Mediumi italian e ngreh në qiell Rrahmanin

10 gusht 2022 | 16:13

Mbrojtësi Kalidou Koulibaly vendosi të largohet nga Napoli për t’iu bashkuar skuadrës së Chelseat në këtë afat kalimtar. Ky largim i ka shkuar përshtati kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmanit, pasi tash po konsiderohet lider i ri i Napolit.

Së bashku me Juan Jesusin, Rrahmani do ta mbulojë zemrën e ekipit italian në sezonin 2022/23, i cili do të nisë shumë shpejt. Përfaqësuesi “dardan” është bërë lojtar i rëndësishëm për napolitanët që prej arritjes së trajnerit Luciano Spalletti. 28-vjeçari ka impresionuar në ndeshjet përgatitore me ekipin këtë verë. Ai do ta nisë sezonin e tretë në Napoli. I kishte 16 paraqitje në të parin, ndërsa ishte titullar i padiskutueshëm në të dytin. Tash e pret një tjetër sezon prej protagonisti.

“Ish-futbollisti i Veronës është mjaft funksional për lojën e trajnerit Spalletti, jo vetëm për aftësinë për ta mbyllur fazën defensive dhe për aftësinë solide të lojës në ajër, por edhe për faktin se ka kapacitet ta qarkullojë mirë topin. Ai do të jetë një pikë referimi për prurjet e reja të repartit defansiv. Ai i njeh mirë krejt mekanizmat e lojës dhe lëvizjet e vijës së fundit”, shkruan mediumi italian “Il Mattino”.

Rrahmani, i cili i ka 47 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, ka luajtur në Evropa Liga me Lokomotiv Moskën dhe me Dinamo Zagrebin për dy sezone radhazi dhe me Napolin. Këtë vit do ta ketë mundësinë të luajë për herë të parë në Ligën e Kampionëve. Pas largimit të Koulibaly, Mertens e Insigne, tash Rrahmani është një prej lojtarëve më me përvojë në ekipin “Azzurri” dhe mund të jetë lideri i ri i ekipit të Spallettit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Mitrovicës po angazhohet që të ketë një ambient…