Miell dhe grurë ka mjaftueshëm

02 prill 2020 | 09:35

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, në një emision televiziv të mëngjesit ka thënë se në Kosovë ka mjaftueshëm grurë dhe miell. Mustafa, i telefonuar nga “Zyra e Ankesave” e RTV Dukagjini, ka thënë se nuk ka nevojë për panik. “Ka mjaftueshëm grurë dhe miell si në nivel vendi dhe rajoni për t’i furnizuar qytetarët. Nuk ka nevojë për panik. I kemi sqaruar të gjitha detajet me partnerët rajonalë për furnizimin e qytetarëve me miell dhe me çmim të arsyeshëm”, tha Mustafa.

Ai ka treguar edhe për vendimin e Shoqatës së Mullisëve që ta pezullojë prodhimin e miellit, pasi mullisët kanë kërkuar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, që ta pezullojë vendimin e importimit të miellit. “Jemi në koordinim me Shoqatën e Mullisëve, Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe Rrjetin e Shitësve me Pakicë në mënyrë që të ofrojmë furnizim më të mirë nga masat e marra. Ne vazhdimisht së bashku me Ministrisë së Ekonomisë dhe Doganën jemi duke e monitoruar importin dhe në momentin e parë që shohin që ka sasi të mjaftueshme, atëherë do të kthehet ai vendim. Pra, ideja e Ministrisë së Ekonomisë ka qenë që të furnizohet tregu”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një infermier italian, Antonio De Pace, nga një qytezë siciliane…