Mes mospërfilljes, kushtëzimit dhe injorancës (2)

16 nëntor 2020 | 19:52

Shkruan: Agron HOTI- 

Ekonomisë së Kosovës i kanë ndodhur tetë të këqija të mëdha, pasojat e të cilave do t’i vuajmë edhe për një kohë të gjatë, ato janë:

1. Së pari dhe gjithmonë së pari, po harrohet fakti se Serbisë sikur mos t’i mjaftonte terrorizimi dhe eksploatimi i pamëshirshëm i Kosovës që prej Luftës e Dytë Botërore, ajo krahas gjenocidit dogji pothuaj tërë Kosovën gjatë luftës 1998-1999. Të rralla janë ato shtete në botë, të cilat kanë pasur histori të ngjashme me Kosovën dhe që kanë mundur ta rimarrin veten për t’u bërë sadopak konkurruese për vetëm 12 vjet shtet. Kosova nuk ishte as Gjermani e as Japoni, për të ri-marrë veten dhe për t’u bërë ekonomi e fortë rajonale. Kosova nuk ishte as Zvicër, në territorin e së cilës terrori e lufta nuk kanë gjetur vend me qindra vite. Harrohet fakti që Kosova (ashtu sikurse tërë shqiptarët) ishte vendi më i varfër dhe më i pashkolluar në Evropë. Derisa Evropa në vitin 1998-1999 po bënte plane për thellimin e integrimit të saj, Kosova pikërisht në këtë periudhë po luftonte për bukë dhe ekzistencë, kaq ishte dallimi për ata që kanë harruar.

2. Së dyti, nuk mund ta heshtim faktin që pas vitit 1999 korrupsioni, përvetësimi i pasurisë kombëtare dhe promovimi i injorancës në shkallë të gjerë nga politika e Kosovës, kush më shumë e kush më pak, ka qenë dhe ende është pengesë e madhe për zhvillimin e synuar ekonomik dhe jo vetëm. Nuk ka pasur përpjekje e asnjë vizion vendor për ri-ngjalljen e atyre uzinave e fabrikave që patën ekzistuar në Kosovë. Përvetësimi i mijëra hektarëve prona me çmime qesharake dhe tentim-shitjet e tyre me çmime astronomike kanë qenë dhe janë pengesë serioze për joshjen e investitorëve të huaj dhe diasporës tonë të madhe. Kjo sepse çdo investitor në botë nuk është i interesuar të blejë apo marrë me qira prona me çmime astronomike, ndërkohë që shtete tjera në rajon dhe botë i japin ato me çmime skajshmërisht më të favorshme se sa Kosova.
3. Së treti, edhe pse pati një iniciativë në vitin 2005 dhe 2006 për hartimin e një Plani Kombëtar për Zhvillim të Kosovës, ajo tentativë dështoi. Përgjegjësia bie plotësisht mbi UNMIK-un, i cili kishte fjalën kryesore për çdo gjë duke pasur pothuaj pushtet absolut në Kosovë. Nuk ishte i interesuar UNMIK-u që Kosova të nxirrte një dokument strategjik përmes të cilit Kosova e pa-shtet do të dukej si shtet, dhe i cili plan do t’u jepte orientim politikave zhvillimore të Kosovës dhe ashtu ndodhi në fakt.

4. Së katërti, nuk pati kurrfarë përpjekje nga UNMIK-u që të ndalej deindustrializimi ose që të fillonte revitalizimi industrial i Kosovës, p.sh. nuk do të ishte shumë problematike që, ndër të tjera, të ri-aktivizohej fabrika për prodhimin e sheqerit në Pejë dhe në përgjithësi industria e agro-përpunimit, kur lënda e parë fare lehtë do të mund të sigurohej nga tokat e Kosovës ashtu siç mund të sigurohet edhe sot po të kishte vizion për zhvillimin e kësaj industrie. UNMIK-u e futi Kosovën në CEFTA (shih më poshtë) duke e dekurajuar bujqësinë dhe industrinë e agro-përpunimit, si resorin e vetëm zhvillimor, të cilin e kishte në dispozicion Kosova. Edhe pse nё Marrëveshjen e CEFTA-sё është e lejuar që palët negociuese të vendosin kuota për produkte të caktuara, me qëllim që të mbrojnë prodhuesit vendor, Kosova nuk ka bërë një gjë të tillë sepse ishte UNMIK-u ai që dekurajonte një gjë të tillë. E kjo qysh në start të hyrjes në CEFTAparaqiti problem të madh për prodhuesit vendorë, të cilët nuk ishin konkurrent në tregun e tyre, ndërkohë që produktet e importuara ofronin çmime më konkurruese. Nga ky dekurajim i bujqësisë dhe industrisë së agro-përpunimit, që bazën e ka te CEFTA, as sot nuk kemi mundur të dalim.

