Merita Pinta, pronare e shtëpive të pleqve në Zvicër, flet për rastin “Orenda”

09 nëntor 2022 | 21:59

Merita Pinta, kryetare e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, pronare dhe drejtuese e disa shtëpive për të moshuarit, flet rreth rastit “Orenda” në Pejë

“Institucionet ligjore duhet të implementojnë koncepte dhe instrumente bashkëkohore, të cilat mundësojnë sigurinë dhe cilësisë maksimale në këto shtëpi të pleqve. Nuk duhet të rezignojmë për këtë situatë, por duhet të bëjmë gjithçka që ta ndryshojmë gjendjen për të mirë”.

Një ngjarje e rëndë që ka ndodhur në një shtëpi të të moshuarve në Pejë të Kosovës ka tronditur gjithë opinionin. Nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet se si disa punonjëse të kësaj shtëpie kanë sulmuar fizikisht një grua të moshuar, derisa njëra prej tyre është treguar e pamëshirshme, duke e goditur me shuplakë vazhdimisht.

Albinfo.ch: Si e përjetuat ju si pronare e disa shtëpive të pleqve në Zvicër, njëherësh kryetare e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër?

Merita Pinta: Ka qenë vërtet trishtim i madh jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që e kanë parë atë video. Këto situata nuk tolerohen dhe duhet të merren masat adekuate. Në këtë video është parë qartë se dhuna ka filluar shumë më herët aty. Kjo situatë vetëm se në atë moment po eskalonte. Si eksperte e kësaj fushe shtroj natyrshëm një mijë pyetje: Si është e mundur të mos reagojë asnjëra nga infermieret në këtë situatë ashtu si duhet dhe ta mbrojnë të moshuarën? A janë vërtet të kualifikuara për infermieri?

Është vërtet një situatë shqetësuese.

Albinfo.ch: A ka raportime për raste të këtilla në Zvicër?

Merita Pinta: Një rast të tillë nuk e kam parë deri tani në Zvicër. Sipas statistikave që ka bërë Lerzerner Fachhochschule (Quellenangaben www.news.hslu.ch), janë 300 000 – 500 000 raste që raportohen në Zvicër. Këto raste ndodhin në shtëpitë private dhe gjithashtu në institucionet shëndetësore.

Dhuna gjatë përkujdesjes ka shumë mënyra dhe ndonjëherë nuk njihet drejtpërdrejt. Sepse nuk fillon vetëm me goditje. Sjellja agresive, komunikimi me mungesë respekti ose kërcënimet janë gjithashtu forma të dhunës në përkujdesje.

Definicioni, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë  (OBSH): “Abuzimi ndaj të moshuarve është një veprim i vetëm ose i përsëritur, ose dështimi për t’u përgjigjur siç duhet brenda një marrëdhënieje besimi që shkakton dëm ose shqetësim te një person i moshuar”.

Albinfo.ch: Çfarë kontrollesh aplikojnë institucionet shëndetësore zvicerane ?

Merita Pinta: Institucionet shëndetësore, të cilat i ofrojnë shërbimet, janë edhe vetë përgjegjësit kryesorë për sigurimin e cilësisë. Kontrolli bëhet në periudha të përcaktuara me shkrim, që kërkohen në urdhër të Departamentit të Shëndetësisë, direkt nga Zyra federale për statistika në Bernë. Nga indikatorët që kërkohen datat janë, për shembull, këto tema:

  • Sasia e gabimeve në menagjimin e medikacionit (Medikamentenfehler);
  • Nëse një plak a plakë rrëzohet, pa marrë parasysh a krijohen pasoja të tjera shëndetësore, duhet të protokollohet (Sturzprotokolle);
  • Deklarohen sa ka qenë mungesa e punëtorëve të sëmurë (Kurzabsenzen Mitarbeiter);
  • Nëse një plaku i kufizohet liria për të lëvizur për arsye sigurie (Bewegungseinschränkendemassnahmen), duhet të protokollohet dhe të nënshkruhet nga mjeku, familjarët dhe menagjmenti i institucioneve;
  • Dokumentacione të cilat duhet të paraqesim që i kemi informuar të moshuarit dhe familjarët për autonominë dhe të drejtat e tyre (Rechte der Bewohnende);
  • Deklarohen sasia dhe temat e përcaktuara të trajnimeve me punëtorët.

Ndërsa në punën e përditshme çdo rast duhet të dokumentohet dhe të  informohet menagjmenti kryesor, mjeku dhe familjarët. Gjithashtu punonjësit trajtohen vazhdimisht në tema të ndryshme. Pastaj inspektimi direkt në institucion bëhet përmes auditorëve, ku edhe i kontrollojnë të dhënat (Kennzahlen), të cilat ia dërgojmë Zyrës federale në Bernë.

Albinfo.ch: Çfarë ndikimi negativ mund të ketë një rast i këtillë për imazhin e Kosovës, sidomos për investitorët që kanë plane për investime zvicerane në ngritjen e shtëpive të pleqve?

