Mezani: Objektiv kemi Evropën, por jemi gati të luajmë shanset tona për titullin

19 korrik 2020 | 13:29

Gjilani e fitoi derbin e Anamoravës përballë Dritës me shifrat 2-0 dhe është futur  plotësisht në garën për titullin kampion të IPKO Superligës së Kosovës, kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit.

Trajneri i gjilanasve, Gentian Mezani ishte në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ku u shfaq mjaft i lumtur për fitoren në derbi, por theksoi se objektivi primar i të tijve është një vend në zonën evropiane.

Sa shanse ka Gjilani të fitojë titullin kampion, pas triumfit në derbin e qytetit përballë Dritës?
Mezani: Duhet të pranojmë se objektivi fillestar i yni ishte një vend në Kupat e Evropës, por kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi, jemi plotësisht në garë për titullin kampion. Jemi shumë të lumtur për fitoren në derbin ndaj Dritës, por duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të përgatitemi për ndeshjen me Ballkanin, që është gjithashtu një kundërshtar shumë i fortë.

Pse u luajt pa tifozë, pasi në Suharekë kishte publik në shkallët e stadiumit?
Mezani: Nuk e di si u luajt në sfidën Ballkani-Prishtina, por edhe këtu pati grumbullim tifozësh rreth stadiumit, ndonëse nuk u lejuan të hyjnë në shkallët e stadiumit, ndoshta edhe për faktin se tifozëria në këtë qytet është shumë e zjarrtë.

Ballkani është skuadra kyç në garën për titull, a i trembeni një lëshimi të tyre në javën e fundit, nëse ju e mposhtni javën e ardhshme?
Mezani: Siç e thashë, ne duhet të përqendrohemi te puna jonë dhe të marrim maksimumin në ndeshjet tona, pa menduar çfarë po ndodh në stadiumet e tjera. Nëse bëjmë këtë, do të jemi të sigurt që do të arrijmë objektivin tonë, një vend në Europë, pastaj nëse vjen edhe titulli, do të jetë akoma më bukur.

Çfarë ndryshimi ka mes futbollit në Shqipëri dhe atij në Kosovë?
Mezani: Kategoria Superiore është një hap përpara pasi është më e qartë taktikisht dhe me ritëm më të lartë. Këtu luhet një futboll më i avashtë dhe më i ashpër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë karrierës së tij me skuadra të ndryshme evropiane, Kevin…