Meloni: Nuk do të lejojmë kriminelët të shkatërrojnë qytetet. 110 të mitur mes të ndaluarve
Automjete të blinduara, rreth 5 mijë persona të identifikuar, 371 të ndaluar, mes tyre 110 të mitur, si dhe 9 të arrestuar.
Tensionet dhe përplasjet u regjistruan në disa qytete të Italisë, gjatë një tjetër dite të vështirë për rendin publik.
Megjithatë, ndryshe nga java e kaluar, këtë herë nuk u përsëritën episodet e dhunës dhe plaçkitjeve.
Kjo falë edhe punës së strukturave të sigurisë, të cilat prej ditësh ishin angazhuar për të parandaluar protestat e papritura që pritej të organizoheshin në momentet e fundit nga lëvizja e sapokrijuar “17 Tetori”, organizatore e mobilizimeve të fundit që përfunduan në trazira.
“E drejta për të protestuar duhet të garantohet gjithmonë”, deklaroi në mbrëmje kryeministrja Giorgia Meloni në rrjetet sociale, duke falënderuar ministrin e Brendshëm Matteo Piantedosi dhe forcat e rendit.
Ajo theksoi se duhet të garantohet gjithashtu e drejta e qytetarëve për të jetuar të sigurt në qytetet e tyre.
“Masat e miratuara ditët e fundit nga Këshilli i Ministrave shkojnë pikërisht në këtë drejtim: t’i japin shtetit instrumente më efektive për të parandaluar dhunën dhe për të penguar kriminelët dhe personat e dhunshëm që të shkatërrojnë qytete të tëra”, u shpreh Meloni.
Sipas kryeministres, siguria duhet të garantohet për të gjithë: për ata që duan të protestojnë në mënyrë paqësore, për qytetarët që punojnë dhe për këdo që dëshiron të jetojë në qytetin e tij pa frikë.
“Pa i lënë hapësirë atyre që kërkojnë vetëm përplasje dhe dhunë”, përfundoi Meloni.