Merita Pinta: Ka mundësi që ky rast mund të ndikojë tek investitorët negativisht. Unë personalisht u kisha propozuar investitorëve para se të investojnë në këtë drejtim, të kenë koncepte të gatshme që i plotësojnë kushtet në këtë lëmi dhe megjithatë, drejtuesit e këtyre institucioneve të kenë një përvojë të madhe pune profesionale.

Drejtuesit e institucioneve shëndetësore apo në përgjithësi institucionet sociale kanë një përgjegjësi të madhe. E sidomos aty ku bëhet fjalë për të moshuarit apo fëmijët. Këto dy kategori të shoqërisë janë komplet të varura nga njerëzit në rrethin e tyre ku jetojnë. Për atë edhe duhet të ketë instrumente pune me të cilat kontrollohet cilësia e sigurisë.

Albinfo.ch: Infermierët duhet të tregojnë vlera etike profesionale, si respekti, drejtësia, ndjeshmëria, kujdesi, dhembshuria, besueshmëria dhe integriteti. A i ka cenuar ky rast të gjitha këto?

Merita Pinta: Unë vetëm mund të interpretoj për këtë rast. Për mendimin tim, dhe nga përvoja ime profesionale, nuk ka asnjë shenjë që tregohen vlerat etike njerëzore dhe profesionale në këtë rast. Ky rast duhet analizuar nga ekspertët e kësaj fushe dhe të ndërmerren shumë shpejt masat institucionale dhe ligjore.

Albinfo.ch: Çfarë i rekomandoni institucionet përkatëse shëndetësore në Kosovë që të përmirësojnë në sektorin e përkujdesjes së të moshuarve? 

Merita Pinta: Të bëhet një analizë e përgjithshme në këtë sektor. Të analizohet gjithashtu programi arsimor i infermierëve. Unë nuk e njoh mirë sistemin e shëndetësisë në Kosovë. Për atë edhe vetëm mund të këshilloj në përgjithësi në këtë drejtim. Gjithashtu është me rëndësi të krijohen partneritete me ekspertë profesionistë shqiptarë që punojnë dhe veprojnë jashtë vendit. Rrjetëzimi është tash për tash i domosdoshëm në të gjithë lëmenjtë, duke e paraparë nga ana zhvillimore ekonomike.

Për nga ana operative është kryesisht tejet e rëndësishme rekrutimi i personit që menagjon institucionin. Të ketë përvojë pune në këtë fushë, pastaj gjithashtu duhet të rekrutohen persona profesionistë. Të trajtohen në tema të ndryshme vazhdimisht, sepse vetëm ashtu mund të mbajnë përgjegjësinë e tyre të punës dhe të zhvillohen. Gjithashtu e shoh shumë të rëndësishme të kultivohet një kulturë komunikimi në institucione. Institucionet duhet t’u sjellin të moshuarve, por gjithashtu edhe personelit, cilësi dhe siguri maksimale.

Albinfo.ch: Pas këtij rasti të rëndë shpërthyen reagime të atilla, madje që duhet të bojkotohen edhe institucionet të përkujdesjes për të moshuar dhe se shqiptarët nuk duhet t’i dërgojnë prindërit e tyre?

Merita Pinta: Jo, është thjesht gabim i madh nëse apelojmë në këtë drejtim. Kuptohet plotësisht që ky rast na ka prekur emocionalisht e moralisht gjithë shoqërinë. Nuk duhet të rezignojmë në këtë situatë, por duhet të ndodhë e kundërta. Duhet të ngrihemi në këmbë që të kërkohen përmirësime në institucionet shëndetësore dhe të ndërmerren masa konkrete preventive, të duhura në rastet e tilla. Institucionet ligjore duhet të përcaktojnë dhe implementojnë koncepte dhe instrumente, të cilat mundësojnë sigurinë e cilësisë maksimale. Përndryshe, nëse rezignojmë në këtë situatë, nuk do të ketë zhvillim.

Albinfo.ch: A janë shtëpitë e pleqve ende tabu për shqiptarët në Zvicër?

Merita Pinta: Jo, nuk është më tabu kjo temë. Tashmë edhe të moshuarit shqiptarë i gjeni nëpër shtëpi të pleqve në Zvicër. Ndoshta mund të them se në fillim, dy javët e para, kanë pasur vështirësi më shumë familjarët, ta akceptojnë situatën. Mund të them se të gjitha rastet që i kemi pasur nuk ishin të informuar mjaftueshëm se si është i rregulluar financimi në shtëpi të pleqve. Komunikimi me familjarët duhet të jetë shumë qendror dhe i rëndësishëm gjithë kohën që kanë prindërit e tyre. Ata i lënë në besim të plotë prindërit e tyre te ne. Këtë besim nuk guxojmë ta fyejmë. Drejtuesit e institucioneve dhe personeli duhet të kenë këtë përgjegjësi dhe të jenë të vetëdijshëm. Nga të gjitha palët pritet një komunikim transparent dhe i hapur. Çka është dalluar shumë pozitive nga familjarët shqiptarë, janë vizitat e rregullta që u bëjnë prindërve të tyre. Nganjëherë sjellin edhe ushqime tradicionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ofertë për 380,000 franga qe dorëzuar qysh të premten…