Miliona myslimanëve u prishet ëndrra për Haxh

08 korrik 2020 | 13:30

Shirin Nazirmadova, një mjeke nga Taxhikistani Jugor, ka kursyer për vite me radhë për të shkuar në Haxh, pelegrinazhin që të gjithë myslimanët e aftë duhet ta bëjnë një herë në jetë.

Por, si miliona të tjerëve, rrugëtimi i ëndrrave të saj u prish, pasi Arabia Saudite vendosi muajin e kaluar që t’i ndalojë vizitorët ndërkombëtarë që të bëjnë Haxhin këtë vit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Autoritetet saudite kanë thënë se rreth 1 000 njerëz, vetëm banorë të Arabisë Saudite, do të lejohen të bëjnë Haxhin vjetor, i cili këtë vit nis mbrëmjen e 28 korrikut dhe përfundon më 2 gusht.

Kushdo që merr pjesë duhet të jetë nën moshën 65 vjeç dhe të bëjë testin e koronavirusit përpara se të hyjë në vendet e pelegrinazhit në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës.

Nazirmadova, 60 vjeçe, i ka thënë n”Radios Evropa e Lirë” se nuk do të presë edhe një vit tjetër për mundësinë për të vizituar vendet e shenjta islamike, të cilat shpresonte t’i shihte këtë vit.

Ajo i ka dhuruar paratë e kursyera për Haxh në spitalin e saj në qarkun Farkhor, për të blerë pajisje të nevojshme për luftimin e koronavirusit.

Spitali rural i përdori paratë e gatshme për të blerë pajisje mbrojtëse për stafin, si dhe ilaçe dhe antiseptikë. Në shumë spitale të Taxhikistianit, vend me rreth 9.5 milionë banorë, ka mungesa të pajisjeve mbrojtëse.

Si mjeke me përvojë, Nazirmadova është në vijën e parë të frontit kundër koronavirusit.

Autoritetet në Arabinë Saudite, ku deri më 7 korrik janë regjistruar mbi 217,000 raste me koronavirus, kërkuan këtë vit që besimtarët në Haxh, përveç veshjes së thjeshtë të bardhë, të mbulojnë edhe fytyrën dhe të vendosin doreza.

Në Mbretërinë saudite kanë vdekur mbi 2,000 njerëz nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, Covid-19.

Rregullat e distancës fizike, kontrollet e temperaturës dhe përdorimi i dezinfektuesve pritet të bëhen pjesë e masave të autoriteteve saudite, për të siguruar shëndetin e besimtarëve.

Turma prej 1 000 njerëzish është e vogël krahasuar me turmat normale të Haxhit, që zakonisht është tubimi më i madh i myslimanëve në botë. Vitin e kaluar, rreth 2.5 milionë njerëz e ndoqën pelegrinazhin.

Për shkak të krizës së koronavirusit, Arabia Saudite ka pezulluar edhe Umrën, një pelegrinazh më të vogël që ndryshe nga Haxhi mund të kryhet në çdo kohë të vitit. Rreth 7 milionë haxhinj të Umrës e vizitojnë këtë vend çdo vit.

Sipas një sistemi të kuotave, për të cilin kanë rënë dakord autoritetet taxhike dhe saudite, taxhikët nganjëherë presin nga pesë deri në gjashtë vjet që t’iu vijë radha për të shkuar në Haxh.

Numri i aplikantëve tejkalon dukshëm kuotën vjetore të Taxhikistanit prej rreth 6 000 pjesëmarrësish.

Pritje të ngjashme të gjata ka edhe në vende të tjera të Azisë Qendrore, si Kirgizi, Kazakistan, Uzbekistan dhe Turkmenistan.

Në Farkhor, dr. Nazirmadova nuk e di nëse do të jetë në gjendje të shkojë në Haxh në një vit tjetër.

Udhëtimi, që bëhet i mundur nga Komiteti i çështjeve fetare të shtetit, kushton 3,700 dollarë për person. Kjo është një shumë e madhe për mjeken taxhike të fshatit, rroga e së cilës është rreth 150 dollarë në muaj.

Zëdhënësi i komitetit, Afshin Muqim, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se ata që janë përfshirë në kuotën e Haxhit për vitin 2020, do të kenë shans ta bëjnë Haxhin vitin e ardhshëm nëse duan.

Por, komiteti nuk është në gjendje të garantojë se çmimi, i cili duhet të paguhet në dollarë, do të qëndrojë i njëjtë në vitin 2021 ose më vonë.

“Çmimi ka qenë i njëjtë gjatë 7-8 vjetëve të kaluar. Por, monedha kombëtare e Taxhikistanit, somoni, ka humbur vlerën [kundër dollarit, viteve të fundit]. Kostoja e udhëtimit është rritur me monedhën tone”, ka thënë Muqim.

Me kursin aktual të këmbimit, udhëtimi në Haxh kushton rreth 38 000 somonë, ndërsa tetë vjet më parë ka qenë afro 19 000 somonë, rreth gjysma e çmimit të këtij viti.

Pagat mbeten të ulëta në Taxhikistan dhe nivelet e inflacionit janë të larta. Kjo duket se e bën të pamundur rënien e çmimit të udhëtimit për taxhikët, vitin e ardhshëm.

Taxhikistani i ka kufizimet e veta në përzgjedhjen e kandidatëve për Haxh. Aplikantët duhet të jenë mbi 40 vjeç dhe duhet të verifikohen nga autoritetet vendore, të cilat bëjnë kontrollin e prejardhjes.

“Për më tepër, ne nuk e dimë nëse virusi do të largohet deri në kohën e Haxhit të ardhshëm, ose nëse do të jem mjaftueshëm mirë për të bërë udhëtimin”, është shprehur Salohiddin Mirzoev, një shofer 56-vjeçar nga fshati Khirmanak, rreth 15 kilometra në perëndim të kryeqytetit Dushanbe.

Mirzoevi gjithashtu është futur në listën e Haxhit këtë vit, pasi është regjistruar për kuotën në vitin 2015. Me pagën e shoferit, Mirzoevi mezi i plotëson nevojat.

“Dy djemtë e mi që punojnë në Rusi i mblodhën paratë e tyre për të paguar udhëtimin tim për në Haxh”.

“Secili mysliman ëndërron ta bëjë këtë pelegrinazh. Unë shpresoj se do ta bëj vitin e ardhshëm”, ka thënë Mirzoevi për “Radion Evropa e Lirë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar nisjen zyrtare të procedurave…