Memli Krasniqi: Rezultatet e xhudos nuk janë të rastësishme

08 tetor 12:03

Nënpresidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Memli Krasniqi, njëherit nënkryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, ndodhet në Buenos Aires të Argjentinës, ku nga afër pa suksesin historik të xhudistes Erza Muminoviq.

16-vjeçarja nga Peja fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018, të parat për Kosovën, katër vjet pas pranimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Krasniqi u shpreh tejet i lumtur për suksesin e talentës Muminoviq.

“Shpesh herë po na bie të themi për një garë historike, por kjo vërtetë ishte një medalje historike, sepse Kosova për herë të parë po merr pjesë në Lojërat Olimpike për të rinj dhe përsëri në ditën e parë të garave, Erza, xhudistja jonë e shkëlqyeshme e gjeneratës së re mori medaljen e bronztë. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme, sepse pas pjesëmarrjes së parë në Lojërat Evropiane, ku fituam të bronztën dhe më pas në LO RIO 2016, me të artën e Majlindës, tani kemi përsëri një xhudiste që fiton medalje”, ka thënë Krasniqi për faqen zyrtare të KOK-ut.

Sipas tij, rezultatet e xhudos nuk janë të rastësishme. “Është një nder i madh për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët po mburren me të gjithë sportistët e Kosovës dhe këta sportistë meritojnë mbështetjen që kanë, por padyshim meritojnë mbështetje edhe më të madhe nga ne. Më vjen mirë që si Federatë e Xhudos kemi punuar në vazhdimësi për t’iu dhënë mundësi talentëve të rinj, në bashkëpunim edhe me KOK-un e MKRS-n. Këto rezultate nuk janë të rastësishme, por bazohen në një punë të hatashme që bëhen nga këta xhudistë vetë, trajneri Driton Kuka, si dhe Fatos Tabaku me Erzën dhe të tjerë, dhe nga një pasion i madh për të përfaqësuar Kosovës në mënyrën më të dinjitetshme, siç e kishim edhe rastin e sotëm”.

Tre muaj më parë, Erza ishte bërë edhe kampione e Evropës për kadete, kurse të dielën në Buenos Aires 2018 dëshmoi se ka të ardhme të ndritur.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, bashkë me ministrin e Shëndetësisë,…