5. Së pesti, privatizimi i ndërmarrjeve publike u bë në mënyrën më të dëmshme ekonomike të mundshme sa që kontribuoi fare pak në zhvillim ekonomik të vendit. Asnjëherë UNMIK-u nuk hartoi një Strategji Privatizimi, e cila do t’i jepte orientim ekonomisë së vdekur të Kosovës. Në vend të politikave UNMIK-u krijoi Agjencinë e Privatizimit duke u futur menjëherë në zbatim të privatizimit pa politika e strategji siç rëndom e kërkon çdo zhvillim në një vend. Ç’është e vërteta, nuk është se ngriti kush zërin nga politika e Kosovës për këtë çështje jetike për të ardhmen ekonomike të vendit. Në vend që privatizimi të ruante destinimin e asaj industrie që ishte dhe të kthente mundësisht tregjet, ai i shndërroi shumicën nga ato uzina në depo tregtare, të cilat përfunduan në duart e politikës tërësisht jo-inovatore, jo-vizionare dhe jo rrallë injorancë-promovuese të Kosovës, diçka që vazhdon edhe sot me ritme pothuaj të njëjta.

6. Së gjashti, UNMIK-u nuk bëri as edhe një politikë të vetme për pronat, keq-menaxhimi i të cilave kontribuoi në ngulfatjen e zhvillimin ekonomik të vendit. Edhe këtu sikurse te privatizimi nuk u hartuan politika e Strategji për Prona, përmes së cilës do të mundësohej shfrytëzim sa më produktiv i tyre, por vetëm u themelua një Agjenci e Pronave, e cila nuk kishte kurrfarë linjash orientuese se kah do të duhej të shkonte prona e Kosovës. E spektri politik i Kosovës, përpos garës së për përvetësim të pronave – të cilat nga sistemi jugosllav ishin shtetëzuar me dhunë e terror ndaj shqiptarëve – nuk kishte shprehur ndonjë interes të shfrytëzimit të pronave në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Siç e thashë më lartë, çmimet astronomike të pronave të përvetësuara përmes privatizimit janë tejet dekurajuese për ardhjen e investitorëve të huaj dhe pse jo arsenalit të madh të diasporës tonë.
7. Së shtati, UNMIK-u në pothuaj në të gjitha dimensionet e qeverisjes instaloi – ashtu siç instaluan misionet e OKB-së në tërë botën – korrupsionin dhe injorancën; ka pasur me qindra raste kur UNMIK-u në administratë publike kishte marrë njerëz me dhe pa shkollë të mesme para atyre me shkollim superior. Pastaj, mega-aferat korruptive të përfaqësuesve të UNMIK-ut ishin konstante. Nuk është që pastaj edhe spektri politik vendor nuk e vazhdoi lojën e korrupsionit dhe promovimit të injorancës, diçka që po vazhdon edhe sot.

8. Së teti, futja e Kosovës në CEFTA (Central European Free Trade Agreement) në vitin 2007 pa asnjë debat të gjerë publik dhe pa asnjë analizë të mirëfilltë ekonomike ishte shkatërruese për të ardhmen ekonomike të Kosovës, sepse kushtet në të cilat hyri Kosova ishin tepër të pafavorshme për ekonominë e saj pothuaj të vdekur. Nuk u bë asnjë kost-benefit analizë për të bindur qytetarët e Kosovës se hyrja në CEFTA do të ngjallte ekonominë pothuaj të vdekur të Kosovës, e sidomos bujqësinë dhe agro-përpunimin ku Kosova do të mund të kishte avantazhe.

Nëse CEFTA, origjina e së cilës rrjedh nga marrëveshja e 21 dhjetorit 1992 mes vendeve të Vishegradit në përbërje të Polonisë, Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë, kishte për qëllim përafrimin e Evropës Qendrore me atë Perëndimore, kjo ishte e mundshme atje, sepse asnjëri prej këtyre vendeve nuk kishte kaluar nëpër luftë gjatë rënies së komunizmit siç kishin kaluar hapësirat jugosllave, me theks të veçantë Kosova, e cila ishte shkatërruar dhe djegur shumica e saj. Pra, nëse Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia hynë si goxha të barabarta ekonomikisht në CEFTA, Kosova hyri në CEFTA me një Serbi, e cila përpos që ishte dhe vazhdon të jetë agresore dhe destabilizuese e rajonit, kishte një epërsi të theksuar ekonomike krahasuar me Kosovën dhe rajonin, diçka që vazhdon edhe sot.

