që kanë dëshmuar miqësinë e guximshme me popullin hebre. Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritet ndihet në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar, gjatë Holokaustit, shqiptarët ishin simbol nderi dhe kurajo që u dhanë strehë hebrenjve që arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës. Kjo thirrje integriteti e nderi e popullit tuaj gjen jehonë fort në udhëheqjen tuaj”, ka thënë me këtë rast presidenti Isaac Herzog.
“Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, popullit shqiptar, në emër të gjithë shqiptarëve myslimanë e krishterë që vendosën jetën në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë modern dhe e kthyen vendin tim, në të vetmin vend në Evropë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj se sa në fillim të saj”, tha kryeministri Rama.


Sipas të dhënave historike, shqiptarët shpëtuan së paku 3280 hebrenj gjatë kohës së Holokaustit. Në periudhën kohore 1933-1944, Shqipëria i strehoi, i mori në mbrojtje dhe i shpëtoi jo vetëm hebrenjtë vendas, por edhe të gjithë ata që pa u penguar nga autoritet e saj ia arritën të hynin në Shqipëri nga vendet e ndryshme të Evropës.
Gjurmët e shpëtimit të tyre gjenden në qytetet e fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit, Gjinokastrës, etj.
Ky çmim na e jep edhe një arsye më shumë të jemi krenar për vlerat tona, si besa, mikpritja, toleranca fetare dhe etnike, marrja në mbrojtje e njerëzve të shtypur dhe të ndjekur, me çka japim kontributin tonë të fuqishëm në pasurimin e vlerave universale të njerëzimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për…