Merret vendimi për vazhdimin e punimeve të autostradës Prishtinë-Pejë

07 mars 2018 | 13:25

Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa, të mërkurën ka shqyrtuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Kosovës, BERZH për projektin e autostradës Kijevë -Zahaq.

Ministri i Financave, Bedri Hamza duke arsyetuar këtë projektligj ka thënë se në vazhdën e partneritetit me institucione financiare ndërkombëtare, është hartuar një projektligj për financimin e projektit infrastrukturor që lidh Prishtinën e Pejën me anë të një kredie dhe mjete nga buxheti i Kosovës.

Ai deklaroi se kjo marrëveshje është e favorshme dhe e rëndësishme. Sipas tij, i gjithë projekti është rreth 200 milionë euro, ku 38 milionë do të ndahen nga buxheti i Kosovës, ndërsa pjesa tjetër është nga BERZH dhe Banka Investive Evropiane.

Hamza ka thënë se për këtë projekt madhor prej rreth 33 kilometrash,  punimet mund të fillojnë në fund të pranverës.

Kurse, Lumir Abdixhiku kryetar i Komisionit, ka thënë se marrëveshja në fjalë është drejtë ngase kjo rrugë ndërtohet me kredi dhe se mjetet buxhetore të shtetit dedikohen për sektorë tjerë primarë.

Sipas tij, edhe kushtet e kredisë janë të ulëta dhe kostoja del me e lirë krahasuar me ndërtimin e autostradave në të kaluarën.

Ai ka thënë se bazuar në kushtet e kredisë dhe shumën e mjeteve të garantuara me hua, del se projekti Kijevë-Zahaq prej 33 kilometra del të jetë me një kosto 200 milionë euro dhe që i bie se çmimi për një kilometër rrugë nuk do të jetë më shumë se 6. 5 milionë euro.

Të gjithë anëtarët e këtij Komisioni kanë votuar pro projektligjit për autostradën Kijevë-Zahaq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Akti i dytë i përballjes së 1/8-ve në Ligën e…