Ndërkohë që, injektimi i CEFTA-s në hapësirat e ish-Jugosllavisë së hasmuar me luftëra të përgjakshme nuk mund të kishte efektet e njëjta sikurse në Evropën Qendrore, sepse shpërbërja e Jugosllavisë ishte bërë me gjashtë luftëra duke filluar në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Kosovë Lindore dhe Maqedoni. Ndërkohë që hapësirat shqiptare, edhe ashtu më të varfrat në Jugosllavi, ishin më të pa-përgatiturat për hyrje në Zona të Tregtisë së Lirë siç qe CEFTA. E kur një ekonomi praktikisht e vdekur futet në Zonë të Tregtisë së Lirë, atëherë pasojat e asaj ekonomie do të jenë fatale për vendin, ashtu edhe siç në fakt ndodhi me ekonominë tonë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet e Kosovës në vitin 2001 ishin vetëm 10.5 milion EUR, kurse importet afër 700 milion EUR në vit. Që lë të kuptohet se në vitin 1999 dhe 2000 eksportet ishin pothuaj zero. Ndërkohë, që në vitin 2006 eksportet e Kosovës ishin vetëm 110 milion EUR, kurse importet 1.3 miliardë EUR, pra kishim bilanc tregtar tejet negativ.

Qysh prej anëtarësimit në CEFTA e deri më sot, Kosova është përballur me bllokada të panumërta nga mosnjohëset e pavarësisë së Kosovës si Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Moldavia sa u përket eksporteve. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur kompanitë e Kosovës filluan të përdornin vulat e shtetit të Kosovës, u ndaluan të eksportojnë në Serbi, Bosnje e Hercegovinë dhe Moldavi. Kjo bllokadë, bëri që mallrat e Kosovës të eksportoheshin në Serbi, Bosnje e Hercegovinë dhe Moldavi përmes ndonjë shteti tjetër dhe duke gjetur tregje tjera. Kjo formë e eksporteve përbënte kosto shtesë për bizneset vendore ashtu sikundër që dekurajonte investitorët e huaj. Ndërkohë që kjo bllokadë që po i bëhej Kosovës nuk po merrej me shqetësimin e nevojshëm nga BE, diçka që vazhdon edhe sot.

Përfundimisht pasojat e futjes së Kosovës në CEFTA ishin fatale për ekonominë e Kosovës. Kjo sepse në vend që të ulej deficiti tregtar, ai përkundrazi u rrit mbi 2 miliard EUR. Kjo tregonte më së miri se kur një ekonomi e shkatërruar nga lufta futet në Zonë të Tregtisë së Lirë, atëherë lëngimi i saj do të bëhet afatgjatë dhe me pasoja për fuqinë e re punëtore të Kosovës.

Institucionet e Kosovës, pas vitit 2008, për hir të stabilitetit dhe bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare nuk ishin asnjëherë në gjendje të mbronin ekonominë vendore duke subvencionuar e promovuar eksportet dhe duke vendosur tarifa dhe kuota për produkte të caktuara ndaj importeve, në mënyrë që ekonomia jonë të merrte veten. Ndërkohë që vendet e rajonit ndërmerrnin çdo veprim që dekurajonte zhvillimin ekonomik në Kosovë. Prej vitit 2007 kur Kosova kishte hyrë në CEFTA e deshën të kalojnë 11 vite për t’u vënë taksë importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, të cilat para syve të BE-së po pengonin dhe dekurajonin eksportin e Kosovës. Edhe kur kjo taksë u ngrit nga Kosova, pati një vërsulje të paparë të BE-së jo për të disiplinuar Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën për pengesat e hapura që po i bënin Kosovës, por për të bërë presion që Kosova ta heqë taksën siç në fakt edhe ndodhi.

Dalja nga CEFTA asnjëherë nuk është shtruar si mundësi duke marrë parasysh se prioritet numër një ishte bërja dhe konsolidimi i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, diçka që ishte e pamundshme pa ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë. Në këtë kuadër, dalja e Kosovës nga CEFTA do të përbënte shembullin më të keq të mundshëm të Kosovës karshi frymës së BE-së për thellimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe frymës globale neoliberale për hapje të ekonomive e jo mbylljeve. Dikush sot flet lirshëm, por, të gjithë e dinë se me sa llupë në atë kohë mbikëqyrej dhe kërkohej bashkëpunimi i Kosovës me rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Edhe fryma globale gjatë kësaj periudhe (2001-2008) ishte rritja e shkëmbimeve tregtare anembanë globit, frymë kjo që mbështetej edhe nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë, përfshirë shtetet e fuqishme në glob dhe korporatat multinacionale, pra ato shtete që pritej të mbështesnin pavarësinë e Kosovës ashtu siç në fakt edhe ndodhi. Pra, përballë kushtëzimeve para bashkësisë ndërkombëtare, më saktësisht ndaj perëndimit, e cila ishte qenësore në shtet-bërjen e Kosovës dhe frymës globale për hapje të ekonomive, institucionet e Kosovës nuk kishin shumë mundësi për të zgjedhur.

