Mediet sociale shkaktare të depresionit te vajzat adoleshente

04 janar 2019 | 11:17

Vajzat adoleshente kanë dy herë më shumë gjasa se djemtë të tregojnë simptoma të depresionit, të lidhura me përdorimin e medieve sociale, kryesisht për shkak të ngacmimeve ‘online’ dhe gjumit të çrregulluar, ka thënë një studim i ri, raporton “Reuters”.

Sipas të dhënave, vajzat adoleshente janë të prekura nga depresioni edhe për shkak të imazhit të dobët për trupin dhe vetëvlerësimin e ulët.

Studimi ka analizuar të dhënat e rreth 11 000 të rinjve në Britani, dhe studiuesit zbuluan se vajzat 14-vjeçare ishin përdoruese më të shumta të medieve sociale, duke qëndruar në ato më shumë se tre ore në ditë.

Studimi gjithashtu ka treguar se 12 për qind e atyre që i përdorin më pak mediet sociale, dhe 38 për qind e atyre që i përdorin pesë orë e më shumë, treguan shenja të depresionit.

Kur hulumtuesit kanë shqyrtuar proceset themelore që mund të lidhen me përdorimin e medieve sociale dhe depresionin, ata kanë gjetur se 40 për qind e vajzave dhe 25 për qind e djemve kishin përvojë në ngacmimin ‘online’. Gjumi i çrregullt është raportuar nga 40 për qind e vajzave krahasuar me 28 për qind të djemve. Ankthi dhe gjumi i dobët janë të dyja të lidhura me depresionin.

Yvonne Kelly, një profesor në Institutin e Epidemiologjisë dhe Kujdesit Shëndetësor të kolegjit Universitar të Londrës, i cili bashkë-udhëhoqi hulumtimin, u ka kërkuar prindërve dhe politikëbërësve të kenë në vëmendje rezultatet e këtij hulumtimi. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia turke të premten ka nisur bastisjet në mbarë vendin…