Mërgata që nga pavarësia e Kosovës dërgoi mbi 13 miliardë euro

03 gusht 2022 | 11:45

Mërgata vazhdon të jetë njëra nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë. Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e mërgatës kanë vazhduar të shënojnë rritje.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Botërore tregojnë se brenda kësaj periudhe janë dërguar 13.3 miliardë euro.

Pavarësisht pandemisë Covid-19, mërgata gjatë vitit 2020 kishte dërguar rreth 1 miliard euro. Gjatë vitit 2021, diaspora ka dërguar 1 miliard e 143 milion euro. Pavarësisht masave të pandemisë Covid-19, vlera e sjellë në vendin tonë është 163.9 milionë euro më shumë se viti 2020.

Në pesë muajt e parë të vitit 2022 janë dërguar 445.4 milionë euro ku vlera më e madhe ishte në prill prej 108.1 milionë euro.

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK-ja ka theksuar se 278 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative.

Ndërsa, sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga Gjermania kanë ardhur 40 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 18.5 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 8 për qind.

Banka Botërore ka theksuar se pjesëmarrja e remitencave në prodhimin e brendshëm bruto të Kosovës është rreth 20 për qind.

Shuma e remitencave të dërguara sipas viteve në Kosovë: 2008 – 858 milionë euro, 2009 – 865 milionë euro, 2010 – 825 milionë, 2011 – 814 milionë euro, 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro, 2020 – 980 miliard euro, 2021 – 1.14 miliard euro dhe pesë mujori i parë i 2022-së – 445 milionë euro.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Memphis Depay, për momentin ka mbetur te Barcelona, duke lëshuar…