Por, edhe sikur të kishin mundësi për të zgjedhur brenda atyre rrethanave, forcave politike në Kosovë për shkak të promovimit të injorancës në masë të madhe dekurajonin zhvillimin ekonomik dhe profesionalizmit. E vërteta e dhimbshme është se ekonomia e Kosovës edhe pse me rritje mesatare të qëndrueshme prej 4% nuk po mund të ecte me hapat që do të duhej të kishte ecur sikur të ishte mbrojtur ekonomia vendore nga vërshimi i produkteve rajonale dhe dekurajimi ekonomik i Kosovës nga CEFTA, UNMIK-u dhe injoranca e forcave politike në Kosovë.

Dhe në një kohë kur deficiti tregtar i Kosovës po shënonte rritje të paparë që nga viti 2001 deri në vitin 2015, institucionet e Kosovës – në kohën kur ekonomia globale kishte filluar të tkurrej për shkak i krizës financiare globale që solli recesionin më të madh ekonomik në botë që pas Depresionit të Madh të vitit 1933, nga i cili as sot nuk po mund të del ekonomia botërore – me dëshirën për avansim në rrugëtimin evropian nënshkruan Marrëveshjen Stabilizim Asociim (MSA), e cila hyri në fuqi me 1 prill 2016. Nëse shikohen statistikat e vitit 2016 shihet se deficiti tregtar i vitit 2016 ishte rritur për 7.4% krahasuar me vitin 2015, pra Kosova në vitin 2016 kishte eksportuar 309,6 milion EUR, ndërsa kishte importuar 2,789,4 miliardë EUR, për më tepër eksporti i mallrave i vitit 2016 krahasuar me vitin 2015 kishte shënuar rënie me një balancë negative prej -4.8, gjë që pritej në vitet e para pas hyrjes në fuqi të MSA-së.

Edhe pas hyrjes në fuqi të MSA-së statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë që tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë flet për një deficit tregtar më të lartë për (13.4%) në muajin mars 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 259,6 milion EUR krahasuar me deficitin 228,9 milion EUR në vitin 2018. Pra, të dhënat bindin se – edhe pse Kosova që nga paslufta ka pasur një rritje ekonomike mesatare të qëndrueshme prej 4%, e cila sipas librit të Rushir Scharma “Ngritja dhe rënia e kombeve” është rritja më e qëndrueshme ekonomike së paku prej pas luftës së dytë botërore deri më sot – gjendja ekonomike e Kosovës që mbretëronte menjëherë pas luftës në Kosovë, kërkonte rritje më të madhe ekonomike për të qenë më konkurruese me rajon dhe më gjerë.

Suma sumarum, nuk duhet harruar asnjëherë se Kosova ishte dhe është shumë e vogël për t’i dalë përballë frymës neoliberale, pra hapjes së ekonomisë, de-rregullimit, rritjes së shkëmbimeve tregtare, e cila përmes rritjes së Zonave të Tregtisë së Lirë në glob po promovohej e inkurajohej nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBSH) dhe vendet eksportuese. Kjo frymë vazhdon edhe sot dhe me shumë gjasë edhe nesër.

Po të ishte hapur ngadalë, kujdesëshëm dhe mençur ekonomia e Kosovës, sigurisht që gjendja ekonomike sot do të ishte shumë më e mirë se sa që është, por meqë kjo nuk ka ndodhur, sepse në njërën anë ishim të kushtëzuar me shtetbërje e shtetkonsolidim, gjersa në anën tjetër po na ndodhte dekurajimi i zhvillimit ekonomik jo vetëm nga UNMK-u po edhe nga forcat politike në Kosovë, atëherë do të na duhet shumë kohë për të kapur trendet. Nëqoftëse SHBA u mbetet besnike projeksioneve për Kosovën dhe Shqipërisë të bëra të ditura më 4 shtator 2020, atëherë, Kosova në 10 apo 15 vitet e do të jetë qendër punësimi dhe zhvillimi ekonomik në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka vendosur që për…