Miku i shqiptarëve zgjedhet president i parlamentit republikan dhe kantonal të Gjenevës

31 maj 2020 | 23:13

Dr. Francois Lefort, miku i shqiptarëve dhe bashkëshorti i pianistes së njohur shqiptare, Ermira Lefort, zgjedhet president i Këshillit të Madh të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës. Njohës i mirë i historisë dhe përkrahës i kërkesave të drejta të shqiptarëve. Gjithnjë në mbështetje të komunitetit shqiptar për integrim sa më të mirë në shoqërinë zvicërane. Flet edhe gjuhën shqipe.

SHKRUAN: ISMET RASHITI

Modestia është njëri ndër tiparet e traditës dhe kulturës së lashtë zvicerane. Zviceranët sa më lart të ngjiten në karrierën e tyre profesionale e politike, aq më modest bëhen në jetë dhe në punë. Pothuajse në asnjë mënyrë nuk dallohen nga rrethi shoqëror, meqë postet e larta shtetërore i konsiderojnë vetëm një përgjegjësi më shumë për të ardhmen e vendit të tyre. Vetëm kjo mënyrë e jetës dhe kulturë e punës, kanë bërë që Zvicra të mbetet një ndër vendet më të zhvilluara dhe me institucione shtetërore stabile.
I tillë është z. Francois Lefort, tashmë president i Këshillit të Madh të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës. U lind në shtator të vitit 1962 në Francë e mbi 30 vjet jeton e vepron si qytetar zviceran në Zvicër. Një veprimtar dhe ekologjist i pasionuar qysh në rininë e tij të hershme.
Si gjimnazist kishte filluar të lexonte libra mbi historinë, gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. Në këtë mënyrë ishte informuar drejtë mbi të kaluarën e lashtë të popullit shqiptar dhe historinë e popujve të Ballkanit dhe Evropës. Situata e vështirë ekonomike dhe politike në Kosovë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës, në opinionin zviceran, kishte filluar të përcillej me interesim të madh.
Z. Francois Lefort si njohës i historisë dhe çështjes shqiptare në përgjithësi, informohej përmes shtypit me të gjitha zhvillimet dhe ishte radhitur përkrah kërkesave të drejta të Kosovës.
Gjatë një koncerti në Gjenevë takohet me pianisten e njohur, Ermira Zyrakja-Lefort dhe më pas kishte shfaqur interesim të bisedonte më gjatë dhe të njihet nga afër me komunitetin shqiptar. “Njohuritë e Francois Lefort për shqiptarët ishin shumë të gjëra. Ai fliste për ngjarje, vende dhe data historike me kompetencë”, thotë pianistja Ermira Zyrakja-Lefort, tani bashkëshortja e presidentit të Këshillit të Madh të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, Francois Lefort.

No description available.

Foto: Seanca e Këshillit të Madh (Parlamentit) Republikan dhe Kantonal të Gjenevës në të cilën Francois Lefort u zgjedh president

Pasi martohet me pianistën, Ermira Zyrakja, Francois vlerësonte lartë komunitetin shqiptar në Zvicër, gjithnjë prezentë dhe bashkë përpiqeshin të ndihmonin sa më shumë integrimin në shoqërinë zvicerane. Si adhurues dhe njohës i muzikës tradicionale shqiptare deri te muzika klasike dhe ajo bashkëkohore, z. Franois Lefort kishte mbështetur parezerva, bashkëshorten pianiste, për regjistrimin e CD-së parë “E jona muzikë” me veprat e kompozitorëve shqiptarë për piano.
Po ashtu merrte pjesë në shumë veprimtari kulturore të komunitetit shqiptar, në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të flamurit shqiptar. Në të shumtën e rasteve, e merrte fjalën, i përshëndeste dhe fliste me respekt për ngjarje historike për shqiptarët e të gjitha trojeve të komunitetit. Z. Francois Lefort, sot e asaj dite gëzon një respekt të madh tek shqiptarët si mik dhe përkrahës i të drejtave të shqiptarëve dhe mundësitë e integrimit sa më të mirë në shoqërinë zvicerane. Z. Lefort, ka përkrahur në vazhdimësi kauzën e çlirimit kombëtar të shqiptarëve,por dhe imazhin e mirë integrues,në rrethet shoqërore politike dhe institucionet shtetërore të Gjenevës e më gjerë. Një kontribut të veçantë vullnetar e ka dhënë për disa vite edhe në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës.
Më datën 11 maj 2020, miku i shqiptarëve, Prof. Dr. Francois Lefort zgjedhet President i Këshillit të Madh të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës (Kryetar i Parlamentit Republikan dhe Kantonal të Gjenevës). Gjithnjë duke ushtruar si Profesor-Doktor e shkencëtar në fushën e biologjisë gjenetike molekulare në Gjenevë,që nga viti 2006 është deputet përfaqësues për Partinë e Gjelbër. Gjithnjë modest dhe i afërt me të gjithë njerëzit. Mban kontakte të rregullta me shqiptarët e të gjitha gjeneratave dhe ata që kanë arritur të përfaqësojnë në institucionet politike e shtetërore të Gjenevës. Gjithnjë në kuadër të ligjeve zvicerane ka mbështetur kërkesat e shqiptarëve për nënshtetësi zvicerane dhe ka dhënë këshilla profesionale për orientimin e të rinjve në shkollimin e mëtutjeshëm profesional dhe shkencor.

Foto: Francois Lefort me bashkëshorten, Ermira Zyrakja-Lefort

Presidenti Francois Lefort ka disa projekte për ndihma profesionale e shkencore për studentët e Universitetit të Prishtinës dhe Gjilanit të cilat do ti realizoi në të ardhmen e afërt. Sa herë e ka vizituar Shqipërinë apo Kosovën ka qenë i befasuar për të mirë me punën që po bëhet nga njerëzit punëtorë dhe intelektualë të fushave të ndryshme, sidomos në fushën e bujqësisë. Ka vizituar shumë ferma e ndërmarrje të cilat i ka uruar, mbështetë dhe ndihmuar politikat bio të prodhimeve, me qëllim që ato të kenë kritere të përshtatshme biologjike eksporti edhe në tregjet evropiane. Zgjedhja e z. Francois Lefort në postin e Presidentit të Këshillit të Madh të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës (Kryetar i Parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës), ka gëzuar pamasë komunitetin shqiptar në Gjenevë dhe është mirëpritur nga të gjithë shqiptarët në Zvicër! Flet edhe gjuhën shqipe! Mbi të gjitha z. Francois Lefort është një mik i shqiptarëve!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Hendbollit të Kosovës ka pritur me befasi deklaratën…