Mesazhi i myftiut Tërnava: Durimi, rendi dhe rregulli janë parime të fesë sonë

23 maj 11:37

Myftiu Naim Tërnava, në mesazhin e sotëm me rastin e festës së fitër bajramit, ka kërkuar nga besimtarët myslimanë që të kenë durim në këtë kohë të pandemisë. Nga selia e BIK-ut në Prishtinë ai ka bërë thirrje që të shmangen vizitat familjare për këtë festë, në këtë kohë.

Fjalimi i plotë i tij:

Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëplotë!

Falënderimi i takon Zotit të botëve, Atë e madhëron çfarë ka në tokë e çfarë ka në qiej. Ai është i Gjithëpushtetshmi, Absoluti.

Salatet e selamet tona ia dërgojmë më të mirit të njerëzisë, Muhamed mustafasë, familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij besnikë.

 

Të dashur besimtarë,

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Vëllezër e motra,

Sonte në vaktin e iftarit besimtarët myslimanë mbyllin agjërimin e muajit të madhëruar të ramazanit, një ndër themelet e besimit islam, i cili kryhet nga besimtarët vetëm për Krijuesin e gjithësisë.

Agjërimi si ibadet në vete ngërthen vlera të shumta, përmes të cilave besimtarët arrijnë kënaqësinë e Krijuesit, ndaj të cilit me sakrificë dhe me devocion unik shprehim përkushtimin e dashurinë ndaj Zotit.

Po ashtu, agjërimi i muajit të madhëruar të ramazanit e bën besimtarin më të kujdesshëm e më të ndjeshëm ndaj familjes, farefisit rrethit e shoqërisë, pra e bën më të dashur, më të urtë e më human.

Misioni i agjërimit është ta disiplinojë e fisnikërojë njeriun e komunitetin, ta ringjallë shpirtëroren përballë materiales, të mirën kundër të keqes, humanen e solidaren kundër egos e koprracisë, ndjesinë e përgjegjësisë ndaj papërgjegjësisë e kështu me radhë, vlera këto që i japin kuptim e substancë misionit të njeriut në këtë botë.

Ne gjatë gjithë muajit të ramazanit, të cilin po e përcjellim sot, shtuam lutjet e ibadetet tona, ishim më afër mësimeve kuranore, më afër porosive të Pejgamberit a. s. dhe më të ndjeshëm për ata që kanë nevojë për ndihmën e përkrahjen tonë.

Me një fjalë, edhe në vepër manifestuam përkushtimin e besimin në Zotin Një, gatishmërinë tonë për falje dhe fuqinë tonë për bamirësi e solidaritet.

Agjërimi i muajit të madhëruar të ramazanit kërkon përkushtim, sakrificë, disiplinë rregull e qetësi, parime këto që e veçojnë këtë ibadet e këtë muaj.

 

Vëllezër e motra,

Ky ramazan për ne si dhe për të gjithë besimtarët e botës qe më i veçantë ngase, siç dihet, tash e një kohë po përballemi me virusin Covid-19 që tashmë është në shkallë të pandemisë globale.

Për shkak të pandemisë ne myslimanët jemi privuar nga namazet në xhami, kështu që gjatë ramazanit, përveç namazeve të tjera, na ka munguar edhe namazi i teravisë, na kanë munguar vizitat e iftaret te njëri-tjetri që, gjithashtu, janë prej nimeteve të këtij muaji, mirëpo ne me qëllim të ruajtjes së shëndetit tonë dhe mbrojtjes së jetëve të njerëzve tanë, të gjitha ibadetet e lutjet e nevojshme i kemi kryer në ambientet tona familjare dhe kemi shndërruar shtëpitë tona në xhami.

Kujdesin për shëndetin publik e kemi urdhër nga i madhi Zot dhe nga porositë e Pejgamberit tonë të dashur, Muhamed Mustafasë a. s. si dhe nga mësimet dhe praktikat e mjekëve të hershëm myslimanë.

Sipas njohësve të fushës, pandemia po shkon drejt fundit, mirëpo virusi është ende i pranishëm në mesin tonë, andaj na duhet edhe pak durim, edhe pak disiplinë e rregull që të dalim me sa më pak pasoja nga virusi në fjalë.

Nëse kemi kuptuar drejt dhe kemi përvetësuar mësimet e virtytet që jep agjërimi për besimtarët, atëherë duhet të jemi të durueshëm ngase agjërimi është simbol i durimit e qëndrueshmërisë, andaj na duhet durim se vërtet durimi, rendi e rregulli janë parime të fesë sonë.

Populli ynë në vazhdimësi ka ditur që të rreshtohet drejt, gjithherë ka manifestuar kulturë të lartë të përgjegjësisë, qoftë si individ, po edhe si shoqëri.

Kjo më së miri u dëshmua edhe tani me rastin e pandemisë, ku me zbatimin dhe aplikimin e udhëzimeve profesionale nga kompetentët, vërtet treguam kulturë të lartë e përgjegjësi qytetare, dhe kështu kemi arritur ta përballojmë mirë pandeminë që rrezikon shëndetin publik.

 

Vëllezër e motra,

Ne nesër kemi festë, festë e cila vjen pas përfundimit të muajit të agjërimit – ramazanit. Shkaku i pandemisë nuk do të kemi mundësi që ta falim namazin e bajramit, andaj ju ftoj te gjithëve që ta ruani karakterin festiv të bajramit në shtëpitë tuaja me familje, pranë të dashurve tuaj.

Ju porosis që t’i shmangni vizitat tradicionale që bëhen për bajram sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar ende, ndërsa ne me veprimet tona dhe disiplinën tonë mund të bëjmë që ky virus të dobësohet dhe sa më parë ta shpallim fitoren ndaj kësaj pandemie.

Duke lutur Zotin që të ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet e punët tona të mira, kudo që jeni ju përgëzoj e ju uroj të gjithëve festën e fitër bajramit.

Me hair e me të mira na qoftë fitër bajrami!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë 24 orëve të kaluara në Rusi janë shënuar 9…