Memli Krasniqi mes qindra bashkatdhetarëve në Belgjikë ku kryetar i degës u zgjodh Jetlir Llugani

23 mars 2024 | 20:18

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka  marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të konstituimit të Degës së PDK-së në Belgjikë, të mbajtur në Bruksel, ku kryetar u zgjodh aktivisti dhe bashkatdhetari i suksesshëm, Jetlir Llugani.

Kryetari Krasniqi duke falënderuar mërgatën për mbështetjen e parezervë, tha se rritja dhe fuqizimi i Partisë Demokratike të Kosovës në mërgatë nuk është i rastësishëm, sepse lidhja mes tyre është krijuar përmes shumë dekadave të luftës, sakrificës dhe shpresës së pandërprerë për një të ardhme më të ndritshme për shtetin dhe popullin tonë.

“Që nga lufta heroike për liri e UÇK-së, përmes rrugëtimit të mundimshëm drejt pavarësisë, deri te përpjekjet e vazhdueshme për shtetndërtim, ju keni qenë shtyllat e forcës dhe të mbështetjes tonë. Prandaj, para se të vazhdojë tutje me këtë fjalim, dua që të përfitoj nga rasti dhe të shpreh një falënderim nga zemra për ju – mërgatën tonë – heronjtë e heshtur të shtetit tonë.  Dhe, si të tillë, ju jeni pjesë përbërëse, e pandashme dhe tejet e nevojshme për të ardhmen evropiane të Kosovës. Prandaj, siç e kam deklaruar edhe më parë, nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbahen këtë vit, ju duhet të jeni dhe do të jeni të përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe me deputetë nga mërgata. Sepse, Kosova ka nevojë për ju”, theksoi ai.

Në këtë takim, kreu i PDK-së kritikoi Qeverinë Kurti për prishjen e raporteve me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, duke thënë se kjo qeveri e ngarkuar me detyrën e shenjtë për t’i shërbyer interesave të popullit, ka dështuar mjerisht.

“Për herë të parë në histori të këtyre marrëdhënieve, Kosova është nën sanksione nga Bashkimi Evropian. Edhe këtë javë, gjatë takimeve të mia me zyrtarë te lartë evropianë, vërehet zhgënjimi me nivelin e raporteve tona. Në fakt, për Kosovën,  nën udhëheqjen e kësaj Qeverie, sot po diskutohen skenarë shumë më të errëta e fare pak për një perspektivë evropiane për ne.Njëjte, raportet e Kosovës me aleatin tonë më të madh, SHBA-të, kanë rënë në pikën më të ulët njdonjëherë. Por, pasojat e veprimeve të kësaj Qeverie shtrihen shumë përtej sferës së diplomacisë. Ata po u shkaktojnë vuajtje të panumërta qytetarëve tanë, duke rrënuar shëndetësinë, arsimin, ekonominë, infrastrukturën, kulturën, sportin dhe çdo segment tjetër”, shtoi lideri i PDK-së.

Ai tha se detyrë e PDK-së, si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, është nxjerrja e vendit nga kjo situatë e rëndë.

“Në analet e historisë sonë, dy emra shquhen për ndikimin e tyre të pashlyeshëm në përpjekjet tona çlirimtare dhe shtetformuese: Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Këta liderë, të cilët tani përballen me një tjetër betejë për Kosovën në Hagë, simbolizojnë pastërtinë dhe sakrificën e luftës sonë çlirimtare. Mungesën e tyre e di që e ndjejmë thellësisht të gjithë, veçanërisht kur jemi dëshmitarë të drejtimit në të cilin udhëheqja aktuale po e çon vendin tonë. Prandaj, të dashur mërgimtarë, sfidat me të cilat përballemi sot janë një kujtesë e fortë e nevojës për një lidership shtetëror i cili e ka dëshmuar veten se mund ta drejtoj vendin drejt zhvillimit dhe përparimit. Kosova sot ka nevojë për një lidership që kupton çmimin e lirisë, rëndësinë e unitetit dhe vlerën e shtetit. Dhe këtë lidership e këtë guxim e ka vetëm familja jonë politike, Partia Demokratike e Kosovës. PDK-ja është e gatshme të hapë një epokë të re për Kosovën”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i sapozgjedhur i Degës së PDK-së në Belgjikë, Jetlir Llugani ka falënderuar lidershipin e partisë për prezencën dhe të gjithë delegatët për besimin e dhënë, duke uruar suksese të përbashkëta.

“Organizimi politik në mërgatëi Partisë Demokratike të Kosovës, po vijon, në një situatë të rëndë politike, pas dështimeve të një Qeverie të paaftë në Republikën e Kosovës. Duke qenë të shqetësuar me degradimin qeverisës në atdhe, ne jemi organizuar me një përkushtim dhe motivim shtesë për pjesëmarrjen e shtetasve tanë për konsolidimin e radhëve tona që të japim dhe ne kontributin tonë për zgjedhjet nacionale që duhet të mbahen sa më parë për të mirën e Kosovës”, u shpreh Llugani.

https://www.facebook.com/share/p/Y7wjnGLnj6L17m52/?mibextid=CDWPTG

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në orët e para të mëngjesit në pikën e lokalit…